Home
KNFSH organizon Forumin Ndërfetar të Beratit

KNFSH organizon Forumin Ndërfetar të Beratit

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë zhvilloi më 31 tetor 2026, në Berat, Forumin Ndërfetar në kuadër të Konsultimeve Kombëtare mbi botëkuptimet e traditave fetare dhe lulëzimin e përbashkët shpirtëror. Takimi mblodhi drejtues e përfaqësues të komuniteteve fetare, deputetë, përfaqësues të pushtetit vendor, intelektualë, si dhe anëtarë të Këshillit Ekzekutiv dhe të Departamenteve të Gruas dhe Rinisë të KNFSH-së.

Në qytetin ku kishat, xhamitë, teqetë dhe traditat shpirtërore janë pjesë e një trashëgimie të përbashkët, pjesëmarrësit diskutuan përgjegjësinë për ruajtjen e harmonisë fetare dhe mundësitë për ta shndërruar dialogun në bashkëpunim konkret për familjen, të rinjtë dhe shoqërinë.

Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, H. Dede Baba Edmond Brahimaj, theksoi se traditat fetare krijojnë hapësira mirëkuptimi kur përcjellin mëshirë, drejtësi, dashuri dhe përgjegjësi ndaj tjetrit.

“Dialogu ndërfetar nuk na kërkon të jemi të njëjtë; na kërkon të dimë ta respektojmë njëri-tjetrin në ndryshimet tona dhe të bashkëpunojmë për të mirën e përbashkët”, u shpreh ai. Kryegjyshi nënvizoi se lulëzimi i përbashkët shpirtëror lidhet me dinjitetin e çdo njeriu, shpresën, përfshirjen dhe mundësinë për të kontribuar në shoqëri.

Prof. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së dhe President i Religions for Peace Europe, e vendosi takimin në vazhdimësi të Forumit Rajonal dhe Trajnimit të Trajnerëve të zhvilluar në korrik në Tiranë, me pjesëmarrës nga shtatë vende evropiane. Ai falënderoi komunitetet fetare të Beratit për mikpritjen, si dhe Religions for Peace International dhe rrjetin evropian të këshillave ndërfetare për bashkëpunimin.

Ai theksoi se koncepti i lulëzimit të përbashkët lidh jetën shpirtërore me marrëdhëniet njerëzore, mirëqenien shoqërore, kujdesin për natyrën dhe respektimin e së shenjtës së tjetrit. Në këtë kuadër, ai ngriti nevojën për hapa të realizueshëm në mbështetje të të rinjve dhe familjeve në vështirësi, kundër gjuhës së urrejtjes dhe për forcimin e besimit mes njerëzve. Ai vlerësoi gjithashtu përfshirjen e grave dhe të rinjve në zgjerimin e bashkëpunimit ndërfetar.

Myftiu i Qarkut Berat, H. Bilbil Talla, vlerësoi traditën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë mes komuniteteve fetare të qytetit. Ai theksoi përgjegjësinë e përbashkët për ta ruajtur këtë trashëgimi dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj përmes edukimit dhe bashkëpunimit në shërbim të shoqërisë.

Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti, e përshkroi traditën ndërfetare të qytetit si një frymë vëllazërore që shkon përtej tolerancës. Ai theksoi se çdo brez ka përgjegjësinë ta mbrojë dhe ta zhvillojë këtë pasuri, përmes njohjes dhe respektimit të tjetrit përtej stereotipeve. Sipas tij, ky angazhim përfshin çdo anëtar të bashkësive fetare, ndërsa strukturat e KNFSH-së ofrojnë një shembull të bashkëjetesës në veprim.

Një dëshmi personale solli Dom Paolo Marasco, famullitar i Beratit, i cili përshëndeti edhe në emër të Administratorit Apostolik të Shqipërisë së Jugut, At Flavio Cavallini. Ai ndau kujtime nga miqësia me drejtuesit myslimanë dhe ortodoksë të qytetit, vizitat e ndërsjella gjatë festave dhe mbështetjen që bashkësia e vogël katolike ka gjetur te komunitetet e tjera. Përvoja e tij solli në vëmendje fytyrën njerëzore të dialogut, të ndërtuar përmes mikpritjes, afërsisë dhe miqësisë së përditshme.

Në diskutimet e forumit morën fjalën Kryetar i Bashkisë Kuçovë z. Kreshnik Hajdari, deputetët Fadil Nasufi, Hatixhe Konomi dhe Zija Ismaili; si dhe Kasion Hasimetaj, Kryetar i Partisë Demokratike, Dega Berat. Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, kërkoi më shumë bashkëpunim në terren dhe shprehu gatishmërinë për organizimin e takimeve sensibilizuese, bashkëbisedimeve me komunitetet fetare, veçanërisht për brezin e ri.

Gjatë diskutimeve u ngritën edhe çështje që lidhen me forcimin e familjes, përgjegjësinë prindërore, kthimin e pronave të komuniteteve fetare dhe nevojën për konsultim më të ngushtë ndërmjet institucioneve publike dhe bashkësive fetare.

Forumi përcolli thirrjen që trashëgimia e bashkëjetesës të ushqehet përmes edukimit, marrëdhënieve njerëzore dhe veprimtarive të përbashkëta. Gatishmëria e shprehur për nisma lokale krijoi mundësi për vijimin e bashkëpunimit në shërbim të komunitetit.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip