Home
Historiku i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Historiku i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është themeluar më 25 tetor 2007 nga katër krerët e komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri, H. Selim Muça, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, Mons. Rrok Mirdita dhe H. Dede Reshat Bardhi, si dhe është regjistruar në Gjykatën e rrethit Tiranë. Në mbledhjen e Këshillit të Presidencës me dt. 22.10.2018 është miratuar dhe anëtarësia me të drejta të plota edhe e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, duke u bërë komuniteti i pestë fetar në KNFSH.

Ceremonia e themelimit të KNFSH-së u zhvillua me dt. 22.10.2009 në prani të Presidentit të atëhershëm të Republikës Prof. Dr. Bamir Topi, i cili tha se, “Ai (KNFSH) institucionalizon tolerancën fetare në Shqipëri. Kjo është vlera jonë e përbashkët dhe ky është virtyti ynë i rrallë, të cilin jo vetëm do ta eksportojmë kudo që të mundemi, por do ta ndajmë me shumë dëshirë me vendet dhe popujt e tjerë anembanë globit. Prandaj edhe jam sot këtu, jo vetëm për të kremtuar hapjen e një Këshilli kaq të nevojshëm e të dobishëm për mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërfetare në vendin tonë, por edhe për t’ju siguruar rreth mbështetjes së palëkundur personale e institucionale gjatë ndërmarrjes suaj kaq të vlefshme e të rëndësishme në shërbim te paqes, mirësisë, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare”.
Në aktivitetin promovues të themelimit, klerikë nga të gjitha besimet e kanë vlerësuar Këshillin, si një organizëm, që do të koordinojë veprimtari në shkallë rajonale për problemet e bashkëjetesës mes besimeve fetare.
Gjatë ceremonisë së hapjes kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muca, shprehej se sjellja mes besimeve “Nuk është një qëndrim dhe vlerësim konkurence dhe dominimi, por si një marrëdhënie bashkëjetese, në shërbim të shoqërisë”.
Ndërsa për kreun e ortodoksëve, Kryepiskopin Anastas Janullatos, “Të gjithë, të krishterë e myslimanë duhet të punojnë për bashkëjetesën, pasi ajo nxit progresin shoqëror. Falja dhe pajtimi nuk mund të jenë produkte të një faktori politik, pasi komunitetet fetare janë të pazëvendësueshme.”

Gjatë këtyre viteve, krahas pjesëmarrjes në disa konferenca ndërkombëtare, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shpesh herë ka dalë dhe në deklarata për shtyp për çështje të përbashkëta në interes të shoqërisë dhe në mbrojtje të vlerave universale dhe në kuadër të promovimit të dialogut ndërfetar.
Në takimin e dt. 22.10.2018, drejtuesit më të lartë të komuniteteve fetare të Shqipërisë kanë zhvilluar një mbledhje në Selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku janë marrë disa vendime të rëndësishme, lidhur me mirëfunksionimin dhe disa ndryshime statuore të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Një prej vendimeve të marra ishte edhe anëtarësimi me të drejta të plota në KNFSH të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.
Në këtë mbledhje morën pjesë H. Skender Bruçaj, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi, krahas ndryshimeve statuore, u morën edhe disa vendime lidhur me disa ndryshime në aspektin drejtues institucional të Këshillit Ndërfetar, institucion i cili ka në përbërjen e vet Këshillin e Presidencës, Këshillin Ekzekutiv dhe sekretarin e përgjithshëm.
Organi më i lartë vendimmarrës i Qendrës së KNFSH-së është Këshilli i Presidencës, i cili përbëhet nga Kryetarët e Komuniteteve fetare, pjesëmarrës të Qendrës, ndërsa Këshilli Ekzekutiv përbëhet nga dy anëtarë për çdo komunitet.
Kryetari i Këshillit të Presidencës, ka një mandat një vjeçar dhe krerët e komuniteteve fetare do ta kenë këtë detyrë me rotacion. Në mbledhjen e organizuar nga Bordi i Presidncës në vitin 2018, u miratuar dhe rotacioni për 5 vitet e ardhshme. Kështu kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2019 u caktua kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, për vitin 2020 kreu i Kishës Katolike Mons. George Frendo, për vitin 2021 Kryegjyshi Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane H. Dede Edmond Brahimaj, për vitin 2022 Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore Pastor Ylli Doçi, ndërsa për vitin 2023 Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu. Ndërsa sekretar i përgjithshëm u zgjodh Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja dhe financiere znj. Sheldiana Jano Agaraj.

Këshillit Ndërfetar i Shqipërisë ka si mision të vetin promovimin e dialogut dhe harmonisë ndërfetare, nëpërmjet projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.

Më 25 tetor 2018, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është vlerësuar me çmimin “De Mello për të Drejtat e Njeriut” në Krakov, Poloni. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ky çmim iu akordua pesë udhëheqësve të komuniteteve fetare në Shqipëri, me motivacionin “Për Vëllazërinë Ndërfetare në Shqipëri”. Çmimi “De Mellon për të Drejtat e Njeriut”, jepet çdo vit për individë, apo personalitete që përfaqësojnë kauza në të mirë të shoqërisë së përbashkët.

Me 22 mars 2021 Presidenti i Republikës Z. Ilir Meta, ka dekoruar me medaljen e lartë “Nderi i Kombit” Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë me motivacionin:

“Në vlerësim të kontributit të gjithanshëm në ruajtjen dhe promovimin e frymës së harmonisë, mirëkuptimit e bashkëjetesës midis feve në Shqipëri. Për mesazhet e qarta drejtuar besimtarëve e politikës shqiptare që të synojnë paqen, bashkimin, përparimin e orientimin drejt vlerave atdhetare për një jetë të përbashkët e optimiste; si dhe për rolin e rëndësishëm në lartësimin e modelit shqiptar të dialogut ndërfetar në arenën ndërkombëtare”.

Ndërsa më 17 nëntor 2021, Ministria Federale Austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare i ka akorduar Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Çmimin e Mirënjohjes për ndihmën ndaj familjeve në nevojë në zonën e tërmetit, projekt i implementuar gjatë pandemisë nga Departamenti i Rinisë në KNFSH dhe realizuar me mbështetjen e Religions for Peace në të cilën KNFSH është anëtare me të drejta të plota.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip