Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën e Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan, kanë organizuar Forumin Ndërfetar “Roli i Rinisë dhe Gruas Ndërfetare në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit” me pjesëmarrjen e liderëve të komuniteteve fetare të Elbasanit, drejtues të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, si dhe anëtarë të Departamentit të Gruas dhe Rinisë në Këshillin Ndërfetar.
Aktiviteti është hapur me fjalën përshëndetëse të kryetarit të KNFSH-së H. Dede Edmond Brahimaj dhe më pas kanë përshëndetur përfaqësues të komuniteteve fetare të Elbasanit, Myftiu H. Agim Duka, At Stavri Çipi, Don Dorian Mjeshtri dhe Pastor Ilir Gjoni.
Në forumin e moderuar nga Dr. Arben Ramkaj, kryetar i Qendrës për Bashkëpunim, Elbasan, kanë folur dhe diskutuar Av. Sheldiana Jano për punën dhe kontributin e Departamentit të Gruas në Këshillin Ndërfetar, si dhe Alesio Sema, i cili ka sjellë rekomandime nga Departamenti i Rinisë në KNFSH, të dala nga workshopet e zhvilluara nga këto departamente.
Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së është ndaluar më pas në rolin e institucioneve fetare dhe atyre akademike të komuniteteve fetare në promovimin e dialogut ndërfetar, si një model për brezat e rinj të teologëve të të gjitha komuniteteve fetare.
Në fund të aktivitetit të pranishmit kanë folur dhe diskutuar rreth këtij modeli dhe rolit që duhet të luajnë gratë dhe të rinjtë në parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit.
Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të promovimit të vlerave universale, harmonisë dhe dialogut ndërfetar në vendin tonë, ku këtë radhë KNFSH është ndalur në qytetin e Elbasanit me përfaqësues të pesë komuniteteve fetare të tij.
Forumi Ndërfetar është zhvilluar me mbështetjen e GCERF (Global Community Engagement and Resilience Fund) me qendër në Zvicër./17.12.2021