Home
Ministri i Jashtëm i Vatikanit Mons. Gallagher vizitë në KNFSH

Ministri i Jashtëm i Vatikanit Mons. Gallagher vizitë në KNFSH

Sekretari i Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizmat Ndërkombëtare Mons. Paul Richard Gallagher zhvilloi sot më 20 mars 2023 një takim me Bordin e Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, mbajtur në Selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Në takim merrnin pjesë liderët dhe përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare në Shqipëri, H. Bujar Spahiu, kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hirësi Asti, Ndihmës i Kryepeshkopit Anastas, Mons. Angelo Massafra, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Pastor Ergest Biti, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Mons. Arjan Dodaj, Arqipeshkv i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Në takim merrte pjesë gjithashtu dhe Nunci Apostolik në Tiranë Mons. Luigi Bonazzi.

Takimi ka filluar me një prezantim të historisë së harmonisë ndërfetare dhe Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë nga Sekretari i Përgjithshëm z. Kruja dhe më pas kryetari z. Bujar Spahiu dhe liderët e komuniteteve fetare i kanë uruar mirëseardhjen Mons. Gallagher. Ata kanë vënë theksin jo vetëm në harmoninë ndërfetare në Shqipëri, por edhe për problematikat e pazgjidhura akoma nga shteti shqiptar, siç është dhe rasti i moskthimit të pronave të konfiskuar nga regjimi komunist, për të cilat komunitetet fetare presin zgjidhje prej më shumë se tre dekadash në demokraci.

Mons. Gallagher ka vlerësuar shumë kontributin e komuniteteve fetare në Shqipëri dhe modelin e Këshillit Ndërfetar në promovimin e harmonisë dhe dialogut ndërfetar jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj. Ai ka përmendur gjithashtu dhe mesazhet vlerësuese të Papa Françeskut gjatë vizitës së tij në Shqipëri për këtë model dhe vëllazëri.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip