Home
Mblidhet Bordi i Presidencës i Këshillit Ndërfetar

Mblidhet Bordi i Presidencës i Këshillit Ndërfetar

Bordi i Presidencës i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë ka mbajtur ditën e sotme me dt. 3 shkurt 2021, mbledhjen e radhës dhe të parën për këtë vit.

Kështu në mbledhjen e zhvilluar, merrnin pjesë krerët e pesë komuniteteve fetare në vend, bashkëdrejtues dhe të KNFSH-së, H. Bujar Spahiu, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm Dr. Genti Kruja dhe përgjegjësja e Financave në KNFSH znj. Sheldiana Agaraj Jano.

Takimi ndërfetar i mbajtur në Arqipeshkvinë e Tiranës është hapur nga Mons. Georege Frendo, njëkohësisht dhe kreu në detyrë i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, i cili i ka theksuar se edhe pse një vit pandemie me plot sfida, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë një punë të madhe me aktivitete të ndryshme sociale dhe humanitare, prandaj ai i ka falënderuar të gjithë për angazhimet e përbashkëta për gjatë vitit 2020 dhe sidomos punën e bërë nga bordet dhe departamentit me angazhimet e bashkëpunëtorëve të tij, Sekretarit të Përgjithshëm z. Genti Kruja dhe znj. Agaraj, financiere e KNFSH-së. Më pas sipas dhe rotacionit të miratuar nga Bordi i Presidencës, Mons. George Frendo ia ka dorëzuar detyrën e kreut të Këshillit Ndërfetar H. Dede Edmond Brahimajt, i cili do të kryesojë presidencën e KNFSH-së për gjatë vitit 2021.

Në vijim mbledhja ka vazhduar sipas rendit të ditës, agjendë e cila është ndjekur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar z. Kruja, i cili ka paraqitur raportin një vjeçar të KNFSH-së. Ndër të tjera ai përmendi se, viti 2020 edhe pse një vit me kufizime dhe pengesa për shkak të pandemisë, vlen të theksohet se janë shënuar angazhime të shumta, siç kanë qenë disa projekte humanitare për familjet në nevojë të zonave së tërmetit, fëmijët jetimë, spitalet, botimi për herë të parë i një katalogu në anglisht, një libri aktivitetesh në shqip dhe anglisht, konferenca dhe simpoziume të ndryshme, realizimi i një dokumentari kushtuar 30 vjetorit të lirisë së besimit, etj. Gjatë vitit 2020 janë zhvilluar gjithashtu dhe disa mbledhje e takime të Bordit të Presidencës, Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë.

Në vijim të mbledhjes financierja e KNFSH-së, znj. Agaraj ka pasqyruar raportin e plotë financiar të detajuar të Këshillit Ndërfetar për 1 vjeçarin e fundit.

Anëtarët e Këshillit të Presidencës gjatë kësaj mbledhjeje kanë diskutuar edhe për disa çështje të rëndësishme lidhur me angazhimet e KNFSH-së në vazhdimësi, si dhe për problematika akoma pa zgjidhje nga ana e shtetit shqiptar, siç është çështja e pronave të pakthyera gjatë këtyre tre dekadave liri besimi.

Lexoni më tepër rreth kreut të KNFSH-së:

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip