Home
Deklaratë për ruajtjen e vlerave universale

Deklaratë për ruajtjen e vlerave universale

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka ndjekur me shqetësim cenimin dhe përdhosjen e vlerave universale nëpërmjet ceremonisë së hapjes së lojërave olimpike, të cilat kanë filluar të zhvillohen në Francë para pak ditësh.

KNFSH si një institucion i bashkërenduar nga pesë komunitete fetare, bazuar në vlerat tona islame dhe të krishtera shprehim indinjatën tonë për prekjen e ndjenjave morale, fetare dhe etike nëpërmjet një shfaqjeje, e cila ndikon negativisht në edukimin e brezave të rinj me antivlera dhe fyerje të veshura me nuanca pagane dhe antimorale e antifetare.

Lojërat olimpike dhe sporti në përgjithësi ka shërbyer dhe duhet të shërbejë për komunikim ndërkulturor dhe bashkëndarje të vlerave universale, duke bashkuar kombe e popuj, pavarësisht origjinës, ngjyrës, religjionit, gjuhës dhe kulturës.

Le të jetë kjo një këmbanë alarmi për krizën morale dhe etike, ndaj së cilës institucionet zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare, që kanë ndikim të drejtpërdrejt në shoqëri, të jenë më të kujdesshëm dhe të vëmendshëm në ruajtjen e moralit dhe vlerave etike e universale për një botë më të mirë se ajo që po trashëgojmë ne sot.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip