Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në Këshilli Ndërfetar të Shqipërisë ka zhvilluar një takim të radhës në ambjentet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në mbledhjen e drejtuar nga përgjegjësja e departamenteve znj. Sonila Rembeci merrnin pjesë anëtarë të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë, përfaqësues të pesë komuniteteve fetare në vend.
Gjatë këtij takimi ata kanë folur dhe diskutuar rreth hartimit të një planit strategjik të punës për Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, lënë si detyrë nga Bordi i Presidencës në kuadër të bashkëpunimit me organizatën ndërkombëtare “Religions for Peace”, e cila është ombrella e Këshillave Ndërfetarë nga e gjithë bota, pjesë e së cilës është edhe KNFSH.
Një nga pikat e diskutuara ishte Trashëgimia fetare, Turizmi Religjioz, Arti dhe Kultura. Lidhur me turizmin fetar, për shkak të shtimit të turistëve dhe vizitorëve të huaj në vendin tonë, vihet re një nevoja e hartimit të një strategjie për guidat turistike, të cilët të kenë informacionin e duhur lidhur me historikun e objekteve të kultit, kryesisht ato monument kulture.
Krahas këtyre, anëtarët e dy departamenteve kanë propozuar organizimin e shkëmbimeve kulturore, forumeve ndërfetare në qytete të ndryshme të Shqipërisë, vendet fqinje, etj.