Home
Delegacion nga Zvicra takim me KNFSH

Delegacion nga Zvicra takim me KNFSH

Një grup studiuesish nga Zvicra të gjendur për një vizitë studimore në Shqipëri, kanë zhvilluar një takim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë. Delegacioni është pritur nga Sekretari i Përgjithshëm Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Përgjegjësja e Departamentit të Gruas znj. Sonila Rembeci dhe anëtare të Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë në KNFSH, përfaqësuese të komuniteteve të ndryshme fetare në vendin tonë.

Kruja fillimisht i ka uruar mirëseardhjen miqve dhe më pas ka bërë një prezantim të historisë së dialogut ndërfetar në Shqipëri. Ndërsa znj. Rembeci ka prezantuar aktivitetet dhe punën e Këshillit Ndërfetar ndër vite dhe kontributin e grave dhe rinisë në promovimin e dialogut ndërfetar. Më pas është zhvilluar një seancë me pyetje dhe diskutime rreth kësaj teme, ku miqtë nga Zvicra kanë vlerësuar frymën e bashkëpunimit dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri, si një vend model dhe për Europën në aspektin e respektit dhe bashkëjetesës ndërfetare.

Delegacioni përbëhej nga studiues dhe teologë të krishterë dhe myslimanë, të cilët janë të angazhuar në dialogun ndërfetar në Zvicër në kuadër të institucionit GCM Switzerland (Gemeinschaft Christen und Muslime, Schweiz). Ata shoqëroheshin nga dy teologë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër Ana dhe Rubin Gjeci.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip