Home
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë trajnim për forcimin e dialogut ndërfetar dhe luftën kundër ekstremizmit

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë trajnim për forcimin e dialogut ndërfetar dhe luftën kundër ekstremizmit

Tiranë, 13 nëntor 2024 – Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë zhvilloi një trajnim tre ditor për anëtarët e Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Koordinimit të CVE-së dhe Hedayah. Ky trajnim u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërfetar dhe zhvillimin e strategjive për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, si dhe promovimin e bashkësive paqësore dhe inkluzive.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të angazhohen në punëtori interaktive, ku morën njohuri dhe aftësi për të ndihmuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe respektit reciprok mes grupeve të ndryshme fetare dhe sociale. Trajnimi synonte gjithashtu fuqizimin e rolit të grave dhe rinisë në proceset e dialogut dhe paqes.

Aktiviteti është përshëndetur nga Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Prof. Asoc. Genti Kruja, i cili ka falenderuar dy institucionet partnere në organizimin e këtij trajnimi, Qendrën CVE dhe Hedayeh.

Ndërsa përfaqësuesit e Hedayeh z. Hafedh Dridi, dhe znj. Lilah Elsayed, falënderuan të pranishmit për angazhimin dhe vullnetin për të kontribuar në një shoqëri paqësore dhe të qëndrueshme. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërfetar dhe zhvillimit të strategjive të përbashkëta për të adresuar sfidat që sjell ekstremizmi i dhunshëm. Aktiviteti është përshëndetur gjithashtu nga përfaqësuesja e CVE-së znj. Fatilda Smajlaj.

Ky trajnim ishte një hap i rëndësishëm në përpjekjet për të promovuar dialogun, mirëkuptimin dhe paqen në Shqipëri dhe në rajon. Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është i angazhuar të vazhdojë me nismat që kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit të grupeve të ndryshme fetare dhe sociale për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip