Home
Historiku i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Historiku i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është themeluar më 25 tetor 2007 nga katër krerët e komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri, H. Selim Muça, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, Mons. Rrok Mirdita dhe H. Dede Reshat Bardhi, si dhe është regjistruar në Gjykatën e rrethit Tiranë. Në mbledhjen e Këshillit të Presidencës me dt. 22.10.2018 është miratuar dhe anëtarësia me të drejta të plota edhe e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, duke u bërë komuniteti i pestë fetar në KNFSH.

Ceremonia e themelimit të KNFSH-së u zhvillua me dt. 22.10.2009 në prani të Presidentit të atëhershëm të Republikës Prof. Dr. Bamir Topi, i cili tha se, “Ai (KNFSH) institucionalizon tolerancën fetare në Shqipëri. Kjo është vlera jonë e përbashkët dhe ky është virtyti ynë i rrallë, të cilin jo vetëm do ta eksportojmë kudo që të mundemi, por do ta ndajmë me shumë dëshirë me vendet dhe popujt e tjerë anembanë globit. Prandaj edhe jam sot këtu, jo vetëm për të kremtuar hapjen e një Këshilli kaq të nevojshëm e të dobishëm për mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërfetare në vendin tonë, por edhe për t’ju siguruar rreth mbështetjes së palëkundur personale e institucionale gjatë ndërmarrjes suaj kaq të vlefshme e të rëndësishme në shërbim te paqes, mirësisë, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare”.
Në aktivitetin promovues të themelimit, klerikë nga të gjitha besimet e kanë vlerësuar Këshillin, si një organizëm, që do të koordinojë veprimtari në shkallë rajonale për problemet e bashkëjetesës mes besimeve fetare.
Gjatë ceremonisë së hapjes kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muca, shprehej se sjellja mes besimeve “Nuk është një qëndrim dhe vlerësim konkurence dhe dominimi, por si një marrëdhënie bashkëjetese, në shërbim të shoqërisë”.
Ndërsa për kreun e ortodoksëve, Kryepiskopin Anastas Janullatos, “Të gjithë, të krishterë e myslimanë duhet të punojnë për bashkëjetesën, pasi ajo nxit progresin shoqëror. Falja dhe pajtimi nuk mund të jenë produkte të një faktori politik, pasi komunitetet fetare janë të pazëvendësueshme.”

Gjatë këtyre viteve, krahas pjesëmarrjes në disa konferenca ndërkombëtare, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shpesh herë ka dalë dhe në deklarata për shtyp për çështje të përbashkëta në interes të shoqërisë dhe në mbrojtje të vlerave universale dhe në kuadër të promovimit të dialogut ndërfetar.
Në takimin e dt. 22.10.2018, drejtuesit më të lartë të komuniteteve fetare të Shqipërisë kanë zhvilluar një mbledhje në Selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku janë marrë disa vendime të rëndësishme, lidhur me mirëfunksionimin dhe disa ndryshime statuore të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Një prej vendimeve të marra ishte edhe anëtarësimi me të drejta të plota në KNFSH të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.
Në këtë mbledhje morën pjesë H. Skender Bruçaj, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi, krahas ndryshimeve statuore, u morën edhe disa vendime lidhur me disa ndryshime në aspektin drejtues institucional të Këshillit Ndërfetar, institucion i cili ka në përbërjen e vet Këshillin e Presidencës, Këshillin Ekzekutiv dhe sekretarin e përgjithshëm.
Organi më i lartë vendimmarrës i Qendrës së KNFSH-së është Këshilli i Presidencës, i cili përbëhet nga Kryetarët e Komuniteteve fetare, pjesëmarrës të Qendrës, ndërsa Këshilli Ekzekutiv përbëhet nga dy anëtarë për çdo komunitet.
Kryetari i Këshillit të Presidencës, ka një mandat një vjeçar dhe krerët e komuniteteve fetare do ta kenë këtë detyrë me rotacion. Për vitin 2019 u caktua kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, ndërsa sekretar i përgjithshëm u zgjodh Dr. Genti Kruja me një mandat tre vjeçar.

Sipas statutit, në rast ndryshimit të kryetarit të secilit komunitet fetar, kryetari i ri automatikisht është dhe anëtar i Këshillit të Presidencës. Me këtë rast pas zgjedhjeve në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë në mars 2019, kreu i ri i KMSH-së H. Bujar Spahiu është dhe anëtar i Këshillit të Presidencës të KNFSH-së, konfirmuar dhe në mbledhjen e KNFSH-së më 16 prill 2019.

Këshillit Ndërfetar i Shqipërisë ka si mision të vetin promovimin e dialogut dhe harmonisë ndërfetare, nëpërmjet projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.

Më 25 tetor 2018, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është vlerësuar me çmimin “De Mello për të Drejtat e Njeriut” në Krakov, Poloni. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ky çmim iu akordua pesë udhëheqësve të komuniteteve fetare në Shqipëri, me motivacionin “Për Vëllazërinë Ndërfetare në Shqipëri”. Çmimi “De Mellon për të Drejtat e Njeriut”, jepet çdo vit për individë, apo personalitete që përfaqësojnë kauza në të mirë të shoqërisë së përbashkët.

KNFSH është anëtar me të drejta të plota në organizatën ndërkombëtare “Fetë për Paqen” (Religions for Peace).

Shpërndarja tregon përkujdesje!

Shqip
English Shqip