Home
KNFSH hap ekspozitë ndërfetare në Tiranë

KNFSH hap ekspozitë ndërfetare në Tiranë

Në kuadër të Forumit Rajonal dhe Trajnimit të Trajnerëve mbi nismën “Shared Sacred Flourishing”, u hap në Tiranë ekspozita ndërfetare kushtuar dialogut, bashkëjetesës paqësore dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet besimeve fetare në Shqipëri.

Ekspozita e hapur në Kryegjyshata Botërore Bektashiane- Selia e Shenjtë Tiranë u vizitua nga delegatë të Këshillave Ndërfetarë, komuniteteve fetare, si dhe rrjeteve të grave dhe të rinjve nga shtatë vende evropiane: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja. Nëpërmjet punimeve të paraqitura, vizitorët u njohën me këndvështrime dhe mesazhe të ndryshme mbi harmoninë ndërfetare, dinjitetin njerëzor, paqen dhe përgjegjësinë e përbashkët ndaj shoqërisë.

Gjatë vizitës, delegatët vlerësuan rolin e artit dhe të fotografisë si mjete të fuqishme për afrimin e njerëzve, kapërcimin e paragjykimeve dhe përcjelljen e vlerave të përbashkëta përtej dallimeve fetare, kulturore dhe kombëtare. Ekspozita krijoi gjithashtu një hapësirë të veçantë reflektimi dhe bashkëbisedimi ndërmjet pjesëmarrësve.

Veprimtaria ishte pjesë e programit rajonal të organizuar nga Religions for Peace International, ENIB Religions for Peace Europe dhe Religions for Peace Europe, në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë – Religions for Peace Albania, komunitetet fetare dhe partnerët kombëtarë e vendorë në Shqipëri.

Forumi Rajonal mblodhi përfaqësues të institucioneve fetare, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve publike, botës akademike dhe medias. Ai synoi forcimin e kapaciteteve të Këshillave Ndërfetarë të Evropës dhe nxitjen e veprimeve të përbashkëta në shërbim të paqes, mirëkuptimit dhe lulëzimit të përbashkët.

Hapja dhe vizita e ekspozitës dëshmuan edhe një herë se dialogu ndërfetar nuk zhvillohet vetëm nëpërmjet diskutimeve institucionale, por edhe përmes artit, kulturës dhe krijimtarisë, të cilat mund të ndërtojnë ura të qëndrueshme ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip