Një delegacion nga Republika e Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga përfaqësues të komuniteteve fetare, institucioneve qeveritare, botës akademike dhe shoqërisë civile, zhvilluan një vizitë studimore dhe ndërfetare për tre ditë në Shqipëri. Kjo vizitë e realizuar nëpërmjet koordinimit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në bashkëpunim me organizatat partnere Macedonian Center for International Cooperation dhe Horizon Civitas, konsistoi në disa takime dhe vizita me drejtues të komuniteteve fetare, Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, departamenteve teologjike dhe përfaqësues nga organe të ndryshme zyrtare në Tiranë.
Delegacioni nga Maqedonia është pritur fillimisht nga Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe njëkohësisht kreu i KMSH-së H. Bujar Spahiu në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i cili i ka uruar miqve mirëseardhjen dhe më pas Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja i ka prezantuar një panoramë të përgjithshme aktiviteteve të dialogut ndërfetar në vendin tonë. Pas këtij takimi ata kanë vizituar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, katedralen dhe qendrën kulturore të saj, ku janë pritur nga Hirësi Asti dhe përfaqësues nga KOASH, pjesë e bordeve dhe departamenteve në KNFSH. Delegacioni gjithashtu ka vizituar xhaminë e Et’hem beut dhe Katedralen Katolike, ku janë mirëpritur nga përfaqësues të komuniteteve përkatëse. Ndërkohë dita e parë është mbyllur me një vizitë dhe takim me H. Dede Edmond Brahimaj në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku kanë zhvilluar një vizitë dhe në muzeun dhe ambientet e saj.
Në ditën e dytë të kësaj vizite studimore KNFSH ka zhvilluar disa seanca me takime dhe prezantime nga stafi akademik i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër dhe Departamentit të Teologjisë dhe Kulturës nga Universiteti Logos, drejtori i qendrës CVE z. Denion Meidani, përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarë nga Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në Këshillin Ndërfetar. Znj. Sonila Rembeci, z. Hysni Skura dhe z. Arbër Pandeli Zeneli kanë folur për rolin e rinisë dhe gruas në KNFSH dhe komunitetet fetare për forcimin e dialogut dhe edukimin e të rinjve me frymën e tolerancës dhe bashkëpunimit, larg çdo forme të radikalizmit dhe ekstremizmit.
Anëtarë të delegacionit nga Maqedonia e Veriut kanë vlerësuar shumë punën e bërë dhe modelin, që ofron Shqipëria, si një shembull për rajonin dhe botën në lidhje me bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare. Drejtuesit e institucioneve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord gjithashtu për rritjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes tyre në dobi të shoqërive të dy vendeve në kuadër të dialogut dhe bashkëjetesës në diversitetin, që e karakterizon rajonin tonë.