Home
Zhvillohet konferenca ndërfetare në Shkodër: “Hapat drejt dialogut dhe harmonisë ndërfetare”

Zhvillohet konferenca ndërfetare në Shkodër: “Hapat drejt dialogut dhe harmonisë ndërfetare”

Është zhvilluar në Shkodër Konferenca Ndërfetare “Hapat drejt dialogut dhe harmonisë ndërfetare”.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Mons. Angelo Massafra, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, përfaqësues nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, Ambasadori i Ambasadës Hollandeze në Shqipëri, SHTZ. Reinout Vos, Drejtori i Qendrës Rinore “ARKA”, z. Marjan Lukani, si dhe studiues e studentë nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” dhe institucionet arsimore të qytetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Spahiu, e vlerësoi këtë konferencë si një demonstrim të vlerave të larta të qytetarisë, vëllazërisë dhe harmonisë që mbart qyteti i Shkodrës.

“Bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri, e veçanërisht në Shkodër, e kanë dëshmuar jo vetëm dijetarët e feve por edhe studiues, historianë, e shkrimtarë vendas e të huaj”, tha ndër të tjera ai.

Më tej, Mons. Angelo Massafra, u shpreh se feja e vërtetë i bashkon njerëzit dhe është e hapur ndaj dialogut ndërsa ekstremizmi fetar mund të sjellë vetëm ndarje.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe përfaqësuesit e tjerë fetarë të pranishëm, të cilët përcollën mesazhe të ndryshme harmonie, dialogu dhe bashkëpunimi.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Prof. Kruja në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka vënë theksin mbi rëndësinë e edukimit dhe arsimit në promovimin e frymës së dialogut dhe trashëgimisë së bashkëjetesës ndërfetare, lënë nga të parët tanë.

Pas ceremonisë së hapjes, konferenca u zhvillua më tej në dy sesione diskutimi, sesione në të cilët, gazetarët, studiuesit, akademikët dhe studentët e shkollave me përkatësi të ndryshme fetare në vendin tonë, trajtuan aspekte të shumta të forcimit të dialogut dhe harmonisë ndërfetare në Shkodër e në mbarë vendin tonë.

Konferenca është zhvilluar nga Qendra Rinore “Arka” me mbështetjen e Ambasadës së Vendeve të Ulëta në Shqipëri. Gjatë aktivitetit janë shpërndarë gjithashtu dhe kopje të librit “Historia e Dialogut Ndërfetar” me autor Prof. Genti Kruja.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip