Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë kanë zhvilluar me datë 15 shkurt 2023 mbledhjen dhe takimin e parë për këtë vit. Takimi i zhvilluar në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është hapur fillimisht me një takim miqësor dhe prezantim i anëtarëve të rinj në të dy departamentet, si përfaqësues të disa prej komuniteteve fetare, të cilat për shkak të angazhimeve të tjera, ata kanë zëvendësuar dhe disa nga anëtarët e këtyre departamenteve. Në këtë takim Sekretari i Përgjithshëm Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja i ka dorëzuar nga një certifikatë mirënjohjeje ish-anëtarëve, akorduar nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.
Më pas takimi ka vijuar me një përshëndetje nga Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, i cili i ka uruar mirëseardhjen të ftuarve. Takimi ka vazhduar me prezantimin e Sekretarit të Përgjithshëm z. Kruja lidhur me aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2022 dhe më pas 5 anëtarë të departamenteve, përfaqësues të komuniteteve fetare, të cilët përbëjnë dhe Klubin Ndërfetar të Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë kanë prezantuar punimet dhe rekomandimet e tyre, duke bashkëndarë sugjerimet dhe gjetjet e tyre në lidhje me angazhimet e përbashkëta në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit. Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu dhe disa nga anëtarët e Bordit Ekzekutiv në KNFSH dhe përfaqësues nga organizatat GCERF dhe CLWG, partnerë të KNFSH-së.