Home
STATUTI

STATUTI

STATUTI

QENDRA  “KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË”

Sipas Legjislacionit shqiptar, Ligjit Nr. 8788 datë 07. 05. 2001;  “Për Organizatat Jo –Fitimprurëse” dhe Ligji Nr. 8789 datë 07. 05. 2001 “Për Regjistrimin e Organizatave Jo –Fitimprurëse”:

 

Ne, Anëtarët e Komuniteteve Fetare; miratojmë këtë statut si më poshtë vijon:

 

KREU  I

 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Forma e Organizatës

 

“KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË” është organizuar në formën e një Qendre jo-fitimprurëse, jo-qeveritare, jo-politike; të pavarur, pa anëtarësi dhe që e ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga organet dhe interesat shtetërore.

 

Neni 2

 Emri, Sigla dhe Selia 

  1. Qendra do te quhet “KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË”
  2. Sigla: KNFSH (Akronim)
  3. Selia: Qendra do të ketë selinë e saj qendrore në Tiranë në adresën: Rruga e Kavajës, nr. 151, Tiranë

 

Neni 3

Vula dhe Stema e Organizatës

  1. Qendra do të ketë vulën dhe stemën e saj të veçantë e cila do të identifikojë çdo dokument që i përket Qendrës.
  2. Përdorimi i vulës dhe stemës fillon që nga data e fitimit të personalitetit juridik të Qendrës.
  3. Vula dhe stema e organizatës njihen dhe pranohen nga të tretët duke filluar nga data e regjistrimit ne Gjykatë.

Vula e organizatës është e rrumbullakët, në dy rrathë:

Në rrethin e jashtëm shkruhet lart: “KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË”

Dhe në pjesën e poshtme, midis dy degëve të ullirit shkruhet “SHQIPËRI ALBANIA”

Në rrethin e brendshëm në sfond është harta e Shqipërisë ku shkruhet (akronimi) ‘KNFSH’ dhe nën të ‘TIRANA’.

Stema e organizatës (logo) është: Dy degët e ullirit që kurorëzojnë inicialet “KNFSH”, të cilat kanë për sfond hartën e Shqipërisë dhe janë vendosur mbi një pergament, ku shkruhet “KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË”

 

Neni 4

Anëtarët

a) Anëtarët themelues, historik të krijimit të saj janë si më poshtë vijon:

  1. Shkëlqesia e Tij, H. Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
  2. Fortlumturia e tij Anastas, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë
  3. Shkëlqesia e Tij Mons. Rrok Mirdita President i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë – Durrës
  4. Dede Reshat Bardhi, Kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Komuniteti Bektashian i Shqipërisë

b) Këshilli Ndërfetar ka aktualisht këta anëtarë legjitim:

  1. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë Kryetari Shkëlqesia e Tij Skender Bruçaj
  2. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos
  3. Kisha Katolike President i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë – Durrës George Frendo
  4. Kryegjyshata Botërore Bektashiane H. Dede Edmond Brahimaj
  5. Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë Pastor Ylli Doçi

      

Neni 5

Qëllimi

 Qendra “KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË” më poshtë e quajtur KNFSH(Akronim), është një bashkim vullnetar i komuniteteve fetare, e cila ka si qëllim kryesor:

  1. Promovimin e njohurive, vlerave dhe parimeve midis komuniteteve fetare, që kanë të bëjnë me ndërtimin e një shoqërie paqësore dhe të drejtë në Shqipëri.
  2. Promovimin e një modeli social, kulturor, profesional për komunitetet fetare në Shqipëri
  3. Integrimi i komuniteteve fetare ne jetën shoqërore duke diskutuar dhe dhënë opinione për fushat e interesit dhe shqetësimit të përbashkët. 
  4. Planifikimin dhe zbatimin e programeve veprimi të përbashkëta, të bazuara në angazhime morale të përbashkëta në Shqipëri.
  5. Pjesëmarrja dhe përfshirja e komunitetit fetar ne vendim – marrje në çështjet që kanë lidhje me të drejtat e tyre, duke promovuar respekt për traditat unike dhe ndryshimet në besim dhe veprim.

Këto qëllime do të realizohen nëpërmjet programeve, projekteve dhe veprimtarive të tjera që mbështeten në pjesëmarrjen dhe përfshirjen e anëtarëve të komuniteteve fetar tradicionale në Shqipëri, vendimmarrje dhe implementimin e projekteve, si një hap thelbësor për pjesëmarrje dhe mundësi të barabarta të këtyre komuniteteve në shoqërinë Shqiptare.

 

Neni 6

Fushat e Veprimtarisë

 Në përputhje me qëllimet e Qendrës, fushat e aktivitetit janë si më poshtë:

  1. Identifikimin e parametrave ekzistues të nivelit të kooperimit shoqëror të ndërsjelltë dhe përcaktimin e rrugëve dhe metodave që çojnë në afrimin dhe zgjidhjen e problemeve që lidhen me të, nëpërmjet organizimit të studimeve, anketimeve , sondazheve, e të tjera.
  2. Investigimin dhe identifikimin e shkeljeve të të drejtave të individëve apo grupeve fetare për integrim dhe bashkëveprim harmonik në shoqëri.
  3. Përgatitjen e strategjive qe do të mundësojnë krijimin e koncepteve bashkëkohore të përparuara në favor të zhvillimit dhe integrimit në shoqëri të individëve dhe grupeve të komuniteteve fetare tradicionale.
  4. Dhënien e ndihmës multidisiplinore : psikologjike, sociale, juridike, ekonomike etj, për mbështetjen e individë, grupeve të grupeve të komuniteteve fetare tradicionale që vuajnë disfunksionet e shkaktuara nga mungesa e integritetit dhe integrimit dhe zhvillimit social.
  5. Bashkëpunim dhe shkëmbim përvoje me partnerë të sigurtë: organizata, institucione qeveritare dhe joqeveritare, persona private dhe juridikë, vendas dhe të huaj, si dhe me organizma te tille nga vende te ndryshme te botës, për zhvillimin e projekteve në ndihmë të realizimit të synimeve dhe objektivave.
  6. Të realizojë publikime të materialeve ndihmëse, vetëm ose në bashkëpunim me institucionet e tjera, të përcaktuara në këtë statut.
  7. Të ndihmojë nëpërmjet trajnimeve, seminareve dhe konferencave, grupet e komuniteteve fetare tradicionale duke ngritur struktura profesionale qe të zhvillojnë njohuritë e tyre në të gjitha fushat.

Të gjitha veprimet e Qendrës mund të kryhen në bashkëpunim me agjencitë përkatëse shtetërore, organizata ndërkombëtare dhe ndërqeveritare.

Neni 7

Veprimtaria Ekonomike 

  1. Qendra “KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË, për realizimin e qëllimeve dhe objektet e veprimtarisë së saj, ka të drejtë të ushtrojë veprimtari ekonomike.
  2. Qendra mund të zhvillojë veprimtari ekonomike pa qenë nevoja që të krijojë një subjekt të veçantë për këtë qëllim, me kusht që kjo veprimtari të jetë në përputhje me qëllimet e organizatës jofitimprurëse, të jetë deklaruar si një nga burimet e të ardhurave dhe me kusht që kjo veprimtari të mos përbëjë qëllimin primar të veprimtarisë së organizatës.
  3. Nëse organizata jofitimprurëse, nëpërmjet ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, realizon fitime, ato duhet të përdoren për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara në statut dhe në aktin e themelimit.

 

Neni 8

Ndalimi i shpërndarjes së fitimeve 

  1. Të ardhurat nga aktiviteti i ligjshëm i Qendrës “KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË” do të përdoren ekskluzivisht për zhvillimin dhe kohëzgjatjen e objektivave të kësaj organizate.
  2. Nuk lejohet asnjë formë e shpërndarjes së fitimit ose e përfitimit financiar dhe material nga të ardhurat dhe fitimet e organizatës prej personave që janë subjekte të statutit dhe aktit themelues, përveç detyrimeve që janë në formën e pagave, rrogave, shpërblimeve dhe kompensimeve që rrjedhin nga kontrata e punës ose kontrata të tjera të ngjashme me të ose për mbulimin e shpenzimeve të kryera me porosi dhe për llogari të organizatës kur kjo është e mundur dhe në varësi të gjendjes ekonomike të organizatës.
  3. Çdo akt tjetër do të konsiderohet juridikisht i pavlefshëm.

 

Neni 9

Ushtrimi i Aktivitetit

  1. Qendra “KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPËRISË” e ushtron veprimtarinë e saj brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  2. Ajo mund të hapë degët e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë si edhe jashtë territorit të të Shqipërisë duke zbatuar legjislacionin përkatës të vendit ku do të hapen degët.

 

Neni 10

Kohëzgjatja e aktivitetit

Qendra “KËSHILLI NDËRFETAR I SHQIPERISE” e ushtron veprimtarinë e saj në një kohëzgjatje të pacaktuar.

 

KREU  II

 ORGANET DREJTUESE

FUNKSIONIMI DHE KOMPETENCAT E TYRE

Neni 11

 A –   KËSHILLI I PRESIDENCËS 

  1. “Organi më i lartë vendimmarrës i Qendrës së KNFSH –së është Këshilli i Presidencës, i cili përbëhet nga, Kryetaret e Komuniteteve fetare pjesëmarrës të Qendrës. Ai mblidhet jo më pak se dy herë në vit dhe në raste urgjente.
  2. Në rast të largimit nga detyra të secilit prej krerëve te Komuniteteve fetare, për çfarëdolloj arsye, do të zëvendësohet nga pasardhësi i tij në krye të atij Komunitetit fetar.

 

Neni 12 

  1. Këshilli i Presidencës do të përcaktojë Kryetarin e Këshillit të Presidencës  çdo  një vit sipas formulës së rrotacionit duke u nisur nga komuniteti tradicional fetar më i madh. Kryetari do të jetë edhe Zëdhënës i Këshillit.
  2. Për periudhën 01.10.2018 deri 31 dhjetor 2019 Kryetari i Këshillit të Presidencës është Fortlumturia e Tij Anastas Janullatus, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë
  3. Kryetari i Këshillit të Presidencës përfaqëson Qendrën në marrëdhënie me të tretët, nënshkruan çdo akt që del nga mbledhjet e Këshillit Presidencial, thërret mbledhjet e Këshillit, dëgjon raporte nga Sekretari i Përgjithshëm dhe stafi ekzekutiv, autorizon persona të tjerë për të kryer veprime proceduriale pranë gjykatave apo organeve të tjera shtetërore.

 

Neni 13

Këshilli i Presidencës zgjedh me votim Sekretarin e Përgjithshëm dhe financierin te propozuar nga Kryetari. Në rast të ndarjes të barabartë të votave vota e kryetarit është vendimtare.

 

Neni 14

Kompetencat

Këshilli i Presidencës drejton të gjithë veprimtarinë e Këshillit, përcakton drejtimet konkrete te punës, miraton projektet e Këshillit dhe prioritetet e financimeve të projekteve.

Neni 15

Këshilli i Presidencës:

  1. Miraton buxhetin vjetor të KNFSH-së
  2. Miraton plan – buxhetin për periudhën tjetër financiare.
  3. Analizon dhe miraton raportet financiare.
  4. Përcakton veprimet strategjike dhe plan-veprimin e KNFSH-së dhe cakton veprimet prioritare.
  5. Miraton statutin ose ndryshimet e tij
  6. Miraton rregulloret e brendshme të KNFSH-së.
  7. Ai mbledh dhe mbikëqyr çdo komision apo komitet që mund të ngrihet prej tij.

 

Neni  16

Këshilli i Presidencës në çdo rast  merr vetëm vendime unanime për të gjitha çështjet, të cilës do natyrë qofshin ato, me përjashtim te votimeve te personave funksionare kur mjafton shumica e votave dhe, kur votat janë të barabarta, vota e Kryetarit është vendimtare.

 

Neni 17

Këshilli i Presidencës emëron  dhe shkarkon anëtarët e Këshillit Ekzekutiv.

 

Neni 18

Për nevoja të zhvillimit dhe realizimit të objektivave të caktuara, KNFSH mund të ngrejë në baze njësie territoriale Njësitë Lokale të KNFSH-së.

 

Neni  19

Njësite lokale do të përbëhen nga dy përfaqësues lokalë të secilit komunitet fetarë dhe që përkojnë me ato që janë të përfaqësuara në Këshillin e Presidencës. Zgjedhja dhe shkarkimi i tyre bëhet nga Këshilli i Presidencës.

 

Neni 20

Aktiviteti, struktura, kohëzgjatja dhe funksionimi i Njësive Lokale përcaktohet nga KNFSH-së.

 

Neni 21

Mbledhjet

    Këshilli i Presidencës e përcakton vetë grafikun e mbledhjeve .

  1. Këshilli mund të mblidhet në mbledhje të jashtëzakonshme dhe më shumë se dy herë në vit në rast se kjo kërkohet nga 3 prej anëtarëve të tij.

B- KËSHILLI EKZEKUTIV

 

Neni 22

Përbërja

 Këshilli Ekzekutiv përbëhet nga 11 anëtarë, nga dy përfaqësues të secilit komunitet fetar dhe Sekretari i Përgjithshëm.

 

Neni 23

Funksionet e Këshillit  Ekzekutiv

a) Këshilli Ekzekutiv:

  1. Propozon buxhetin vjetor të KNFSH-së
  2. Propozon plan – buxhetin për periudhën tjetër financiare
  3. Harton dhe organizon aktivitetet e KNFSH-së
  4. Shqyrton raportet financiare.
  5. Propozon veprimet strategjike dhe plan-veprimin e KNFSH-së dhe objektivat prioritare.
  6. Propozon statutin ose ndryshimet e tij
  7. Propozon rregulloret e brendshme të KNFSH-së.

 

Neni 24

Vendim marrja në  Këshillin Ekzekutiv

  1. Vendimet në Këshillin Ekzekutiv kur është e mundur merren me konsensus.
  2. Kur mungon konsensusi mjafton shumica e votave te anëtarëve të pranishëm.

 

Neni 25

Mbledhjet e Këshillit Ekzekutiv 

  1. Këshilli Ekzekutiv mblidhen jo më pak se tre herë në vit, dhe në raste të jashtëzakonshme.
  2. Ai thirret dhe drejtohet nga sekretari i përgjithshëm.

 

Neni 26

Mënyra e pagesës 

  1. Anëtarët e Këshillit Ekzekutiv e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë vullnetare.
  2. Ata mund të kenë të drejtën e pagesës, kompensimit të shpenzimeve të kryera për ushtrimin e veprimtarisë së tyre si dhe shpërblime të tjera të kësaj natyre. Këto pagesa bëhen në varësi të punës dhe të ardhurave të organizatës, sipas procedurave të parashikuara në rregulloren e brendshme.

 

C- Sekretari i Përgjithshëm

 

Neni 27 

  1. Sekretari i Përgjithshëm emërohet sipas normës së Nenit 13.
  2. Në rast të ndarjes të barabartë të votave vota e kryetarit është vendimtare.
  3. Kohëzgjatja në detyrë është për një periudhë 3 vjeçare, me të drejtë riemërimi

 

Neni 28

Funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm 

  1. Sekretari i Përgjithshëm drejton Këshillin Ekzekutiv. Ai ka për detyrë të koordinojë zbatimin e politikave dhe programeve të autorizuara nga Këshilli i Presidencës.
  2. Ai informon me shkrim Këshillin e Presidencës për të gjithë punët që kryen Këshilli Ekzekutiv. Për punën që kryen ai paguhet me rrogë.

 

Neni 29

Rastet e lirimit nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm

Këshilli i Presidencës mund të lirojë nga detyrat ose të heqë të drejtën e ushtrimit të funksioneve në Këshill Sekretarin e Përgjithshëm, kur ai/ajo me dashje shkel Statutin e Organizatës, kur ai/ajo shkel rëndë parimet themelore të programit të Organizatës apo kur ai/ajo kryen veprime, apo shfaq ose manifeston çfarëdolloj qëndrimi i cili dëmton organizatën.

 

D- Financieri

 

Neni 30

Financieri:

  1. Emërohet dhe shkarkohet nga Këshilli i Presidencës sipas Nenit 13.
  2. Drejton sektorin e financave dhe qëndron në detyrë për një periudhë 3 vjeçare me të drejtë riemërimi. Ai/Ajo ka për detyrë:
  3. të mbajë llogaritë e faturave dhe pagesave në regjistrat e KNFSH-së. Ai/Ajo është përgjegjës për të gjithë transaksionet financiare.
  4. Përgatit raportet financiare 3 mujore dhe bilancin vjetor.
  5. Merr pjesë në përgatitjet për hartimin e buxhetit
  6. Nënshkruan të gjithë faturat e KNFSH-së me miratimin dhe firmosjen e Sekretarit të Përgjithshëm
  7. Për punën që kryen ai/ajo paguhet me rrogë.

 

MARREDHËNIET E PUNËS

 

Neni 31

 Marrëdhëniet e punës midis punëdhënësit KFNSH-së dhe punëmarrësve të tjerë rregullohen nga dispozitat e Kodit të Punës në fuqi.

 

Neni 32

Krijimi i grupeve të punës

  1. 4 ose më shumë anëtarë të Këshillit Ekzekutiv të Qendrës kanë të drejtë të krijojnë një grup pune për realizimin e një projekti të caktuar veçmas ose në bashkëpunim me sektorët përkatës. Ata i drejtojnë një kërkesë Këshillit të Presidencës, i cili vendos për njohjen e grupit dhe miratimin e projekt idesë.
  2. Në rast miratimin e saj, Sekretari i Përgjithshëm cakton një koordinator nga organet drejtuese mundësisht nga sektori, që ka më tepër lidhje me natyrën e projektit si përfaqësues i bordit dhe drejtorit për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e projektit.

 

Neni 33

Shkëmbimi i Informacionit 

  1. Në mënyrë që të përmbushen qëllimet, anëtarët do të shkëmbejnë informacion që ka lidhje me realizimin e qëllimeve të organizatës.
  2. Anëtarët janë të detyruar t’i përgjigjen direkt kërkesave për këtë lloj informacioni nga anëtarët e tjerë të Këshillit të Presidencës.

 

Neni 34

Përdorimi i Informacionit

  1.  Çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë të mbajë, të shkëmbejë dhe të japë informacion që ka lidhje me realizimin e qëllimeve të organizatës.
  2. Çdo anëtar është i detyruar të mbajë konfidencialitetin e këtij informacioni.
  3. Publikimi i informacionit ose pasurisë së Këshillit në masmedia (faqe interneti web, buletine, revista, gazeta etj.) lejohet vetëm me pëlqimin e Këshillit të Presidencës.

 

Neni 35

Konflikti i interesave dhe marrëveshjet e ndaluara 

  1. Nuk lejohet konflikti i interesave ndërmjet Qendrës jofitimprurëse dhe anëtarit të organit vendimmarrës, ekzekutiv dhe punonjësit të tjerë të saj.
  2. Marrëveshjet ndërmjet Qendrës dhe një anëtari të organeve drejtuese, mund të lejohen vetëm nëse ato lidhen për të përmbushur një qëllim ose objekt të veprimtarisë së organizatës dhe në çdo rast me vendim nga Këshillit të Presidencës.
  3. Në rast konflikti interesi ose marrëveshje të ndaluar ose të konsumuar dhe në rast se procedurat e mësipërme nuk janë ndjekur, vetë Këshillit të Presidencës mund të anullojë këtë marrëveshje dhe të kërkojë një dëmshpërblim.

 

KREU  III

 TË ARDHURAT E ORGANIZATËS DHE ADMINISTRIMI I TYRE

 

Neni 36

Të ardhurat e  KNFSH-së 

Të ardhurat e KNFSH-së do të sigurohen nga:

  1. Kontributi i çdo Komuniteti Fetar i caktuar çdo vit nga Këshilli i Presidencës.
  2. Të ardhurat e siguruara nga vetë aktiviteti që do të ushtrojë KNFSH-ja në përputhje me objektin e përcaktuar në statut.
  3. Dhuratat, asistenca dhe programet e financuara nga organizata ndërkombëtare, vendase dhe fondacionet e huaja.
  4. Të ardhura dhe financime nga donatorë të ndryshëm, lokale ose ndërkombëtarë.

 

Neni 37

Administrimi i të ardhurave

Rregullat dhe metodat për administrimin financiar të të ardhurave do të përcaktohen në një rregullore të posaçme të përcaktuar  nga Këshilli i Presidencës të KNFSH-së.

 

Neni 38

Të ardhurat e Këshillit do të përdoren nga organet drejtuese në përputhje me rregulloren përkatëse të miratuar nga Këshilli i Presidencës, me qëllimin për t’i shërbyer objektivave të KNFSH-së.

 

KREU  IV

SHPËRNDARJA DHE LIKUIDIMI I KNFSH-së

 

Neni 39

Shpërndarja e KNFSH-së 

Shpërndarja e KNFSH-së  bëhet:

  1. Me vendimin e KNFSH-së të thirrur vetëm për këtë qëllim.
  2. Kur qëllimi i KNFSH është përmbushur
  3. Kur KNFSH nuk ka mundësi për përmbushjes së qëllimit të saj
  4. Me vendimin e gjykatës kompetente pasi merr formë të prerë.

 

Neni 40

Likuidimi i KNFSH-së 

KNFSH-ja kërkon likuidimin dhe aprovon procedurat përfundimtare të likuidimit ose mbylljes së organizatës. Me caktimin e likuidatorit përfundojnë funksionet e Këshillit të Presidencës te KNFSH-së

 

Neni 41

Prezantimi i raportit financiar që pason likuidimin

Brenda dy muajve pas caktimit të tyre, likuidatori ose likuidatorët kërkojnë një takim me Këshillin e Presidencës të KNFSH-së, për të prezantuar situatën financiare dhe kërkojnë një raport situacional për procedurën e mbylljes.

 

Neni 42

Të Drejtat dhe Detyrat e Likuidatorit 

Likuidatori përfaqëson organizatën dhe ka kompetencat profesionale për procedurat e likuidimit. Ai  është i autorizuar të paguajë të gjithë kreditorët.

 

Neni 43 

DISPOZITAT TRANZITORE DHE TË FUNDIT

Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve 

  1. Mosmarrëveshjet ndërmjet anëtarëve, ndërmjet tyre dhe organeve të tjera zgjidhen me mirëkuptim dhe në përputhje me statutin dhe rregullat e Këshillit.
  2. Në qoftë se nuk arrihet që këto mosmarrëveshje të zgjidhen brenda strukturave të Qendrës atëherë secili prej anëtarëve të Këshillit të Presidencës mund të kërkojë që këto mosmarrëveshje të zgjidhen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Ky Statut u përgatit në 4 kopje origjinale në gjuhën shqipe dhe angleze me të njëjtën vlerë ligjore, për përmbajtjen e të cilit anëtarët kanë rënë dakord dhe zotohen për zbatimin me besnikëri të tij dhe nënshkruhet me vullnetin e lirë nga Përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare zyrtare të Shqipërisë:

 

  1. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë Kryetari Shkëlqesia e Tij Skender Bruçaj 
  1. Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos 
  1. Kisha Katolike President i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë Arqipeshkvi i Dioçezës Tiranë – Durrës George Frendo 
  1. Kryegjyshata Botërore Bektashiane H. Dede Edmond Brahimaj 
  1. Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë Pastor Ylli Doçi 

 

Tiranë, më 22.10.2018

Shpërndarja tregon përkujdesje!

Shqip
English Shqip