Me datë 4 qershor 2024 u zhvillua mbledhja e radhës e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Në takimin e zhvilluar në Selinë e Kryepiskopatës Orthodhokse, morën pjesë Kryepiskopi Anastas, kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (2024), H. Bujar Spahiu, Mons. Gjergj Meta, H. Dede Edmond Brahimaj, Pastor Ergest Biti, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Av. Sheldiana Jano Agaraj, H. Asti Bakallbashi dhe znj. Sonila Rembeci, përgjegjëse e Departamentit të Gruas dhe Rinisë në KNFSH.
Gjatë këtij takimi u vlerësua puna e bërë prej disa javësh me grupin e ekspertëve në lidhje me projektligjin e fundit. Kreu i KNFSH-së vuri theksin edhe një herë në vlerat e përbashkëta dhe në punën që po bëhet në kuadër të ruajtjes së familjes tradicionale në Shqipëri.
Të gjithë anëtarët e Bordit të Presidencës folën dhe për punën që bën secili komunitet në ndërgjegjësimin dhe promovimin e vlerave të familjes tek besimtarët e të gjitha komuniteteve fetare.
Në fund, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, pasi falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen, falënderoi dhe ata që kanë punuar dhe punojnë fort me grupin e punës për projektligjin e fundit, duke theksuar që, Perëndia në ditën kur çdonjëri do largohet nga kjo jetë, do na pyesë se sa shumë e deshëm njeri tjetrin, si një mesazh mbyllës të këtij takimi shumë të ngrohtë.