Home
Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Dr. Genti Kruja zgjidhet zv/president i Këshillave Ndërfetarë të Evropës

Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Dr. Genti Kruja zgjidhet zv/president i Këshillave Ndërfetarë të Evropës

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Dr. Genti Kruja, zgjidhet një nga zëvendës presidentët e Këshillave Ndërfetarë të Evropës me një mandat 3 vjeçar.

Këshillat Ndërfetarë nga e gjithë bota janë anëtarë të organizatës ndërkombëtare dhe ndërfetare “Religions for Peace”[1], themeluar më 1970 në Nju Jork, para më shumë se gjysmë shekulli.

Kjo organizatë e strukturuar në bazë dhe kontinentesh, për Evropën funksionon me anëtarësimin me të drejta të plota të 11 këshillave ndërfetare nga vende të ndryshme të Evropës, ku ndër ta bën pjesë dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i themeluar para 15 vitesh më 2007 më mbështetjen e “Religions for Peace”. Qendra për Evropën deri vitin e kaluar ka qenë në Bruksel, ndërsa pas riorganizimit është transferuar në Berlin.

Pas ristrukturimit anëtarët e Bordit nga të gjitha këshillat ndërfetare evropianë kanë zhvilluar një takim në Romë më 12 dhjetor 2021, ku kanë zgjedhur dhe Bordin Drejtues të Evropës, si dhe kanë hartuar ndryshimet statuore dhe rregulloren e brendshme.

Ndërsa më 25 janar 2022 u mbajt mbledhja e parë e Bordit të ri të Këshillave Ndërfetare Evropiane, takim në të cilin u zgjodhën Presidenti, Zëvendës Presidentët, Sekretari dhe arkëtari i Këshillave Ndërfetarë të Evropës (Religions for Peace, Europe).

Në këto zgjedhje, President u zgjodh Dr. Luigi De Salvia (Itali), zv/presidentë Prof. Dr. Elisabeth Naurath (Gjermani), Dr. Genti Kruja (Shqipëri)[2] dhe Dr. Marcel Israel (Bullgari), Sekretar Prof. Dr. Joan Hernández-Serret (Spanjë) dhe arkëtare Rkia Tiar (Belgjikë). Një pikë e rëndësishme e propozimeve dhe zgjedhjeve të drejtuesve ishte që ata të përfaqësonin vende dhe besime të ndryshme fetare nga Evropa.

Këshillat Ndërfetarë nga e gjithë bota prej disa vitesh janë mbledhur nën ombrellën e organizatës më të madhe ndërkombëtare dhe ndërfetare për paqe, akredituar dhe nga OKB, e njohur si “Religions for Peace”, e cila shtrihet në çdo kontinent në mënyrë autonome. “Religions for Peace, Europe”, përbëhet nga katër borde, Këshilli i Liderëve fetarë, Organet Kombëtare Ndërfetare Evropiane, Rrjeti Ndërfetar i Grave dhe Rrjeti Ndërfetar i Rinisë.

[1] https://www.rfp.org/interreligious-councils-of-europe-hold-first-elections-after-restructuring/

[2] https://knfsh.al/sekretari-i-pergjithshem/

Sekretari i Përgjithshëm

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip