Bazuar në statutin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, neni 12, pika a, ku thuhet se, “Këshilli i Presidencës do të përcaktojë Kryetarin e Këshillit të Presidencës çdo një vit sipas formulës së rrotacionit…”, për periudhën 1 janar 2025 – 31 dhjetor 2025, kryetar i KNFSH-së do të jetë kreu i Kishës Katolike të Shqipërisë Mons. Gjergj Meta (Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë dhe Arqipeshkv i Dioqezës së Rrëshenit), i cili vjen pas mandatit të Fortlumturisë së Tij Anastas Janullatos (Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë), i cili është dhe një nga themeluesit e KNFSH-së më 2007 dhe kryetar i Këshillit Ndërfetar për dy mandate (2018-2019 dhe 2024).
Mons. Gjergj Meta është kështu kryetari i shtatë i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, rotacion i cili nisi zbatimin në mbledhjen e 22 tetorit 2018, ku krerët e komuniteteve fetare riorganizuan KNFSH-në dhe përditësuan statutin, duke filluar kështu praktikisht dhe rotacionin e drejtimit të Këshillit Ndërfetar, miratuar nga Bordi i Presidencës, ku kreu i çdo komuniteti fetar kryeson KNFSH-në për një vit kalendarik.
Kush është Mons. Gjergj Meta?
Gjergj Meta është një figurë e shquar e Kishës Katolike Shqiptare, i lindur më 30 prill 1976 në Durrës. Ai ka ndjekur studimet filozofike dhe teologjike në Itali, ku përfundoi studimet në Fakultetin Teologjik të Puglias dhe mori formim të thelluar në Seminarin Ndërkrahisor Puliez “Piu XI”. Pas shugurimit si meshtar në 2001, ka shërbyer në pozita të ndryshme kishtare, fillimisht si zv/famullitar në Durrës dhe Tiranë, dhe më pas si administrator i Famullisë Katedrale të Shën Palit në Tiranë, famullitar në Kamëz Luz dhe Gramzë, dhe famullitar i Shën Luçisë në Durrës. Gjithashtu, ka pasur një rol të rëndësishëm si Dekan i Dekanatit Perëndimor dhe Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezës Tiranë-Durrës.
Në vitin 2017, u emërua Ipeshkëv i Dioqezës Rrëshen. Gjatë karrierës së tij, ka kontribuar gjithashtu në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke shërbyer si zëdhënës i Kishës Katolike Shqiptare dhe si anëtar i komisioneve të ndryshme, përfshirë ato për formimin teologjik, liturgjinë, kulturën dhe mbrojtjen e të miturve. Nga 2018 deri ne 2024 ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Kishës Katolike Shqiptare dhe President i disa komisioneve të rëndësishme brenda Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Ai gjithashtu është përgjegjës i Seksionit të “Baritore- Rinore” në Këshillin e Konferencave Ipeshkvore Evropiane.
Në tetor 2023, ai emërohet nga Papa Françesku, si anëtar i Sinodit të Ipeshkvinjëve mbi Sinodalitetin.
Ndërsa në vitin 2024 Mons. Gjergj Meta zgjidhet si President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, duke udhëhequr Kishën Katolike në vend dhe duke kontribuar në zhvillimin e saj në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Mons. Gjergj Meta ka gjithashtu një kontribut të shquar në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar. Për disa vite ai ka qenë gjithashtu dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.