Home
Krerët e bashkësive fetare apel Gjermanisë dhe Francës për hapjen e negociatave

Krerët e bashkësive fetare apel Gjermanisë dhe Francës për hapjen e negociatave

Krerët e bashkësive fetare në Shqipëri i bëjnë apel Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron të mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë

Në një letër të përbashkët drejtuar Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez Emmanuel Macron, krerët e bashkësive fetare në Shqipëri, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Skënder Bruçaj, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastasi, Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Katolike dhe Arqipeshkëv i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Presidenti i Vëllazërisë Ungjillore, Pastor Ylli Doçi, bëjnë apel për një vendim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Letra iu dorëzua sot Ministrit Ditmir Bushati nga drejtuesit e këtyre komuniteteve, në një takim në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Në këtë moment të një rëndësie të madhe, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë atë që kemi shprehur kohët e fundit në deklaratën tonë të përbashkët të datës 21 prill 2018: ne shqiptarët jemi pjesë e Evropës. Ne jemi pjesë e një historie që shtrihet në origjinën e Evropës. Është një histori që ka rrënjë mijëra vjeçare. Rrënjë të përbashkëta kulturore dhe sociale na lidhin. Jemi të bindur se rruga drejt Bashkimit Evropian përfaqëson dëshirën e kahershme të njerëzve tanë, si edhe vlerat e një shoqërie të lirë ku çdokush mund të ushtrojë të drejtat e tij e ndër to, e drejta e lirisë dhe besimit fetar është thelbësore. Ne i jemi mirënjohës Zotit për faktin se historia e popullit shqiptar ka treguar një jetëgjatësi të qëndrueshme të vlerës së respektit për dallimin fetar, duke jetuar së bashku në harmoni si një familje.”

“Rruga drejt Bashkimit Evropian është veçanërisht kritike për rininë tonë. Të rinjtë shqiptarë renditen mes euro-entuziastëve më të fuqishëm, e megjithatë ata ndjehen më të frustruar, sepse edhe pse jetojnë pranë shokëve të tyre evropianë, janë të përjashtuar nga të njëjtat mundësi. Ju bëjmë thirrje të pranoni dëshirën e sinqertë të të gjithë shqiptarëve, dhe të na mbështesni në angazhimin tonë të pakthyeshëm për një Shqipëri si pjesë e Evropës.

“Me lutje të zjarrtë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të mbetur mbështetës të palëkundur të vlerave evropiane të një shoqërie me liri, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë”. – Thuhet ndër të tjera në letrën që u hartua dhe u nënshkrua nga drejtuesit e bashkësive fetare.

“Ju keni dhënë shembullin më kuptimplotë që ne jemi evropianë dhe tani është momenti i duhur për secilin prej nesh të ndjekim shembullim tuaj” – u shpreh Ministri Bushati.

2018

Shpërndarja tregon përkujdesje!

Shqip
Këtë e pëlqejnë %d blogues: