Sipas statutit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, neni 12, pika a, ku thuhet se, “Këshilli i Presidencës do të përcaktojë Kryetarin e Këshillit të Presidencës çdo një vit sipas formulës së rrotacionit…”, në mbledhjen e dt. 22.10.2018, vendimi nr. 2 është miratuar grafiku i rotacionit të Kryetarit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për periudhën 5 vjeçare, ku për periudhën 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2020 do të jetë kreu i Kishës Katolike të Shqipërisë Mons. George Frendo (Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe Arqipeshkv i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës), i cili vjen pas mandatit të Fortlumturisë së Tij Anastas Janullatos, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë).
Gjatë mbledhjes së Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar më 16 janar 2020, Mons. Frendo ka marrë në dorëzim detyrën nga paraardhësi i tij në këtë detyrë Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kush është Mons. George Frendo?
Mons. George Anthony Frendo ka lindur në Qormi, Maltë, me 4 prill 1946, duke qenë fëmija i pestë ndër shtatë fëmijët e familjes. Pasi kreu shkollën fillore e të mesme, në vitin 1962 hyri në Urdhërin e Predikatorëve (Domenikanë). Në vijim ndoqi studimet në filozofi dhe teologji në Collegium Philosophico-Theologicum Sancti Thomae Aquinatis në Rabat, Maltë. Është shuguruar prift më 7 prill 1969.
STUDIMET DHE MËSIMI
Nga Kolegji i Shën Tomës së Rabat-it, mori gradën e Lektoratit në teologji me tezën Baptism as the Sacrament of Faith in the Doctrine and Practice of the Church (Pagëzimi si Sakramenti i Fesë në Doktrinën dhe në Praktikën e Kishës). Vazhdoi studimet në Pontificia Universitas Sancti Thomae Aquinatis në Romë, në Fakultetin e së Drejtës Kanonike dhe në 1973 u diplomua si doktor në të Drejtën Kanonike duke mbrojtur tezën, Indissolubility and Divorce in the Theology of Thirteenth Century Scholastics (Pazgjidhshmëria e Martesës dhe Divorci në teologjinë e Skolastikëve të shekullit trembëdhjetë).
Me kthimin në Maltë, menjëherë nisi të japë mësimin e Teologjisë Dogmatike në Collegium Philosophico-Theologicum Sancti Thomae Aquinatis e domenikanëve; dha mësim gjithashtu në disa kurse të Teologjisë Dogmatike (Sakramentet, Kristologji dhe Eskatologji) në Fakultetin e Teologjisë në Maltë si dhe një kurs mbi ateizmin bashkëkohor në Seminarin e Gozo-s.
Në Shqipëri ka dhënë mësim Teologjinë Trinitare dhe Kristologjinë në Seminarin Ndërdioqezan në Shkodër.
ZYRAT NË URDHRIN DOMENIKAN
1974-1979: Mësues i rishtarëve e studentëve
1979-1981: Epror lokal
1981-1989: Famullitar në një famulli domenikane në Maltë
1989-1997: Provincial i domenikanëve në Maltë
1992-1996: President i Konferencës së Eprorëve të Lartë në Maltë
ZYRAT NË ARKIDIOQEZËN E MALTËS
1974-1980: Defensor Vinculi (Mbrojtës i Lidhjes Martësore) në Tribunalin Kishtar
1980-1989: Gjykatës i Gjykatës Ndërdioqezane të Shkallës së Dytë.
Anëtar i komisionit të krijuar nga Konferenca Ipeshkvore malteze mbi përpunimin e normave plotësuese në vijimin e promulgimit të Kodit të ri të së Drejtës Kanonike.
ZYRAT KISHTARE NË SHQIPËRI
1997-1999: I ngarkuar nga Konferenca Ipeshkvore shqiptare për përpunimin e normave plotësuese në vijimin e promulgimit të Kodit të ri të së Drejtës Kanonike.
1998-1995: Vikar i Përgjithshëm i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit
1999-2005: President i Konferencës së Eprorëve të Lartë në Shqipëri
2001-2006: Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Evropian për Eprorët e Lartë Rregulltarë
2001- 2006: Vikari Gjyqtar i Gjykatës Ndërdioqezane
Nga 23 shtator 2006: Ipeshkëv ndihmës i Tiranës
Në 2007 u emërua anëtar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar
Në maj 2012 u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Konferences Ipeshkvore
Më 3 dhjetor 2016 u shpall Arqipeshkvi i Arqidioqezes Tiranë-Durrës.
Më 5 shkurt 2018 u zgjodh Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë
Prej janarit 2020 deri në fund të vitit 2020 do të kryesojë Presidencën e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Është autor i librave të ndryshëm të natyrës doktrinale apo shpirtërore (p.sh. Eukaristia, Sakramentet, Maria e Tejshenjtë, tre libra katekeze për tre vitet e përgatitjes për jubileun e madh, familja, ateizmi bashkëkohor, një përmbledhje e Katekizmit të Kishës Katolike, adhurimet eukaristike etj).
Ka pasur përvojën e shumë takimeve ndërkombëtare, si provincial i domenikanëve në Maltë, pastaj si president i Konferencës së Eprorëve të Lartë në Maltë dhe në Shqipëri, si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Europian për Eprorët e Lartë Rregulltarë dhe gjithashtu si delegat në emër të Konferencës Ipeshkvore Shqiptare.