Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në bashkëpunim me Këshillat Ndërfetarë të Evropës ka organizuar sot me datë 10 shkurt 2022, konferencën ndërkombëtare dhe ndërfetare “Vëllazëria në Humanizëm” me pjesëmarrjen e liderëve të komuniteteve fetare, ambasadores së SHBA-së në Tiranë SHTZ. Yuri Kim, Nuncit Apostolik SHTZ. Luigi Bonazzi dhe Presidentit të Këshillave Ndërfetarë të Europës Dr. Luigi de Salvia! Në aktivitet morën pjesë klerikë myslimanë dhe të krishterë, përfaqësues nga bota akademike, intelektualë dhe studiues, si dhe të rinj e të reja nga të gjitha komunitetet fetare.
Në seancën e parë të moderuar nga Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së dhe zv/president i Këshillave Ndërfetarë të Evropës, kanë përshëndetur pesë krerët e komuniteteve fetare në vendin tonë njëkohësisht dhe anëtarë të Bordit të Presidencës.
Dr. Kruja në fjalën e hapjes ka thënë ndër të tjera se, “sot edhe pse bota njeh kulmin e zhvillimit teknologjik dhe ekonomik, shumë vende po përballen me sfida të reja dhe të vjetra, me konflikte, intolerancë dhe gjuhë urrejtjeje, varfëri dhe korrupsion. E pikërisht në këto kohë sfidash dhe përballjesh me to, nuk mungojnë dhe përpjekjet për dialog dhe bashkëpunim, jo vetëm nga shtete dhe organizma ndërkombëtarë zyrtarë, por sidomos nga liderë botërorë të besimeve të ndryshme fetare, siç ishte dhe nënshkrimi i dokumentit të vëllazërisë njerëzore nënshkruar midis Papa Françeskut dhe Imamit të Madh të Ez’herit Shejh Ahmed el Tajjib, si autoritetet më të larta të tyre fetare.” Më tej ai ka bërë dhe një pasqyrë të aktiviteteve të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.
Kryetari i KNFSH-së për vitin 2022 dhe njëkohësisht Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë Pastor Ylli Doçit, në fjalën e tij ka vlerësuar harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë, që buron nga toleranca dhe tradita shqiptare, si dhe dokumentin e paqes nënshkruar në Abu Dhabi.
Ndërsa Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu në fjalën e tij tha: “Apeli im kryesor është për politikën, investoni në arsim. Për mediat, transmetoni frymë paqësore, mos raportoni informacione të paverifikuara, kushtojini më shumë rëndësi rolit tuaj edukues krahas atij të fitimit. Për qytetarët dhe besimtarët; përdorini mjetet e komunikimit dhe teknologjinë për qëllime të mira, mos bini pre e kotësive, manipulimit, mos shkoni pas frymës së përçarjes, urrejtjes, linçimit e dhunës verbale nëpër rrjeteve sociale.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Fortlumturia e tij Anastas Janullatos ka thënë ndër të tjera se, “në Shqipëri, gjatë dekadave të fundit, në periudha krizash të brendshme, të gjitha komunitetet fetare u përpoqën që të bashkonin zërin dhe përpjekjet e tyre për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Sot duam të theksojmë se, në përgjithësi, temat konkrete për të pasur një dialog krijues midis komuniteteve fetare të ndryshme janë: mbrojtja e mjedisit, lehtësimi i varfërisë, pajtimi i njerëzve dhe i popujve, zhvillimi, bioetika dhe pikësëpari, paqja në nivel lokal e global. Ne kemi rënë dakord që të mos lejojmë idetë fundamentaliste të qarqeve ekstremiste të ndikojnë tek anëtarët e komuniteteve tona. Vizioni ynë nuk ka qenë thjesht toleranca fetare, por bashkekzistenca harmonike”.
Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë Mons. Angelo Massafra në fjalën e tij ka theksuar se, dëshira ime në lidhje me këtë çështje është që analiza e bërë nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i al Az’harit, Shejh Ahmed Al-Tajjib, të bëhet objekt kërkimi, studimi dhe thellimi edhe këtu në tokën tonë, ku individualizmi dhe filozofitë materialiste përparojnë në mënyrë të pakontrolluar me pasojë humbjen e vlerave.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj tha ndër të tjera se, “vendi im, Shqipëria, ndonëse ka jetuar ngjarje të frikshme në vitet e komunizmit e më pas me vështirësitë e ringritjes në postkomunizëm, sigurisht ka diçka të bukur brenda vetes. Ka margaritarin e çmuar të modelit të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare.
Ne liderët fetarë dhe besimtarë të zakonshëm, duke adhuruar me devocion Krijuesin, duke ruajtur dhe respektuar traditat fetare dhe atdhetare, i rrëfyem Evropës së qytetëruar, se pavarësisht stuhive të çfarëdollojshme, dashuria për Zotin, për njeri-tjetrin, mirëkuptimi dhe solidariteti fetar, mbeten si një xhevahir i mrekullueshëm në gjerdan të identitetit tonë.”
Më pas ka përshëndetur ambasadorja e SHBA-së znj. Yuri Kim, e cila ka vlerësuar lart rolin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, duke thënë ndër të tjera:
“Nuk është e tepruar të thuhet se Shqipëria shihet si një lider botëror kur bëhet fjalë për lirinë fetare dhe harmoninë ndërfetare. Zëri juaj është veçanërisht i fuqishëm për shkak të historisë së Shqipërisë dhe të vlerave të Shqipërisë. Populli shqiptar ka përqafuar gjithmonë mundësinë për të ndihmuar një grup njerëzish në nevojë.
Tradita e tolerancës, pranimit dhe bashkëpunimit vazhdon edhe sot e kësaj dite siç dëshmohet nga Këshilli Ndërfetar, që përfaqëson pesë grupimet kryesore fetare të Shqipërisë, i cili është një model produktiv për t’u imituar. E përgëzoj Këshillin për punën e tij të shkëlqyer për të nxitur dialogun dhe harmoninë ndërfetare, brenda dhe jashtë vendit.
Kur bëhet fjalë për harmoninë ndërfetare, Shqipëria është shumë e veçantë, një shembull i ndritshëm për vendet e tjera dhe shoqëritë shumëetnike. Por, harmonia fetare nuk është dhe nuk duhet marrë si e mirëqenë. Për të arritur atë që ka Shqipëria, kërkohet një angazhim dhe respekt i palëkundur për të drejtat tona më elementare – e drejta për të menduar lirisht, për të ndjekur besimet tona dhe për t’i shprehur këto besime privatisht dhe publikisht”, tha ndër të tjera Ambasadorja e SHBA-së.
Ndërsa Nunci Apostolik në Tiranë Imzot Luigi Bonazzi ka vlerësuar gjithashtu harmoninë dhe bashkëpunimin ndërfetar nëpërmjet punës dhe aktiviteteve të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, si dhe ndër të tjera ka thënë se, “Papa Françesku nuk heziton të thotë në mënyrë lapidare se, e jona nuk është një kohë për indiferencë: ose jemi vëllezër e motra, ose gjithçka shkatërrohet”, tha ndër të tjera ai.
I ftuar special i kësaj konference ishte Dr. Luigi de Salvia, President i Këshillave Ndërfetarë të Evropës. Në fjalën e tij ai ka theksuar se ndjehej i lumtur që gjendej për herë të parë në Shqipëri për faktin se është me origjinë arbëreshe. Ai ka vlerësuar lart frymën e harmonisë ndërfetare në Shqipëri, si një model dhe për Evropën e më gjerë.
Konferenca ka vazhduar më tej më seancën e kumtesave, ku të rinj dhe të reja nga komunitetet fetare kanë folur për rolin e gruas dhe rinisë në ruajtjen e vlerave universale, promovimin e edukimit dhe të dialogut ndërfetar në vendin tonë.
Fillimisht Motër Ermira Koleci ka folur në emër të Departamentit të Gruas në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, e cila është ndalur mbi dialogu ndërfetar dhe perspektivën e gruas.
Më pas seanca ka vazhduar me pesë të rinjtë e Departamentit të Rinisë. Kështu Hysni Skura ka folur për rolin e të rinjve në dialogun ndërfetar në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë. Ai theksoi se rinia është motori i një kombi, prandaj përgatitja e tyre me vlera universal dhe humane është investimi më i mirë që mund të behët për një komb. Rini e sotme do të jenë liderët e së nesërmes. Dialogu ndërfetar duhet të zhvillohet në disa forma si: dialog praktik, shkëmbimi i eksperiencave fetare, dialog teologjik, etj.
Alban Petro ka folur për rolin e gruas në promovimin e dialogut ndërfetar, duke vënë theksin mbi aktivitetet dhe kontributin e Departamentit të Gruas në KNFSH lidhur me këtë fushë.
Ndërsa Jeta Deda, ka prezantuar një propozim për mundësinë e edukimit me kulturë bazike mbi historinë e feve tradicionale në Shqipëri të auditorëve studentore në universitetet shqiptare për të shmangur gjuhën e keqinformimit, dezinformimit, urrejtjes dhe padijes ne median e shkruar dhe vizive.
Evisa Beho ka folur gjithashtu për rolin e disa faktorëve për të ulur radikalizmin fetar, siç janë masat, që mund të merren nga qeverisja vendore, si dhe për rolin që duhet të ketë familja, si qeliza e parë themelore e shoqërisë.
Ndërsa Alesio Sema ka folur për arsimimin e fëmijëve me edukatën fetare, sepse besimi është i lidhur ngushtë me identitetin kulturor për shumicën e njerëzve në botë, duke i mësuar ata me respektimin ndaj njerëzve me besime të tjera fetare, për të kultivuar dashurinë dhe mirëkuptimin, e jo urrejtjen.
Pjesë e aktivitetit ishte dhe ekspozita me fotografi “Harmonia ndërfetare në Shqipëri”, ku janë ekspozuar foto historike të harmonisë ndërfetare në Shqipëri, aktivitete të Këshillit Ndërfetar, si dhe pjesë nga bashkëpunimi ndërfetar midis departamenteve teologjike në vendin tonë.