Home
Zhvillohen konsultimet kombëtare të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë të KNFSH-së

Zhvillohen konsultimet kombëtare të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë të KNFSH-së

Në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në Asamblenë e X-të Botërore të “Religions for Peace”, që do të mbahet në Lindau të Gjermanisë në gusht të këtij viti, janë mbajtur sot në Tiranë, më 20 qershor, konsultimet kombëtare të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë të KNFSH-së.

Në mbledhjen e fundit të Bordit të Presidencës mbajtur në prill 2019 u mor vendimi edhe për themelimin e Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, përfaqësuesit e të cilëve u mblodhën sot në takimin e tyre të parë në një nga sallat e Hotel Plaza në Tiranë.

Pas prezantimit të tyre në emër të pesë komuniteteve fetare, bashkërendues të KNFSH-së, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Dr. Genti Kruja, ka folur rreth temës së bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe më pas në një seancë plenare ka prezantuar temat e Asamblesë së X-të Botërore të “Religions for Peace” dhe historikun e saj 50 vjeçar, si organizata më e madhe botërore në fushën e paqes dhe dialogut, akredituar nga OKB.

Në seancën e dytë plenare znj. Sheldiana Jano, anëtare e Bordit Ekzekutiv të  KNFSH-së ka shpjeguar pesë temat, që do të diskutohen në Asamble dhe më pas përfaqësuesit e Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë, gjatë një workshopi të ndarë në pesë grupe me përfaqësues nga komunitete të ndryshme fetare, kanë diskutuar rreth këtyre temave, duke nxjerrë disa rekomandime dhe sugjerime të rëndësishme, të cilat do të dërgohen në asamble në emër të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Shpërndarja tregon përkujdesje!

Shqip
English Shqip