Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është njohur nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë për hapjen e një procedure nga Komisionieri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit ndaj një pastori të VUSH për përdorimin sipas tij të gjuhës së urrejtjes.
KNFSH, si institucion përfaqësues i pesë komuniteteve fetare në Shqipëri, shpreh keqardhjen dhe indinjatën për çdo keqkuptim gjatë predikimeve, intervistave apo fjalëve të pastorit, duke qenë se ai, si një përfaqësues zyrtar i një komuniteti të caktuar fetar shpreh bindjen dhe besimin e tij, bazuar në mësimet e tij fetare dhe në traditën abrahamike lidhur me çështjen e familjes, martesës dhe nocioneve “nënë” dhe “baba”, parime këto themelore të të gjitha komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri.
Nëse një përfaqësues i një besimi fetar në vendin tonë, flet në përputhje me librat e shenjtë, që ndjekin dhe interpretojnë komunitetet fetare zyrtare në Shqipëri, atëherë nuk mund të konsiderohet gjuhë urrejtjeje, prandaj mendojmë se nuk është kompetencë e askujt të përcaktojë qëndrime dhe interpretime në lidhje me Shkrimet e Shenjta të besimeve tona fetare.
Komunitetet tona, si institucionet ndër më të vjetrit në Republikën e Shqipërisë kanë qenë dhe janë në pararojë të ruajtjes së vlerave universale, bashkëjetesës ndërfetare, mirëkuptimit, harmonisë dhe dashurisë ndaj të gjithëve në shërbim të paqes sociale dhe larg çdo gjuhe të urrejtjes.
Lidhur me çështjen e hapur, shprehim interesin dhe dëshirën tonë, që ky problem të qartësohet sa më parë në mbrojtje të lirisë së ndërgjegjes dhe shprehjes së mendimit lidhur me besimin fetar pa u bërë objekt diskriminimi për asnjë individ, grup, apo komunitet të caktuar.
Me dëshirën e mirëkuptimit dhe thirrjen për më shumë dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, lusim Zotin për paqe dhe mirëqenie shpirtërore në çdo familje shqiptare.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë