Ministria Federale Austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare i ka akorduar Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Çmimin e Mirënjohjes për ndihmën ndaj familjeve në nevojë në zonën e tërmetit, projekt i implementuar vitin e kaluar nga Departamenti i Rinisë në KNFSH dhe realizuar me mbështetjen e Religions for Peace.
Çmimi iu dorëzua Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Dr. Genti Kruja dhe Departamentit të Rinisë në KNFSH nga Ambasadori i Austrisë në Tiranë, SHTZ. Christian Steiner në një ceremoni të zhvilluar ditën e enjte me dt. 2 dhjetor 2021 në rezidencën e Ambasadës Austriake në Tiranë.
Ambasadori Z. Steiner ka falënderuar punën e Këshillit Ndërfetar dhe veçanërisht angazhimin vullnetar të rinisë në aktivitete humanitare dhe sociale zhvilluar në situata kritike siç ishte periudha pas tërmetit të nëntorit 2019 dhe ajo gjatë pandemisë së Covid 19.
Në emër të KNFSH-së z. Kruja shprehu gjithashtu falënderimet ndaj ambasadës austriake për mbështetjen e vazhdueshme në promovimin e dialogut ndërfetar nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme dhe konferencave të zhvilluara midis universiteteve të themeluara nga komunitetet e ndryshme fetare në vendin tonë, si dhe ambasadorin z. Steiner për bashkëpunimin dhe organizimin e ceremonisë së dorëzimit të çmimit, firmosur nga Ministri i Jashtëm i Austrisë Dr. Michael Linhart.