Home
Zhvillohet në Berlin takimi ndërkombëtar i Këshillave Ndërfetarë të Europës

Zhvillohet në Berlin takimi ndërkombëtar i Këshillave Ndërfetarë të Europës

Në kuadër të përgatitjeve për zhvillimin e Asamblesë së Dhjetë Botërore të organizatës ndërkombëtare “Religions for Peace” (Fetë për Paqen), që do të mbahet në gusht të këtij viti në Lindau të Gjermanisë, është mbajtur në Berlin në datat 18-19 mars 2019 një takim ndërkombëtar i Këshillave Ndërfetarë të Europës, ku një prej tyre është edhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i përfaqësuar në këtë samit nga Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Genti Kruja.

Në takimin e Berlinit, drejtuar nga Dr. Thomas Wipf, President i Këshillit Ndërfetar Evropian të Liderëve Fetarë (ECRL), përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Europës, anëtarë me të drejta të plota në “Religions for Peace”, kanë diskutuar ndër të tjera lidhur me aktivitetet e secilit në vendin përkatës në fushën e Dialogut Ndërfetar, ku edhe Dr. Kruja ka bërë një prezantim të harmonisë dhe shembujve të shumtë të bashkëpunimit ndërfetar në Shqipëri, si dhe për veprimtarinë e KNFSH-së gjatë muajve të fundit, institucion, i cili ka qenë aktiv jo vetëm në fushën e dialogut ndërfetar, por edhe në situatat e ndryshme politike dhe shoqërore të vendit tonë, duke dalë para opinionit publik dhe mediave me disa deklarata të përbashkëta.

Gjatë këtij takimi dyditor janë zhvilluar gjithashtu konsulta për përgatitjet e Asamblesë së Dhjetë Botërore, ku do të marrin pjesë personalitete të larta fetare nga 100 shtete të ndryshme të botës, si dhe përfaqësues të organizmave të gruas dhe rinisë, në të cilën do të zhvillohen disa seanca dhe panele shkencore rreth temës kryesore të kësaj asambleje “Kujdesi për të ardhmen tonë të përbashkët”, si dhe nëntemave të tjera të përcaktuara për t’u trajtuar në këtë tubim të madh botëror. Gjatë zhvillimit të kësaj asambleje, delegatë nga e gjithë bota do të votojnë gjithashtu dhe për organet drejtuese të “Religions for Peace”, të nominuar nga këshillat ndërfetarë kombëtarë, të cilët zgjidhen një herë në pesë vite.

“Religions for Peace” është themeluar në vitin 1970 me qendër në New York dhe është organizata më e madhe botërore, që operon në fushën e paqes dhe dialogut në të gjithë botën, akredituar dhe njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip