Home
Zhvillohet Simpoziumi i VIII Akademik Ndërfetar “Sfidat e religjionit në globalizëm”

Zhvillohet Simpoziumi i VIII Akademik Ndërfetar “Sfidat e religjionit në globalizëm”

Ditën e sotme, me datë 02 maj 2019, është zhvilluar në Akademinë Teologjike Ortodokse, Shën Vlash, Durrës, simpoziumi i VIII Akademik Ndërfetar “Sfidat e Religjionit në Globalizëm”. Fillimisht simpoziumi u çel nga dekani i Akademisë Teologjike Ortodokse, Durrës PhD. Jeffery MacDonald, i cili shkurtimisht përmendi sfidat që hasin besimet fetare në globalizëm si dhe përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në këtë simpozium. Më pas në simpoziumin e moderuar nga ai, kanë mbajtur referimet dhe kumtesat e tyre përfaqësues nga tri shkollat e larta teologjike, Xhorxhina Seferi nga Departamenti i Shkencave Islame, Bedër, me temë “Sfidat e Islamit në globalizëm”, Paolo Marasco dhe Gezime Doda nga Instituti Teologjik Katolik (Seminari Ndërdioqezian), Shkodër me temë “Deklarata e Abu Dabi mbi vëllazërinë njerëzore dhe jetën e përbashkët. Përmbajtja dhe sfidat”, si dhe Mikaela Allka nga Akademia Teologjike Ortodokse, Shën Vlash, Durrës, me temë “Sfidat e besimit Ortodoks në globalizëm”. Kumtuesit trajtuan gjerësisht sfidat e përgjithshme që globalizmi sjell çdo ditë dhe me to sfidon vazhdimisht religjionin. Risia e këtij simpoziumi ishte fakti se referuesit ishin vetë studentë nga tri shkollat teologjike, gjë e cila ndodh për herë të parë në ciklin e simpoziumeve akademike ndërfetare ndërmjet këtyre shkollave.
Në mbyllje janë zhvilluar pyetje dhe diskutime nga pedagogë dhe studentë të tri teologjive rreth temës së simpoziumit. Simpoziumi i VIII-të Ndërfetar në fushën akademike, vjen tashmë si një traditë bashkëpunimi ndërfetar midis përfaqësuesve universitarë të tri shkollave të larta akademike teologjike në Shqipëri, Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”, Akademia Teologjike Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës dhe Instituti Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian “Zonja e Këshillit të Mirë”, ku mblodhi së bashku drejtues, lektorë, studentë dhe përfaqësues të tri institucioneve arsimore.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip