Home
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dekorohet me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dekorohet me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ka dekoruar me dt. 22 mars 2021 me medaljen e lartë “Nderi i Kombit” Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë.

Dekorata e lartë “Nderi i Kombit”, u dha me motivacionin:

“Në vlerësim të kontributit të gjithanshëm në ruajtjen dhe promovimin e frymës së harmonisë, mirëkuptimit e bashkëjetesës midis feve në Shqipëri. Për mesazhet e qarta drejtuar besimtarëve e politikës shqiptare që të synojnë paqen, bashkimin, përparimin e orientimin drejt vlerave atdhetare për një jetë të përbashkët e optimiste; si dhe për rolin e rëndësishëm në lartësimin e modelit shqiptar të dialogut ndërfetar në arenën ndërkombëtare”.

Në aktivitetin ku merrni pjesë krerët e komuniteteve fetare në vend, në emër të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, dekoratën e mori Kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Në fjalën e tij Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta vlerësoi në fjalën e tij rolin e liderëve fetarë në vend dhe rëndësinë e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë:

“Sot, në ditën e parë të pranverës, pata privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të vlerësoj me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, për kontributin e çmuar në ruajtjen, promovimin dhe përçimin tek të gjithë qytetarët e sidomos tek brezat e rinj, të frymës së dialogut, tolerancës, bashkëjetesës, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërfetar. Ky rol bëhet edhe më rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm, në këto kohë kur vendi ka më shumë nevojë se kurrë për kontributin e përkushtimin e të gjithëve, në radhë të parë të më të rinjve, për të mos u larguar, por për ta kërkuar dhe gjetur të ardhmen në Atdheun e tyre, në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin.

Për të krijuar familje të shëndosha dhe të qëndrueshme, për të krijuar mirëqenie dhe ndërtuar Shqipërinë tonë të përbashkët, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit, që udhëheqësit tanë të ndritur fetarë e përçojnë çdo ditë, me përkushtim e dashuri, me anë të misionit të tyre fisnik e hyjnor. Harmonia shpirtërore, kulturore e fetare e popullit tonë është e lidhur me tiparet më të mira të Tij, me besimin ndaj Zotit, si dhe dashurinë për lirinë e fjalës, të besimit dhe të mendimit. Përgjatë gjithë historisë së tyre besimtarët shqiptarë, kanë bashkëjetuar jo vetëm në festa e trishtime, por edhe në të gjitha betejat për liri, për pavarësi si dhe në momentet më të shënuara të kombit tonë.

Shpata e diktaturës do të binte njëlloj e pamëshirshme mbi të gjithë prijësit e institucioneve të besimeve, duke vendosur njëkohësisht kazmët edhe mbi xhamitë, kishat e teqetë. Ndaj ringritja e objekteve të kultit, 30 vite më parë pas ndalimit brutal e të pashembullt 23 vjeçar të besimit, i parapriu edhe Lëvizjes së Dhjetorit ‘90 dhe i bashkoi sërish shqiptarët e të gjitha besimeve për rrëzimin e diktaturës”, u shpreh Presidenti Meta në fjalën e tij.

Më pas fjalën e mori Kreu i Këshillit Ndërfetar për vitin 2021 Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve H. Dede Edmond Brahimaj, i cili vlerësoi dekorimin e KNFSH-së me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”. Ai ka theksuar se, “Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është themeluar pikërisht për të promovuar harmoninë ndërfetare dhe vëllazërinë tonë kombëtare nga katër liderët e komuniteteve tradicionale në Shqipëri. Sfidat janë të shumta, por ne mund t’ia dalim përmes rrugëve shpirtërore të afrimit te Krijuesi. Me frymën tonë të derisotme ne do ta pasurojmë këtë traditë, duke trokitur në dyert e Evropës, shpresojmë për çeljen e tyre, por kurdoherë me identitetin tonë fetar, kulturor dhe njerëzor”, ka thënë ndër të tjera H. Dede Edmond Brahimaj.

Më pas fjalën e mori kryetari i Komunitetit Mysliman i Shqipërisë H. Bujar Spahiu, i cili ndër të tjera ka theksuar se, “Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është historia jonë e përbashkët, është shembulli që vendi ynë i jep botës në aspektin e lirisë së besimit të gjithësecilit, si dhe kultura jonë e harmonisë dhe dialogut ndërfetar. Gjej rastin të kujtoj, sot, tre nga katër  firmëtarët e parë të këshillit, të cilët nuk ndodhen më midis nesh, Haxhi Selim Muçën, H. Dede Reshat Bardhin dhe Monsinjor Rrok Mirdita. Ne jemi të angazhuar të gjithë si krerë të komuniteteve fetare ta ruajmë dhe ta çojmë më tej këtë traditë të mirë”, ka thënë ndër të tjera kreu i KMSH-së.

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos ka folur rreth fillesave të themelimit të KNFSH-së, së bashku me tre ish-krerë e ndjerë të komuniteteve të tjera fetare. Ai ka theksuar gjithashtu se tashmë Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë njihet në arenën ndërkombëtare, sepse është edhe pjesë e organizatës ndërkombëtare “Religions for Peace” me qendër në Nju Jork. Ai ka vlerësuar po ashtu dekorimin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë nga Presidenti i Republikës.

Mons. George Frendo, Arqipeshkv i Dioqezës Tiranë-Durrës, ka thënë se, “Ne gëzohemi se në fakt jetojmë në harmoni, shoqëria ka nevojë jo vetëm për politikën por edhe për besim. Është politika që ndriçon strukturat, por është feja, besimi, që mund të ndriçojë zemrat. Ne krenohemi në Shqipëri se besimet e ndryshme nuk janë një rrezik për shoqërinë, madje japim shembullin e një harmonie shumë të fortë. Pse jetojmë në harmoni? Sepse kemi pasur fat, gjithmonë besimet tona këtu në Shqipëri kanë vlerësuar më shumë atë që na bashkon sesa dallimet që na bëjnë besimet e ndryshme. Ajo që na bashkon është besimi ynë monoteist dhe bindja që të gjithë kemi një rol shumë të veçantë në shoqëri.

Po ashtu edhe kreu i Vëllazërisë Ungjillore Pastor Ylli Doçi, ka vlerësuar po ashtu frymën e tolerancës, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare te shqiptarët me një ndikim të madh social, edukativ dhe arsimor, i cili përfaqësohet më së miri nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Në këtë ceremoni krahas liderëve të komuniteteve fetare merrnin pjesë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Dr. Genti Kruja, si dhe përfaqësues të ndryshëm të komuniteteve fetare.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip