Home
Myslimanë e të krishterë lutje, agjërim dhe bamirësi drejtuar Zotit

Myslimanë e të krishterë lutje, agjërim dhe bamirësi drejtuar Zotit

Komiteti i Lartë i Vëllazërisë Njerëzore (Higher Committee of Human Fraternity), themeluar pas takimit historik të Papa Franceskut me Imamin e Madh, Shejhun e Ez’herit Prof. Dr. Ahmed el Tajjib, të cilët u takuan para një viti në Abu Dhabi me dt. 4 shkurt 2019 për të firmosur Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore, i ka propozuar Papa Françeskut, që besimet e ndryshme, më 14 maj, të bashkohen shpirtërisht në një ditë lutjeje, agjërimi, dhe veprave bamirësie, që Zoti ta ndihmojë shoqërinë njerëzore për të kapërcyer pandeminë e koronavirusit. Papa Françesku ka pranuar me gëzim këtë propozim të këtij komiteti, i cili përfaqëson besimin e Krishterë, Islam dhe Hebre.

Nisur nga ky propozim, kësaj thirrjeje i bashkangjitet edhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i cili nxit dhe i bën thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë, të krishterë, e të tjerë në Shqipëri, që me dt. 14 maj t’i drejtohen Zotit me lutje, agjërim dhe vepra bamirësie, që Ai, Zoti Krijues, të bekojë, shpëtojë dhe mbrojë popujt e Tij dhe të kthejë me mëshirë shikimin e Tij drejt nesh në këto kohë sprove.

Në lidhje me këtë ngjarje botërore, Papa Françesku tha: “Meqenëse lutja është një vlerë universale, unë mirëpres thirrjen e Komitetit të Lartë për Vëllazëri Njerëzore, që besimtarët e të gjitha feve të bashkohen shpirtërisht më 14 maj në një ditë lutjeje, agjërimi dhe bamirësi, në mënyrë që t’i lutemi Zotit, që ta ndihmojë njerëzimin të kapërcejë pandeminë e virusit Corona.”

Ndërsa Prof. Dr. Ahmed el-Tajjib, tha në një postim të tij në Twitter: “E mirëpres ftesën njerëzore të vyer të cilën e ka shpallur Komitetit i Lartë i Vëllazërisë Njerëzore për t’i ftuar të gjithë njerëzit anekend botës për t’u lutur, falur dhe për të kryer vepra të mira me qëllim që Zoti ta ngrejë Covid 19 nga familja jonë njerëzore e përbashkët.

Ftoj të gjithë të marrin pjesë në këtë thirrje, me përgjërim dhe sinqeritet t’i drejtohen Zotit për ta larguar këtë pandemi dhe t’i japë sukses mjekësisë dhe shkencëtarëve për të arritur një ilaç, i cili do të mposhtë këtë virus.”

Organizata e Kombeve të Bashkuara ishte e para, qe e mirëpriti dhe iu bashkëngjit kësaj fushate, ndërkohë i janë bashkangjitur dhe dhjetëra shtete e institucione ndërkombëtare, si dhe presidentë e qeveri të shteteve të ndryshme të botës.

Zoti ju ndihmoftë e bekoftë të gjithëve.

Shpërndarja tregon përkujdesje!

Tags:
Shqip
English Shqip