Home
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë përkujton 50 vjetorin e revoltës së Spaçit

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë përkujton 50 vjetorin e revoltës së Spaçit

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë së bashku me institucione partnere ishte pjesë e organizmit të përkujtimit të 50 vjetorit të revoltës së Spaçit. Në ceremoninë e zhvilluar me datë 21 maj 2023 në ish-kampin famëkeq të Spaçit, moderuar nga Mons. Gjergj Meta, Arqipeshkv i Rrëshenit morën pjesë drejtues të Këshilli Ndërfetar të Shqipërisë dhe të komuniteteve fetare në vendin tonë, Presidenti i Republikës SHTZ. Bajram Begaj, drejtues të shoqërisë civile, të cilën janë të angazhuar me kujtesën e krimeve të komunizmit, ish të burgosur politikë dhe familjarë të tyre, etj..

Në emër të KNFSH-së mbajti një fjalë përshëndetëse Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, i cili pasi falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e kësaj ceremonie përkujtimore, u ndal shkurtimisht në historikun e kësaj revolte.

“Këto male janë dëshmitarë të asaj se çfarë ka qenë regjimi komunist. Një regjim brutal. Më i egri në botë, aq sa arriti të privojë njerëzit nga besimi në Zot. Revolta e Burgut të Spaçit është njëra nga dy ngjarjet më kryesore të rezistencës ndaj regjimit diktatorial në Shqipëri, bashkë me atë të Qafë-Barit. Të dënuarit e këtij burgu kanë qenë shkrimtarë, ekonomistë, studiues, klerikë, etj., por i tillë ka qenë ai regjim, të vriste po të mendoje. E megjithatë, thirrja “Poshtë komunizmi dhe Rroftë Shqipëria e Lirë” e këtyre burrave kumbon edhe sot e kësaj dite në këto anë. Zoti i mëshiroftë të gjithë ata që kanë dhënë jetën për të thënë fjalën e lirë e ata që kanë dhënë jetën për të besuar në Zot.”– tha ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa Presidenti i Republikës, z. Begaj, në fjalën e tij, u shpreh se sot kujtojmë 50 vite nga Revolta e Spaçit, vendi ku diktatura komuniste shtypi të gjithë njerëzit e lirë, të cilët u vetëmohuan për të mbrojtur vlerat që shoqëria jonë gëzon sot.

Më tej, ky aktivitet përkujtimor vijoi me një dramatizim të shkurtër të Revoltës së Spaçit nga nxënësit e gjimnazit të Rrëshenit.

Të pranishmit u zhvendosën më tej në një prej godinave të këtij burgu famëkeq, ku u njohën me ekspozitën “Jeta në Spaç”, ekspozitë kjo e përbërë prej 50 skicave të detajuara nga përditshmëria e të burgosurve dhe puna e rëndë në minierë.

Në fund të aktivitetit, të pranishmit ndoqën dokumentarin e përgatitur me këtë rast, i cili hedh dritë mbi dëshmi dhe rrëfime ekskluzive nga ish të burgosur mbi revoltën e Spaçit.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip