Tiranë, 22 nëntor 2024 – Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht Presidenti i Këshillave Ndërfetar të Evropës Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, mori pjesë si nënshkrues i iniciativës më të re të themelimit të Këshillit Ndërfetar për Paqe dhe Siguri, një iniciativë e nisur nga projekti PROTONE mbështetur nga Bashkimi Evropian. Ky angazhim u shpall gjatë simpoziumit Mbrojtja e Vendeve të Adhurimit në Evropë, zhvilluar në Romë më 20-21 nëntor 2024. Gjatë këtij aktiviteti, morën pjesë përfaqësues dhe akademikë nga institucione dhe grupe fetare të ndryshme nga Italia, Spanja, Belgjika, Holanda dhe Gjermania.
Gjatë fjalës së tij Prof. Kruja ndër të tjera tha se, “kam nderin të kontribuoj në këtë nismë, që synon përmirësimin e sigurisë për vendet e adhurimit dhe promovimin e paqes dhe dialogut ndërfetar. Pavarësisht sfidave të mëdha që përballojmë për shkak të konflikteve dhe tensioneve ndërmjet grupeve fetare dhe etnike, besojmë se vetëm përmes bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë mund të ndihmojmë në krijimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe të qëndrueshme për brezat që vijnë. Nisma është një mundësi për të theksuar rëndësinë e bashkëjetesës paqësore dhe për të promovuar lirinë fetare, si një të drejtë universale. Ne besojmë se paqja dhe harmonia ndërmjet grupeve fetare është e mundur dhe esenciale për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.”
Në këtë drejtim, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë do të vazhdojë angazhimin për forcimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe zhvillimin e politikave dhe aktiviteteve, që mbështesin dhe promovojnë një të ardhme paqësore dhe të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Evropës dhe më gjerë.