Home
Mblidhet Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Mblidhet Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Është zhvilluar sot, më datë 10 shkurt 2024, mbledhja e parë e këtij viti e Bordit të Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Në mbledhjen e zhvilluar në selinë e Kryepiskopatës të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë morën pjesë liderët e komuniteteve fetare dhe njëkohësisht anëtarë të Bordit të Presidencës: H. Bujar Spahiu – Kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos – Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Mons. Angelo Massafra – President i Konferencës Ipeshkvnore, H. Dede Edmond Brahimaj – Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Pastor Ergest Biti – Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së, Prof. Genti Kruja, znj. Sheldiana Jano, Përgjegjëse e Financës në KNFSH, anëtarë të Bordit Ekzekutiv: Hirësi Asti Bakallbashi dhe Mons. Arjan Dodaj, si dhe znj. Sonila Dedja nga Departamenti i Gruas në KNFSH.

Agjenda kryesore e mbledhjes së Këshillit të Presidencës të KNFSH-së ishte marrja e detyrës së kreut të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për vitin 2024, nga Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në bazë të statutit dhe rotacionit të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Presidencës së KNFSH-së në vitin 2018, detyrë, e cila pasohet nga H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë.

Prof. Dr. Anastas Janullatos është një nga katër themeluesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë më 2007 dhe vjen si Kryetar i KNFSH-së për herë të dytë pas hyrjes në fuqi të nenit 12 të statutit, pika b) më 2018, kur ai mori Presidencës e KNFSH për vitin 2019. Po në këtë vit ai është zgjedhur për herë të dytë nga Asambleja e X Botërore e “Religions for Peace” si President Nderi për kontributin e lartë në dialogun ndërfetar, zhvilluar në Lindau të Gjermanisë me pjesëmarrjen e të gjithë Këshillave Ndërfetarë nga mbarë bota.

Më tej mbledhja ka vijuar me paraqitjen e raporteve të aktiviteteve dhe atyre financiare të vitit 2023. Në këtë mbledhje Bordi i Presidencës ka miratuar gjithashtu dhe ngritjen e grupit të punës për hartimin e planit strategjik 5 vjeçar për periudhën 2024-2029 me anëtarë të Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas, Departamentit të Rinisë dhe Komisionit të Arsimit në KNFSH, si dhe ka miratuar emërimin e znj. Sonila Dedja, Përgjegjëse e Departamentit të Gruas për vitin 2024 në bazë rotacioni, mbështetur në vendimin nr. 5, pika 3.c, dt. 16.01.2020.

Anëtarët e Presidencës kanë diskutuar gjithashtu dhe problematika të ndryshme, siç janë deklaratat e disa pseudoklerikëve dhe ndërhyrjet e konjukturave të huaja në punët e brendshme të komuniteteve fetare.

Ata kanë vënë theksin po ashtu në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërfetar në dobi të shoqërisë shqiptare, si dhe gjendjen në pararojë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme sociale.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip