Home
Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë zhvillojnë Konsultimet e III Kombëtare

Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë zhvillojnë Konsultimet e III Kombëtare

Ditën e sotme, me dt. 18 qershor 2020 janë zhvilluar Konsultimet e III Kombëtare të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Në mbledhjen e drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Dr. Genti Kruja, merrnin pjesë anëtarët e dy departamenteve të Këshillit, të cilët të mbledhur në një situatë të pazakontë, ku gjendet vendi ynë dhe mbarë bota, ajo e përhapjes së virusit Covid 19, ata kanë diskutuar rreth disa problematikave dhe projekteve, që do të aplikohen dhe zbatohen nga Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë.

Mbledhja fillimisht është hapur me një homazh ndaj ish-anëtarit të Departamentit të Rinisë Xhontil Bardhi, i cili humbi jetën tragjikisht para disa ditësh. Kjo ngjarje ka vënë theksin edhe një herë mbi fatkeqësinë e gjakmarrjes në vendin tonë, plagë e cila akoma lëngon dhe kërkon një vëmendje më të madhe nga shteti shqiptar.

Më pas mbledhja ka vijuar me diskutimet për organizimin e një projekti humanitar, i cili do të shtrihet në zonën e tërmetit për familjet në nevojë. Ky projekt i cili do të zbatohet në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare “Religions for Peace” vjen në kuadër të situatës së vështirë ekonomike, shkaktuar nga Covid 19 dhe do të zbatohet nga Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë në Këshillin Ndërfetar në bashkëpunim me pesë komunitetet fetare në vend.

Krahas këtij projekti është diskutuar dhe për disa aktivitete të tjera, që do të zhvillohen gjatë një viti në fushën e promovimit të dialogut ndërfetar dhe luftës kundër radikalizmit dhe ekstremizmi të çdo forme dhe lloji.

Tashmë prej më shumë se një viti nga themelimi i këtyre dy departamenteve të reja, këto njësi kanë zhvilluar disa aktivitete dhe takime në kuadër të forcimit të rolit të gruas dhe rinisë në fushën e dialogut ndërfetar.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip