Home
Dialogu ndërfetar, vlera më e madhe e kombit shqiptar

Dialogu ndërfetar, vlera më e madhe e kombit shqiptar

Intervistë me Dr. Genti Kruja, sociolog dhe ekspert i Dialogut Ndërfetar

(botuar në Gazetën Shqiptare me dt. 20 korrik 2020)*

Dr. Kruja është pedagog i Sociologjisë dhe Dialogut Ndërfetar në Universitetin Bedër në Tiranë, ku mban edhe pozitën administrative të Shefit të Departamentit të Shkencave Islame. Ai ka studiuar në Universitetin Istanbul, Turqi, aty ku rektori i parë ishte Hoxha Tahsin. Masterin dhe doktoraturën e kreu në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës në fushën e Dialogut Ndërfetar. Ai ka botuar librin “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar” dhe shumë artikuj shkencorë në revista akademike brenda dhe jashtë vendit në fushën e dialogut dhe arsimit. Pas disa detyrash në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, në vitet 2010-2016, ka qenë Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH dhe prej vitit 2012 është kryeredaktor i Revistës Shkencore “Zani i Naltë”, themeluar në vitin 1923. Prej vitit 2018 Dr. Genti Kruja është zgjedhur gjithashtu Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

 

Dr. Kruja çfarë mund të na thoni për historinë e harmonisë ndërfetare te shqiptarët?

Shqiptarët janë një popull ku bashkëjetojnë të dyja fetë abrahamike, Krishtërimi dhe Islami. Secila nga të dyja besimet abrahamike ekzistojnë së bashku me komunitetet përkatëse. Myslimanë dhe të krishterë kanë jetuar në harmoni dhe kanë bashkëjetuar me njëri tjetrin. Vetë ekzistenca e objekteve të kultit, xhamive, kishave e teqeve pranë njëra tjetrës, simbolizon historinë e vendit tonë.

Në shkrimet e mendimtarëve dhe udhëpërshkruesve joshqiptarë gjenden mjaft karakterizime dhe dokumente për këtë çështje. Historiani italian Roberto della Rocca, në një referim të tij, shprehet:

“Pluralizmi paqësor fetar i Shqipërisë është një vlerë për vendin, për Ballkanin, për Evropën. Ai mund të jetë një model i bashkekzistencës në një Evropë me shumë fe, e cila ka vështirësi për të kuptuar enën e saj shkrirëse.”

Kjo do të thotë se në përmasat e pluralitetit fetar shqiptar vërehet qartazi se bashkekzistenca dhe harmonia fetare ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri bëhet më e lehtë për faktin, se ato lidhen edhe me disa karakteristika të veçanta, që kanë të bëjnë me shkallën e lartë të homogjenitetit të popullsisë, që ndan të njëjtat vlera kulture e gjuhe, pa përjashtuar diversitetin kulturor dhe subkulturat.

Në krijimin e një fryme tolerante, krahas besimeve fetare dhe përfaqësuesve të tyre ndër vite, ka ndikuar edhe trashëgimia socio-antropologjike e shqiptarëve, sistemi shoqëror tradicional dhe ai i vlerave. Faik Konica do të përforconte:  “Unë besoj se dihet gjithkund, që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare”.

Studiues të shumtë pohojnë se, harmonia ndërfetare është shfaqur si një përbërës i rëndësishëm i modelimit psikokulturor të shqiptarëve, duke kaluar drejt një vetëdije kombëtare për këtë vlerë. E ruajtur thellë në ndërgjegjen e besimtarëve, gjatë regjimit komunist feja kishte humbur përkohësisht vetëm klerin dhe shfaqjen e saj të jashtme, ceremoniale. Sistemi monist nuk mundi të depërtonte deri në thellësi të shpirtrave njerëzore. Kur ky sistem u përmbys, baza për ringjalljen e fesë ekzistonte e paprekur. Ajo u rishfaq me elegancë të pashoqe, duke rindërtuar me shpejtësi gjithçka, që ishte shkatërruar materialisht. Të persekutuar njëlloj nga regjimi komunist, të gjitha besimet fetare u paraqitën me tiparet e tyre të plota doktrinare dhe rituale. Diversiteti fetar u rishfaq kështu fare natyrshëm. ‘Të ndryshmit’ nga njëri-tjetri, ashtu si dikur, vazhduan të bashkëjetojnë në harmoni shembullore.

Përfundimi që del nga kjo përqasje e shkurtër historike, është se diversiteti nuk zhduket dot artificialisht dhe herët a vonë, nxjerr krye për ta kujtuar këdo se është i pranishëm dhe se me të duhet me u marrë seriozisht. Rrjedhimisht, studimi i diversitetit në çdo fushë, përcaktimi shkencor i përmasave dhe karakteristikave të tij në shkallë kombëtare, komunitare dhe individuale, përbën një domosdoshmëri për të prodhuar më shumë mirëkuptim midis njerëzve në një shoqëri të hapur demokratike.

Harmonia ndërfetare, që ekziston në Shqipëri është fryti një ndërveprimi të shkëlqyer midis diversitetit. Ajo ka krijuar kushte të mrekullueshme për një dialog ndërfetar në nivel kapilar, nëpërmjet të cilit të realizohet njohja e ndërsjellë e ‘ndryshimeve’ dhe pranimi i tyre si kusht për thellimin e këtij dialogu.

Tashmë në Shqipëri ka një institucion siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë. Çfarë përfaqëson ky institucion?

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është fryti i bashkëpunimit ndërfetar ndër vite i komuniteteve fetare në Shqipëri. Tradita e harmonisë ndërfetare në Shqipëri është disa shekullore dhe vjen nga thellësia e historisë tonë kombëtare.

Për këtë kemi dëshmi dhe dokumente të shumta, madje në arkivat tona kemi dhe foto që nga koha e pavarësisë dhe deri në ditët tona, ku prijësit fetarë gjenden bashkë jo vetëm në festa e urime, por edhe në momente historike të kombit shqiptar. Kështu që kjo traditë bashkëpunimi kishte ardhur koha që të zyrtarizohej nëpërmjet një institucioni, i cili u bë realitet në 2007, ndërsa ceremonia e themelimit u zhvillua më 22 tetor 2009 në prani të Presidentit të Republikës dhe të ftuarve të shumtë nga bota.

KNFSH u themelua nga katër krerët e komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri, H. Selim Muça, Kryepeshkopi Anastas, Mons. Rrok Mirdita dhe H. Dede Reshat Bardhi. Këshilli Ndërfetar është regjistruar si OJF në Gjykatën e rrethit Tiranë dhe në mbledhjen e Këshillit të Presidencës me dt. 22.10.2018 janë bërë disa ndryshime në statut, ku është miratuar dhe anëtarësia me të drejta të plota e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, duke u bërë komuniteti i pestë fetar në Këshillin Ndërfetar.

Ky institucion përbëhet nga Këshilli i Presidencës, i cili ka në përbërje krerët e pesë komuniteteve fetare, ku secili prej tyre kryeson presidencën me rotacion për një vit. Ky nen i statutit ka filluar zbatimin me ndryshimet statuore dhe riaktivizimin e këshillit në tetor 2018. Për vitin 2019, kreu i KNFSH-së ishte Kryepeshkopi Anastas, i cili në Asamblenë e X-të Botërore të organizatës “Religions for Peace” zhvilluar në Gjermani u rizgjodh si President Nderi i RfP-së. Ndërsa për vitin 2020, Presidencën e kryeson Mons. George Frendo, i cili edhe ai sapo është caktuar anëtar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar gjatë 5-vjeçarit të ardhshëm. KNFSH ka gjithashtu në përbërje Bordin Ekzekutiv, i cili përbëhet nga dy anëtarë nga secili komunitet. Ndërsa vitin e kaluar janë themeluar dhe dy departamente të reja, Departamenti i Rinisë dhe Departamenti i Gruas, i cili përbëhet nga anëtarë, përfaqësues të të gjitha komuniteteve fetare.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shpesh herë ka dalë me deklaratat të përbashkëta, duke dhënë mesazhe të qarta në dobi të shoqërisë shqiptare, si dhe mesazhe drejtuar politikës shqiptare, apo faktorit ndërkombëtar, duke u bërë një shembull i bashkëpunimit për të mirën e përbashkët. Dy nga këto deklarata mbajtur në vitin 2018 kanë patur një rëndësi të veçantë, e para me rastin e rekomandimit për hapjen e negociatave me BE-në, drejtuar Presidentit Makron dhe Kancelares Merkel, si dhe deklarata lidhur me angazhimin e përbashkët për dialogun ndërfetar, zhvilluar në një konferencë ndërkombëtare me 3 maj 2018 në Tiranë nga tre universitete të komuniteteve fetare në Shqipëri, Universiteti Bedër, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Universiteti Logos.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në tetor 2018 është vlerësuar gjithashtu me çmimin “De Mellon për të Drejtat e Njeriut” në Poloni, ku në ceremoninë e zhvilluar ky çmim iu dha drejtuesve të komuniteteve fetare të vendit tonë, me motivacionin “Për Vëllazëri Ndërfetare në Shqipëri”, ku në emër të tyre iu dorëzua kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçajt.

Muajt e fundit të izolimit për shkak të përhapjes së virusit kanë qenë sfiduese për komunitetet fetare. Si kanë reaguar komunitetet fetare, çfarë mund te thoni për këtë?

Komunitetet fetare në Shqipëri në një situatë të pazakontë në këto 30 vjet liri besimi kanë qenë të parat që kanë marrë masat, duke mbyllur përkohësisht objektet e kultit për falje dhe lutje masive, një gjë kjo e dhimbshme, për komunitetin e besimtarëve, sepse përkonte me Pashkët dhe Ramazanin, por e arsyeshme dhe e bazuar dhe fetarisht në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së besimtarëve dhe mbarë qytetarëve. Profeti Muhamed ka thënë se, në një vend ku ka rënë një epidemi, as mos shkoni dhe as mos dilni prej atij vendi, duke parandaluar kështu përhapjen e saj.

Me rihapjen e pothuajse çdo aktiviteti u rihapën dhe kryerja e riteve nëpër objektet e kultit, duke vazhduar ruajtjen e protokollove në mbrojtje të shëndetit të besimtarëve.

Komunitetet fetare i këshillojnë vazhdimisht besimtarët, që t’i përmbahen rregullave të vendosura nga OBSH dhe institucioneve shqiptare të shëndetit publik, të cilat janë në dobi të ruajtjes nga përhapja e virusit Covid 19.

Në një thënie profetike thuhet se çdo sëmundje e ka ilaçin e vet. Kështu që feja inkurajon gjithashtu shkencën drejt progresit për të zbuluar edhe ilaçin, apo vaksinën e këtij virusi, duke shpresuar te Zoti për shërimin e të prekurve nga ky virus dhe për largimin e saj nga mbarë shoqëria botërore. 

A ishte e vështirë për komunitetet fetare kjo situatë ndoshta e para pas komunizmit?

Normalisht që ishte një situatë e pazakontë në këto 3 dekada. Por të mos harrojmë se familjarët tanë gjatë kohës së komunizmit kanë agjëruar dhe janë lutur në fshehtësi në kushte dhune psikologjike dhe persekutimi. Kështu që kjo periudhë pranohet, si një kohë sprove dhe reflektimi.

Ne e kemi thënë dhe më parë se gjithsecili prej nesh, besimtari dhe ateisti, qytetari i thjeshtë dhe politika të bëjnë një reflektim, se çfarë mund të bëjmë më mirë me veten tonë, familjen tonë, vendin tonë.

Gjithsecili ka nevojë për përmirësim dhe ky përmirësim do të sjellë patjetër ndryshim në shoqëri, sepse ne kemi nevojë të reflektojmë, t’i bëjmë punët më mirë, të mendojmë më shumë dhe për tjetrin, të mos jemi kaq të pangopur dhe egoistë, ta duam më shumë natyrën dhe burimet e saj që vijnë prej ZOTIT dhe i kemi keqpërdorur, të jemi më pak shpërdorues dhe më afër nevojtarëve.

Njeriu është qenie e tillë, e cila sa herë ndodhet në vështirësi e ndjen më shumë nevojë e një prehjeje dhe qetësie shpirtërore. E kush më mirë se besimi në Zot ta jep këtë qetësi.

Kështu që njerëzit, duke qenë se kjo situatë përkoi dhe me festat fetare për të krishterë dhe myslimanë, ka shërbyer për më shumë solidaritet social dhe humanitar, por edhe për një kthim nga Zoti dhe përkujtim të të mirave të pafundme, që Ai na ka dhënë, siç është shëndeti dhe jeta, për të cilat duhet të kujdesemi më shumë, e sidomos shteti dhe organizmat shëndetësorë, që fatkeqësisht lënë shumë për të dëshiruar në fushën e shëndetësisë.

Para pak kohësh, janë publikuar gjetjet nga Sondazhi i Opinionit Publik “Besimi në Qeverisje”, i realizuar gjatë periudhës 15 nëntor – 6 dhjetor 2019 në 61 bashkitë e vendit. Sipas këtij sondazhi institucionet fetare janë institucionet shqiptare më të besuara, ku 65.6% e të anketuarve besojnë te to. Cilat janë arsyet pse shqiptarët kanë më shumë besim të institucionet fetare, më shumë se te cilido institucion tjetër dhe si e shpjegoni ju fenomenin e rritjes së besimit të qytetarëve shqiptarë tek institucionet fetare?

Besimi është një dukuri e ndërlikuar, dinamike, e kushtëzuar dhe e varur nga konteksti. Besimi është pritshmëria se objekti i besimit do të prodhojë rezultate pozitive. Besimi tek institucionet publike konsiderohet kështu si qëndrim. Besimi në institucione interpretohet si besimi tek organizmat shtetërorë si parlamenti, qeveria, policia, gjykatat, institucionet publike të pavarura dhe tek organizatat jo-shtetërore si media, organizatat fetare dhe ato joqeveritare.

Hulumtimi i besimit tek institucionet ka rëndësi, sepse perceptohet si tregues kryesor i mirëqenies së individit dhe shoqërisë dhe një kusht themelor i veprimit dhe bashkëpunimit kolektiv. Rezultatet e sondazhit mendoj se kanë të bëjnë dhe me performancën e komuniteteve fetare në përgjithësi gjatë gjithë këtyre viteve. Tashmë jemi në përvjetorin e lirisë së besimit, ku këtë vit mbushen 30 vite nga rihapja e objekteve të kultit dhe institucionet fetare në vend, të cilët kanë një kontribut të jashtëzakonshëm kryesisht në arsim, në mirëqenien ekonomike dhe shpirtërore të shoqërisë, duke ngjallur shpresën dhe forcën e pozitivizmit për një jetë më të mirë.

Komunitetet fetare në Shqipëri kanë një histori të gjatë kontributi nëpërmjet drejtuesve kryesorë të tyre, sidomos në shtetformim, arsim, kulturë, por edhe në politikë.

Figura të shquara klerikale si H. Vehbi Dibra, Dom Nikoll Kaçorri, Fan Noli, Nijazi Dede, Motrat Qiriazi, etj. Lanë gjurmë në historiografinë shqiptare. Shumë klerikë patën poste drejtuese në vend. H. Vehbi Dibra kryetari i parë i Kuvendit dhe më pas kryetari i parë i KMSH-së, Fan Noli, kryeministër dhe Kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Hafiz Xhemal Naipi, kryetar parlamenti, H. Ali Korça, H. Ali Kraja, etj. Më pas kemi periudhën e errët të komunizmit. Këta ishin dhe modeli më i mirë i shërbimit ndaj atdheut dhe fesë. 

Sipas sondazhit, ata me nivel të lartë arsimor kishin më shumë besim tek institucionet. Si e shpjegoni këtë?

Arsimi është shumë i rëndësishëm për një shoqëri. Arsimi është një siguracion për jetën individuale dhe familjare. Për rrjedhojë të arsimuarit janë të prirur të kenë më shumë besim te institucionet në përgjithësi. Të kesh një diplomë, është një garanci, një çelës, që ty mund të hapen më shumë dyert e punësimit dhe të kesh një të ardhme më të sigurtë. Bashkë me këtë vlerëson më shumë dhe institucionet dhe rrugëzgjidhjet, që të japin ato për punët, apo sfidat e jetës. Krahas këtyre mendoj se të arsimuarit janë më koshientë dhe janë përballur më shumë me institucionet dhe gjithashtu dinë dhe kontributin edhe të institucioneve fetare në arsim.

Komunitetet fetare kanë një bashkëpunim zyrtar shekullor, por kemi dhe një bashkëjetesë ndërfetare, që vjen prej shekujsh. Ajo që po mundohemi të bëjmë vitet e fundit është bashkëpunimi akademik ndërfetar midis shkollave teologjike dhe universiteteve të komuniteteve fetare në Shqipëri. Si drejtues i Departamentit të Shkencave Islame, prej pesë vitesh ne kemi organizuar 9 simpoziume ndërfetare midis Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Akademisë Teologjike Ortodokse në Universitetin Logos dhe Institutin Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian. Ne jemi gjithashtu drejt finalizimit të një masteri të përbashkët në fushën e dialogut ndërfetar midis 3 universiteteve, si dhe kemi disa të diplomuar, që po vazhdojnë studimet pasuniversitare në SHBA dhe Europë, master dhe doktoraturë në dialogun ndërfetar.

Shumë qytetarë janë në kufijtë e mbijetesës, çfarë po bën KNFSH për t’i ardhur në ndihmë këtyre shtresave?

Komunitetet fetare prej tre dekadash të ringritur nga hiri i persekutimit dhe shkatërrimit komunist kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në shoqërinë shqiptare dhe përtej saj, sidomos në arsim, ku kanë edukuar qindra mijëra të rinj, si qytetarë të dobishëm të vendit të tyre, por edhe të botës.

Janë pikërisht këto të rinj dhe të reja, pjesë e komuniteteve fetare, që kanë marrë nisma për të ndihmuar sadopak familjet në nevojë. Komunitetet fetare kanë databaset më të rregullta në çdo cep të Shqipërisë, ku shërbejnë, jo vetëm me objektet e kultit, por edhe me institucionet arsimore dhe humanitare të tyre.

Në ditët e pas tërmetit shumë kisha, xhami dhe teqe janë bërë vendstrehim, jo vetëm për disa familje, që humbën shtëpitë në tërmetin e nëntorit 2019, por edhe pika shpërndarje të ndihmave humanitare. Departamenti i Rinisë dhe Departamenti i Gruas në shkurt të këtij viti zhvilloi një aktivitet social dhe kulturor për fëmijët jetimë të zonës së tërmetit. Ndërsa së fundmi ka iniciuar nismën e gjendjes pranë qindra familjeve në nevojë me paketa humanitare. Ky projekt ka nisur me ndihmën ndaj familjeve të fëmijëve jetimë të zonës së tërmetit në rrethin e Kurbinit, si dhe shumë familjeve të tjera në gjendje të vështirë ekonomike të zonës së Kurbinit, Durrësit dhe Tiranës, të prekur dhe nga dëmet e tërmetit të vitit të kaluar, si dhe të vënë dhe më shumë në vështirësi për shkak të përhapjes së virusit Covid 19 në vendin tonë.

Ky projekt humanitar vjen si një bashkëpunim i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me partnerë ndërkombëtarë, siç është organizata më e madhe botërore në fushën e paqes dhe dialogut, akredituar dhe nga OKB, “Religions for Peace” me qendër në New York, SHBA.

Nisma është çelur me shpërndarjen e ndihmave për familjet e jetimëve në Laç, aktivitet i zhvilluar nga KNFSH në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Jetimëve të Shqipërisë. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të komuniteteve fetare, drejtues të bashkisë Kurbin, shoqërisë civile dhe përfaqësues të medias.

KNFSH tashmë është në ndjekje të disa projekteve me karakter humanitar, social, kulturor dhe më gjerë në kuadër të bashkëpunimit ndërfetar, duke rritur kapacitetet e aktivizimit të grave dhe të rinjve myslimanë e të krishterë, si fuqi e ndryshimit pozitiv dhe promovimit të dialogut ndërfetar në Shqipëri dhe përtej saj.

Cilat janë platformat që Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë po promovon dialogun ndërfetar?

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë është aktiv në pjesëmarrje në shumë aktivitete të ndryshme akademike ndërfetare, brenda dhe jashtë vendit, duke dhënë kontributin në promovimin e dialogut dhe modelit të bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri.

Vitin e kaluar KNFSH, është ftuar në disa takime dhe mbledhje ndërkombëtare zhvilluar në Berlin, Bruksel, Varshavë dhe Nju Jork. Ndërsa eventi më i rëndësishëm ishte pjesëmarrja në Asamblenë e X-të Botërore të Organizatës “Religions for Peace”, mbajtur në Lindau të Gjermanisë me pjesëmarrjen e Presidentit Federal të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, të cilin pata rastin dhe ta përshëndes. Si KNFSH ne ishim pjesëmarrës me delegatët tonë me të drejtë vote dhe ku dërguam dhe rekomandimet tona, të cilat dolën nga Konsultimet Kombëtare të zhvilluara në qershor 2019 me pjesëmarrjen e të gjitha instancave të Këshillit Ndërfetar.

KNFSH, si një institucion i një rëndësie të veçantë çdo vit përmendet edhe në raportin e lirisë së besimit, që publikohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke theksuar rolin e këtij institucioni në promovimin e dialogut ndërfetar.

Burimi: http://gazetashqiptare.al/2020/07/20/dialogu-nderfetar-vlera-e-madhe-e-kombit-shqiptar/

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip