Home
Mblidhet Bordi i Presidencës i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Mblidhet Bordi i Presidencës i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Bordi i Presidencës i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë ka mbajtur ditën e sotme me dt. 16.01.2020, mbledhjen e radhës dhe të parën për vitin 2020.

Kështu në mbledhjen e zhvilluar, merrnin pjesë krerët e pesë komuniteteve fetare në vend, bashkëdrejtues dhe të KNFSH-së, H. Bujar Spahiu, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Takimi ndërfetar i mbajtur në Qendrën Sinodike të Kishës Ortodokse është hapur nga Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, njëkohësisht dhe kreu në detyrë i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, i cili i ka falënderuar të gjithë për angazhimet e përbashkëta për gjatë vitit të kaluar, 2019. Më pas sipas dhe rotacionit të miratuar nga Bordi i Presidencës, ai ia ka dorëzuar detyrën e kreut të KNFSH-së Mons. George Frendo, njëkohësisht dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, i cili do të kryesojë presidencën e KNFSH-së për gjatë vitit 2020.

Në vijim mbledhja ka vazhduar sipas rendit të ditës, agjendë e cila është bërë e ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar Dr. Genti Kruja, i cili ka paraqitur raportin një vjeçar të KNFSH-së. Ndër të tjera ai përmendi se, viti 2019 ka shënuar një periudhë me angazhime të shumta.

Kështu në vitin 2019 u nënshkruan dy marrëveshje të rëndësishme, e para me organizatën ndërkombëtare “Religions for Peace”, ku falë kësaj marrëveshje Këshilli Ndërfetar ka qenë pjesë e disa takimeve dhe konferencave ndërkombëtare në Gjermani, Belgjikë, Poloni dhe SHBA. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi u mundësua edhe financimi i një projekti, me anë të cilit, u organizuan për herë të parë Konsultat Kombëtare të Këshillit Ndërfetar më 20 dhe 27 qershor 2019, nga të cilat dolën disa rekomandime të rëndësishme, që u dërguan në Asamblenë e X-të Botërore të RfP-së, zhvilluar në gusht të vitit të kaluar në Gjermani, ku KNFSH ishte pjesëmarrëse me delegatët e vet.

Një marrëveshje tjetër e lidhur me KNFSH, ishte edhe ajo me CVE, zyrë pranë Kryeministrisë, e cila është e angazhuar me luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm me të cilën janë zhvilluar edhe disa seminare dhe trajnime në këtë fushë.

Një prej vendimeve më të rëndësishme të marra nga Këshilli i Presidencës për gjatë vitit 2019, ka qenë edhe vendimi për themelimin e Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë.

Një tjetër fushë aktiviteti, ka qenë edhe ndjeshmëria e KNFSH-së ndaj situatave delikate në vend, duke dalë me disa deklarata për shtyp.

Gjatë vitit 2019 janë zhvilluar gjithashtu dy mbledhje të Këshillit të Presidencës, tre mbledhje të Këshillit Ekzekutiv dhe një mbledhje e Departamentit të Gruas dhe një me Departamentin e Rinisë.

Në vijim të mbledhjes financierja e KNFSH-së, znj. Shelda Agaraj ka pasqyruar raportin e plotë financiar të detajuar të Këshillit Ndërfetar për 8-mujorin e fundit.

Anëtarët e Këshillit të Presidencës gjatë kësaj mbledhjeje kanë diskutuar edhe për disa çështje të rëndësishme lidhur me angazhimet e KNFSH-së në vazhdimësi, si dhe disa ndryshime në statut përsa i përket mundësisë së botimeve nga ana e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Shpërndarja tregon përkujdesje!

Shqip
English Shqip
Këtë e pëlqejnë %d blogues: