Home
Pogradec, zhvillohet Forumi Ndërfetar me Departamentin e Gruas dhe Rinisë në KNFSH

Pogradec, zhvillohet Forumi Ndërfetar me Departamentin e Gruas dhe Rinisë në KNFSH

Me datë 30 dhe 31 tetor 2021, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka zhvilluar një forum ndërfetar në qytetin e Pogradecit me anëtarë të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë në KNFSH, si dhe vizita në institucione dhe objekte kulti të komuniteteve të ndryshme fetare në qytet.

Në kuadër të promovimit të vlerave universale, si dhe harmonisë dhe dialogut ndërfetar në vendin tonë, KNFSH këtë radhë ka organizuar një forum ndërfetar në qytetin e Pogradecit, ku anëtarë të Departamentit të Gruas, Departamentit të Rinisë dhe disa anëtarë të Bordit Ekzekutiv janë mbledhur në një takim të përbashkët me përfaqësues dhe të rinj të komuniteteve të ndryshme fetare të këtij qyteti.

Në takim e zhvilluar është organizuar fillimisht një workshop (punëtori) me përfaqësues dhe të rinj nga komunitete të ndryshme fetare, të cilët të ndarë në disa grupe pune kanë dalë me disa rezultate, rekomandime dhe konkluzione, të cilat i kanë prezantuar me radhë para audiencës. Gjetjet e tyre ishin kryesisht mbi rolin e rëndësishëm, që kanë institucionet dhe komunitetet e ndryshme fetare në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta, promovimin e tyre tek të rinjtë dhe zgjidhjet, që mund të jepen kundra gjuhës së urrejtjes, si dhe radikalizmit e ekstremizmit të çdo lloj forme. Grupet moderoheshin nga anëtarë të Departamentit të Rinisë në KNFSH, përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare në vendin tonë, të cilët tashmë kanë themeluar dhe Klubin Ndërfetar Rinor.

Gjatë qëndrimit dy ditor në Pogradec, delegacioni i KNFSH-së ka zhvilluar dhe disa vizita në institucione dhe objekte kulti të komuniteteve të ndryshme fetare, si shkolla “Amaro Tan” e komunitetit ungjillor, xhamia “Ebu Bekr” dhe Kisha Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku janë pritur nga drejtues dhe prijës të këtyre institucioneve.

Forumi është zhvilluar me mbështetjen e GCERF (Global Community Engagement and Resilience Fund) me qendër në Zvicër./31.10.2021

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip