nga Dr. Genti Kruja
Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë
Mars 1997… Shqipërinë e ka pllakosur murtaja e kamatës dhe pasojat e saj. Një prej ngjarjeve më interesante, në të cilën jam edhe vetë një dëshmitar okular, ka ndodhur pikërisht në ditët e trazirave të marsit të vitit 1997 në qytetin e Shkodrës.
Me 13 mars ashtu si edhe në mbarë Shqipërinë, edhe në Shkodër, ku deri më atë ditë mbizotëronte qetësia, një grup qytetarësh u mblodhën para bashkisë për të kërkuar armë nga shteti për të bërë të mundur mbrojtjen e qytetit nga sulmet e mundshme vandale dhe plaçkitëse, sipas gjasave dhe fjalëve që ishin hapur në qytet. Pas heshtjes zyrtare të pushtetit, një grup njerëzish sulmuan depot e armëve dhe tashmë edhe Shkodra iu bashkua qyteteve ku nuk dëgjohej më cicërima e zogjve, por vetëm krisja e armëve të të gjitha kalibrave. Si në asnjë qytet tjetër në çdo rrugë dhe rrugicë, qytetarët e Shkodrës ndërtuan barrikada prej gurësh dhe sendeve të tjera të forta, për të ruajtur qytetin nga një sulm imagjinar, që thashethemet shkonin deri aty sa thonin që është afruar ushtria serbo-malazeze, “rebelët” e jugut, malësorët, etj.
Atë natë jepet alarmi i rremë i helmimit të ujit, tamam si në një rrethim të vërtetë dhe që lajmi të mbërrijë sa më parë tek banorët përdoren altoparlantët e xhamisë së Fushë Çelës në Piacë.
Të nesërmen me 14, ditë e premte, në të cilën falet xhumaja, xhamia edhe pse në një ditë të rrezikshme është mbushur me besimtarë të ardhur nga të gjitha xhamitë e qytetit, të cilët pasi kanë kapërcyer barrikadat, kanë mbërritur për t’u falur në xhaminë më të madhe, për arsye se sipas një lajmi të hapur rrufe, një letër anonime jepte alarmin se xhamia do të hidhej në erë atë natë. Në të njëjtën ditë edhe për Kishën e Madhe të Shkodrës, të ndërtuar në vitin 1857, kishte shkuar lajmi se ajo do të hidhej në erë. Në kohën që kishte filluar falja e xhumasë në Xhaminë e Madhe, hyn në xhami përfaqësuesi i kishës katolike, i cili pret brenda xhamisë deri në fund të faljes dhe pas mbarimit të ritit, e pret myftiu (i atëhershëm) i Shkodrës (i ndjeri) H. Faik Hoxha, të cilët së bashku shkojnë në zyrën e Myftinisë Shkodër, ku bisedojnë dhe hedhin alternativat e mundshme, për t’i bërë ballë sfidës së prishjes së dialogut dhe dhunës së mundshme, që mund të shkaktohej nëse mund të ndodhte diçka e tmerrshme, siç mund të ishte hedhja në erë e faltoreve myslimane dhe katolike. Njëra prej alternativave të hedhura ishte ajo që pala katolike me priftin në krye të bënte roje në xhami gjatë natës, kurse pala myslimane me myftiun në krye të bënte roje në kishë, që nëse vinte ndonjë grup vandal, që kryente një veprim të tillë në emër të fesë, të gjente parinë e vet në objektin e kultit të palës tjetër. Por në fund u vendos që, meqenëse persona që mund të ndërmerrnin akte të tilla, s’mund të kishin lidhje kurrë me asnjë fe dhe ata për të kryer një aksion të tillë mund të hidhnin në erë edhe vetë prijësin e fesë, që mund t’i përkisnin, u vendos që besimtarët e secilës fe, të ruanin objektin e vet të kultit. Kështu atë natë u blinduan xhamia dhe kisha gati për llogore.
Megjithatë lajmi rezultoi i rremë dhe asgjë nuk ndodhi. Një zjarr për shkaqe që nuk dihen ra në kishën prej druri të një komuniteti të vogël ortodoks, që jeton në Shkodër, por absolutisht nuk u përdor si provokim. Më interesantja ndodhi kur kryetari i bashkisë Bahri Boriçi, së bashku më krerët e tre komuniteteve fetare në qytet, atij mysliman, katolik dhe ortodoks, të veshur këto tre me petkun e tyre fetar, me megafon në dorë, i bënin thirrje qytetarëve të Shkodrës rrugë më rrugë, rrugicë më rrugicë, për gjakftohtësi e maturi, duke mos rënë pre e provokime të ndryshme, për prishjen e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në qytetin e Shkodrës.
Ja ky është shembull unikal, ndoshta edhe në botë, dhe jo vetëm në Shqipëri dhe rajon, ku shteti i pafuqishëm në rend dhe mbrojtje, pushteti vendor, kërkon ndihmën e komuniteteve fetare për të ndikuar tek qytetarët në ruajtjen e qetësisë dhe të bashkëjetesës për mbarëvajtjen e jetës normale në metropolin e veriut të Shqipërisë.
Në Shkodër festat fetare janë festë për gjithë qytetin, atmosfera e të cilave mbizotëron kudo. Thuajse pa përjashtim, artistë, turistë e shkencëtarë të huaj kanë konfirmuar harmoninë e shkëlqyer ndërfetare në Shkodër. Kjo dëshmohet me shënimet e udhëtimeve, me relacione, me fragmente të tëra librash. Të huajt lavdërojnë me fjalë superlative dhe mahniten para kësaj harmonie. Dhe meritë për këtë kuptohet kanë udhëheqësit fetarë, të cilët i edukuan brezat dhe besimtarët e vet me këtë frymë, e cila sot na vjen si një vlerë e shtuar në kulturën tonë të pluhurosur nga ndikimet e ndryshme që kanë ardhur pas ’90.