Home
Sekretari i Përgjithshëm

Sekretari i Përgjithshëm

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë është Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, zgjedhur nga Këshilli i Presidencës së KNFSH-së. 

Prof. Genti Kruja ka mbaruar studimet e larta për Sociologji më 2003 në Universitetin Istanbul, Fakulteti i Shkencave Sociale në Stamboll. Në 2007 ka kryer Masterin SHPU në Universitetin e Tiranës, dega Sociologji-Filozofi me temë “Dialogu dhe toleranca ndërfetare: ecuri dhe sfida”. Në 2015 ka kryer studimet e doktoraturës në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, dega Filozofi, me temë dialogun ndërkulturor.

Gjatë viteve të fundit, me anë të programeve të ndryshme, ka bërë të mundur bashkëpunimin me disa organizata vendase dhe ndërkombëtare për të organizuar evenimente promovuese të vlerave të dialogut, me të cilat janë organizuar zhvilluar disa simpoziume dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prof. Kruja është autor i librave “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar”, “Historia e Dialogut Ndërfetar”, bashkautor i disa librave dhe editor i shumë librave të tjerë.

Krahas disa detyrave në vitet 2010-2016 ka qenë Drejtor i Kulturës dhe i Dialogut Ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe anëtar i bordit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Nga viti 2012-2022 ka ushtruar detyrën e kryeredaktorit të revistës shkencore “Zani i Naltë”, themeluar më 1923 dhe rithemeluar më 2012 me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, ndërsa në periudhën 2017-2022 ka qenë Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër.

Prof. Genti Kruja aktualisht është lektor i Sociologjisë së Fesë, Komunikimit Ndërkulturor dhe Dialogut Ndërfetar në Universitetin Bedër, si dhe ekspert i jashtëm i profileve: Sociologji, Filozofi, Teologji, Studime Religjioze dhe Dialog Ndërfetar. Ai është gjithashtu dhe anëtar i Institutit të Sociologjisë.

Në vitin 2020, u zgjodh për të marrë pjesë në programin “The Study of the United States Institutes (SUSI) for Religious Pluralism in America” në Universitetin Seattle, Washington, SHBA, sponsorizuar nga Departamenti i Shtetit, Zyra e Çështjeve Arsimore dhe Kulturore (ECA).

Prof. Kruja është pranuar gjithashtu në vitin 2021, si ekspert i jashtëm ndërkombëtar në programin “Global Exchange on Religion in Society” (GERIS) të Bashkimit Europian në fushën e diversitetit fetar dhe kulturor në arsim.

Më 15 shkurt 2024 Prof. Kruja është zgjedhur Pesident i Këshillave Ndërfetarë të Evropës (European National Interreligious Bodies – Religions for Peace, Europe).

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip