Tiranë, 10 shtator 2026 – Fushata “Paqe dhe Harmoni”, e zhvilluar në kuadër të projektit “Shpërndarje mesazhesh nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri”, u përmbyll në Tiranë, duke sjellë në vëmendje rolin e komunikimit strategjik, të komuniteteve fetare dhe të aktorëve shoqërorë në forcimin e qëndrueshmërisë ndaj ekstremizmit të dhunshëm.
Aktiviteti përmbyllës u organizua nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, Qendra e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Qendra Ndërkombëtare Hedayah, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, në kuadër të programit “Forcimi i Qëndrueshmërisë ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm” (STRIVE II).
Në aktivitet morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, institucioneve shtetërore, Bashkimit Evropian, organizatave ndërkombëtare, botës akademike, shoqërisë civile dhe medias. Diskutimet u përqendruan në rezultatet dhe ndikimin e fushatës, mësimet e nxjerra gjatë zbatimit të saj dhe mundësitë për vijimin e bashkëpunimit.

Seanca e fjalëve përshëndetëse dhe hapëse u moderua nga Av. Sheldiana Jano Agaraj, anëtare e Bordit Ekzekutiv të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, e cila prezantoi folësit dhe drejtoi diskutimet ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve, komuniteteve fetare dhe organizatave partnere.
Të pranishmëve iu drejtuan znj. Lejdi Dervishi, Drejtore e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm; z. Davide Casale, përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri; Kryetari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, H. Dede Edmond Brahimaj; Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu; At Grigor Pelushi, Drejtor i Radios “Ngjallja” dhe përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Mons. Gjergj Meta; Kryetari i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Erion Sylari; si dhe Presidenti i Religions for Peace Europe dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja.

Në fjalët e tyre, drejtuesit dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërfetar dhe institucional për përcjelljen e mesazheve të paqes, respektit, solidaritetit dhe bashkëjetesës.
H. Dede Edmond Brahimaj vlerësoi punën e realizuar në kuadër të projektit dhe rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, komuniteteve fetare dhe aktorëve shoqërorë.
“Lufta kundër ideologjive të dhunshme fillon shumë më herët se momenti kur shfaqet dhuna. Ajo fillon me edukimin, me respektin për tjetrin dhe me aftësinë për të dialoguar me atë që mendon ndryshe”, u shpreh ai.
Kryegjyshi Botëror theksoi se paqja nuk është vetëm mungesë e konfliktit, por një mënyrë jetese e mbështetur në dinjitetin njerëzor, drejtësinë, mëshirën dhe përgjegjësinë ndaj tjetrit.
“Paqja nuk ka një fushatë të vetme. Paqja është një mision i përditshëm. Dhe harmonia është një vlerë që duhet ta mbjellim sot, që ta korrin brezat e nesërm”, deklaroi H. Dede Edmond Brahimaj.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, vlerësoi kontributin e komuniteteve fetare në edukimin moral të shoqërisë dhe në përcjelljen e mesazheve që nxisin paqen, mirëkuptimin dhe respektin për tjetrin.
Ai theksoi se komunitetet fetare duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë me institucionet, shkollat dhe familjet, në mënyrë që të rinjtë të orientohen drejt dialogut, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare.
Në përshëndetjen e Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Joan, të lexuar nga At Grigor Pelushi, u theksua se dialogu i sinqertë nuk i fsheh dhe nuk i shuan dallimet ndërmjet traditave fetare, por krijon mundësinë që ato të bashkëpunojnë në mbrojtje të jetës dhe dinjitetit njerëzor.
“Paqja dhe harmonia nuk kërkojnë që të bëhemi të gjithë të njëjtë. Kërkojnë që, duke mbetur besnikë ndaj bindjeve tona, të flasim me ndershmëri, të dëgjojmë me respekt dhe të bashkëpunojmë për të mirën e përbashkët”, theksohej në fjalën e Kryepeshkopit.
Mons. Gjergj Meta e cilësoi paqen jo vetëm si mungesë të konfliktit, por si fryt të drejtësisë, respektit për dinjitetin njerëzor, solidaritetit dhe përgjegjësisë ndaj tjetrit. Ai theksoi se, në një kohë kur komunikimi zhvillohet gjithnjë e më shumë në hapësirën digjitale, fjala mund të përdoret për të afruar dhe krijuar besim, por edhe për të përjashtuar dhe nxitur ndarje.
Sipas Mons. Metës, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka luajtur një rol të rëndësishëm si urë bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve fetare, institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Shqipëria ka një trashëgimi të çmuar të bashkëjetesës ndërfetare. Megjithatë, kjo trashëgimi nuk duhet marrë si diçka e garantuar përgjithmonë. Ajo duhet ruajtur dhe përtërirë çdo ditë përmes edukimit, bashkëpunimit dhe një komunikimi që vendos në qendër njeriun dhe dinjitetin e tij”, u shpreh Mons. Meta.
Pastor Erion Sylari theksoi se paqja nuk ndërtohet vetëm përmes fjalëve, por sidomos përmes marrëdhënieve të sinqerta, respektit të ndërsjellë dhe veprimeve të përbashkëta. Ai nënvizoi se të rinjtë dhe gratë nuk duhet të shihen vetëm si përfitues të veprimtarive, por si partnerë, udhëheqës dhe bartës të ndryshimit.
“Përmbyllja e kësaj fushate nuk duhet të jetë fundi i angazhimit tonë. Ajo duhet të shërbejë si një pikënisje për më shumë nisma në shkolla, komunitete fetare dhe hapësira publike”, deklaroi Pastor Sylari.

Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja shprehu mirënjohjen e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për të gjithë partnerët dhe aktorët që kontribuuan në realizimin e fushatës. Ai theksoi se përmes këtij programi është synuar që mesazhet e paqes të mos mbeten vetëm brenda institucioneve, por të arrijnë te qytetarët dhe veçanërisht te brezi i ri.
“Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë bashkon punën dhe përvojën e pesë komuniteteve fetare të vendit tonë. Detyra jonë nuk është vetëm ta përmendim modelin shqiptar të bashkëjetesës, por ta ruajmë, ta zhvillojmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj”, u shpreh Prof. Kruja.
Z. Davide Casale, përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, komuniteteve fetare dhe organizatave partnere në parandalimin dhe kundërvënien ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Ai nënvizoi rëndësinë e komunikimit strategjik dhe të angazhimit të komuniteteve për forcimin e kohezionit social dhe të qëndrueshmërisë së shoqërisë.
Znj. Lejdi Dervishi theksoi se parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm kërkon një qasje të përbashkët, ku, krahas institucioneve të sigurisë, një rol të rëndësishëm luajnë shkollat, shoqëria civile dhe komunitetet fetare.
“Shqipëria ka një pasuri të çmuar, traditën e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Por kjo pasuri duhet të ruhet dhe të përcillet te brezi i ri”, u shpreh znj. Dervishi.
Sipas saj, suksesi i një fushate të tillë nuk matet vetëm me numrin e shikimeve dhe shpërndarjeve, por edhe me reflektimin që krijon një mesazh, bisedat që nxit dhe qëndrimet që arrin të ndryshojë. Ajo theksoi nevojën për vijimësinë e komunikimit, veçanërisht me të rinjtë dhe në mjediset shkollore.

Katër produkte audiovizive për paqen dhe bashkëjetesën
Znj. Lilah Elsayed, Oficere e Programit në Hedayah, paraqiti një përmbledhje të projektit dyvjeçar “Shpërndarje mesazhesh nga udhëheqësit fetarë dhe të komunitetit në Shqipëri”, të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit STRIVE II.
Ajo prezantoi qëllimin dhe objektivat e projektit, aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve, si dhe modelin e Hedayah-ut për shpërndarjen e mesazheve, të mbështetur në katër faza: planifikimi, prodhimi, promovimi dhe vlerësimi.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua prezantimit të katër produkteve audiovizive të realizuara nga aktorët fetarë dhe komunitarë të përfshirë në projekt.
Av. Sheldiana Jano Agaraj prezantoi videon ndërgjegjësuese kushtuar bullizmit online dhe offline, me fokus të veçantë te të rinjtë e grupmoshës 18–24 vjeç.
Znj. Sonila Rembeci prezantoi videodëshminë e Dom Kreshnik Ivanit, e cila promovon njohjen reciproke, respektin dhe bashkëjetesën paqësore ndërfetare.
Z. Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, prezantoi videodëshminë e Imam Shpëtim Seranajt, kushtuar rolit të udhëheqësve fetarë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe në përcjelljen e orientimeve pozitive në komunitet.
Dr. Hysni Skura prezantoi podkastin e realizuar në format audio dhe video, i cili trajton bashkëjetesën ndërfetare, qëndrueshmërinë e komuniteteve dhe narrativat pozitive të mbështetura në vlerat e besimit.
Katër produktet audiovizive trajtuan bullizmin, bashkëjetesën ndërfetare, rolin e udhëheqësve fetarë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe rëndësinë e narrativave pozitive për paqen, respektin dhe kohezionin social.
Imam Shpëtim Seranaj, i pranishëm në sallë solli dëshmi të punës së tij, reflektuar dhe në video. Po ashtu fjalën e mori edhe Dr. Thoma Shkira, anëtar i Bordit Ekzekutiv në KNFSH.

Rreth 560 mijë qytetarë të angazhuar
Eksperti i komunikimit strategjik, z. Gjergji Hamiti, prezantoi identitetin e fushatës, grupet e synuara, mesazhet kryesore, përcjellësit e mesazheve, kanalet e komunikimit, të dhënat analitike dhe ndikimin e arritur.
Fushata “Paqe dhe Harmoni” u zhvillua për gjashtë javë dhe u mbështet në katër faza: planifikim, prodhim, promovim dhe vlerësim.
Mesazhet e saj u shpërndanë përmes rrjeteve sociale, televizioneve, mediave online, reklamimit në hapësirat publike dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese në shkolla.
Sipas të dhënave të prezantuara gjatë aktivitetit, fushata arriti të angazhojë rreth 560 mijë qytetarë në të gjithë Shqipërinë. Aktivitetet ndërgjegjësuese u zhvilluan në 16 shkolla, ku u shpërndanë rreth 3 mijë fletëpalosje dhe 100 postera, duke përfshirë më shumë se 5.200 nxënës. Ndërkohë, gjashtë media online gjeneruan një audiencë shtesë prej rreth 20 mijë lexuesish.
Aktiviteti u përmbyll me fjalët e znj. Lejdi Dervishi dhe z. Eddy Greif, Këshilltar Rajonal i Bashkimit Evropian për Luftën Kundër Terrorizmit dhe Parandalimin dhe Kundërvënien ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm.
Z. Greif vlerësoi rëndësinë e reagimit të shpejtë ndaj përmbajtjeve që nxisin radikalizimin, veçanërisht në rrjetet sociale, duke nënvizuar nevojën për komunikim strategjik dhe fushata të vazhdueshme ndërgjegjësuese.
Më pas u zhvillua një seancë vlerësim me përfaqësuesit e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Hedayah, Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe aktorëve fetarë e komunitarë të përfshirë në projekt, që nga fillimi i tij në vitin 2024.
Gjatë seancës u diskutuan ndikimi dhe rezultatet e programit dyvjeçar, mësimet e nxjerra, mundësitë për vijimin e bashkëpunimit dhe hapat e mëtejshëm.
Fushata “Paqe dhe Harmoni” përbën një shembull konkret të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, komuniteteve fetare dhe partnerëve ndërkombëtarë për forcimin e kohezionit social dhe ndërtimin e komuniteteve më të sigurta dhe më të qëndrueshme.
