Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve, në audiencën e Atit të Shenjtë me Haxhi Bujar Spahiun, sot paradite me 6 maj 2022. Në qendër të bisedës ishin edhe marrëdhëniet ndërmjet shtetit e feve dhe kontributi i tyre në ruajtjen e vlerave njerëzore, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë.
Minarja e Xhamisë së Et’hem beut dhe kambanorja e Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër u bashkuan sot në dhuratën, që iu dorëzua Papës Françesku nga kreu i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, për vizitë në Vatikan. Simbol i asaj bashkëjetese paqësore ndërmjet feve, për të cilën u fol gjerësisht gjatë audiencës së Atit të Shenjtë Bergoglio me Haxhi Bujar Spahiun, sot paradite në Vatikan.
Gjatë takimit u përmend gjithashtu dhe Dokumenti i Abu Dabit mbi vëllazërimin njerëzor, që kryemyftiu, Haxhi Spahiu, siç i tha Atit të Shenjtë, e promovon dhe e përhap kudo në Shqipëri.
Më pas, kreu i myslimanëve të Shqipërisë u takua me Sekretarin vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot. Në përfundim të takimeve, kryeredaktori i redaksisë shqipe në Radio Vatikan, don David Xhuxha, i drejtoi mikrofonin Haxhi Bujar Spahiut, duke i kërkuar të tregojë përshtypjet e tij pas takimit me Papën./ Radio Vatikan