Home
KNFSH pjesë aktive e panelit ndërkombëtar të “Religions for Peace”

KNFSH pjesë aktive e panelit ndërkombëtar të “Religions for Peace”

Në kuadër të 50-vjetorit të themelimit të Organizatës Ndërkombëtare “Religions for Peace”, ditën e sotme është zhvilluar Takimi i Dytë Ndërkombëtar online me këshillat ndërfetarë nga e gjithë bota, ku është diskutuar rreth disa modeleve dhe rritjes së gjithëpërfshirjes në këshillat ndërfetare.

Paneli i këtij takimi është hapur nga Sekretarja e Përgjithshme e “Religions for Peace” Prof. Azza Karam, e cila më pas ia ka dhënë fjalën panelistëve nga disa kontinente. Ndër panelistët e ftuar për të ndarë eksperiencën e dialogut ndërfetar në Shqipëri ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i KNFSH-së Dr. Genti Kruja, i cili ka folur për historikun e harmonisë ndërfetare në vendin tonë, bashkëpunimin shumëvjeçar të komuniteteve fetare, aktivitetet akademike në fushën e dialogut, si dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve dhe grave të të gjitha besimeve në disa projekte humanitare, siç ishte ai i fundit, në ndihmë të qindra familjeve në nevojë të zonës së tërmetit mbështetur nga “Religions for Peace”.

Në fjalën e mbajtur nga Zv/sekretari i Përgjithshëm z. Kyoichi Sugino, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është paraqitur si një model i një institucioni aktiv, i strukturuar me disa borde, ku të gjitha komunitetet fetare janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë.

Pikërisht për të folur për ketë temë dhe model ka qenë i ftuar edhe Dr, Kruja, i cili ka folur në emër të Drejtorisë Globale të Këshillave Ndërfetarë, duke ndarë me rreth 200 drejtues të institucioneve ndërfetare nga e gjithë bota, disa shembuj konkret të bashkëpunimit dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri./28.07.2020

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip