Home
Departamenti i Gruas në KNFSH takim me Ambasadoren e Suedisë në Tiranë

Departamenti i Gruas në KNFSH takim me Ambasadoren e Suedisë në Tiranë

Më datë 8 shator 2020, Departamenti i Gruas në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, organizoi një takim miqësor me Ambasadoren e Ambasadës së Suedisë në Tiranë Shkëlqesinë e Saj znj. Elsa Hastad.

Diskutimi interaktiv, u zhvillua me pjesëmarrjen e grave dhe vajzave përfaqësuese të komuniteteve tradicionale fetare të Shqipërisë, pjesë aktive e Këshillit Ndërfetar, duke prezantuar secila besimin dhe komunitetin, që përfaqëson dhe rolin e tyre në bashkëpunimin ndërfetar.

Gjatë këtij bashkëbisedimi ambasadorja vlerësoi frymën e bashkëpunimit ndërfetar të tyre dhe i siguroi ato se bashkëpunimi ndërinstitucional i Departamentit të Gruas në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe Ambasadës së Suedisë në Tiranë do të jetë i vazhdueshëm, sidomos në aktivitete me tematika të tilla si, promovimi i të drejtave të grave dhe vajzave, barazisë gjinore në punësim, familje e pagë, si dhe në tematika të tjera, që lidhen me fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.

Në këtë takim u diskutuan dhe tema të tilla si, diskriminimi i grave të mbuluara, ose të atyre që mbajnë simbole fetare gjatë aplikimit për punësim në sektorin publik dhe jopubik; prania e ulët e grave në lidershipin e administratës, sidomos e atyre që mbajnë veshje fetare; fuqizimi ekonomik i gruas, fushë për të cilën Ambasada Suedeze ofron bashkëpunim me financim iniciativash të reja biznesi nga të rejat dhe gratë; problemet e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, etj.

Departamenti i Gruas në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë është themeluar vitin e kaluar nga Bordi i Presidencës në KNFSH dhe po luan një rol aktiv në aktivitete të ndryshme sociale, duke promovuar në forma të ndryshme bashkëpunimin dhe dialogun ndërfetar.

Shpërndarja tregon përkujdesje!

Shqip
English Shqip
Këtë e pëlqejnë %d blogues: