Home
Mblidhet Presidenca e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Mblidhet Presidenca e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Pas disa takimesh dhe mbledhje pune, drejtuesit më të lartë të komuniteteve fetare të Shqipërisë janë mbledhur më dt. 22.10.2018 në Selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku janë marrë disa vendime të rëndësishme, lidhur me mirëfunksionimin dhe disa ndryshime statuore të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, themeluar në vitin 2007 nga komunitetet fetare tradicionale në vend.
Në mbledhjen e zhvilluar, morën pjesë H. Skender Bruçaj, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mons. George Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.
Gjatë kësaj mbledhje, krahas ndryshimeve statuore, u morën edhe disa vendime lidhur me disa ndryshime në aspektin drejtues institucional të Këshillit Ndërfetar, institucion i cili ka në përbërjen e vet Këshillin e Presidencës, Këshillin Ekzekutiv dhe sekretarin e përgjithshëm.
Organi më i lartë vendimmarrës i Qendrës së KNFSH-së është Këshilli i Presidencës, i cili përbëhet nga Kryetarët e Komuniteteve fetare, pjesëmarrës të Qendrës, ndërsa Këshilli Ekzekutiv përbëhet nga dy anëtarë për çdo komunitet.
Kryetari i Këshillit të Presidencës, ka një mandat një vjeçar dhe krerët e komuniteteve fetare do ta kenë këtë detyrë me rotacion. Për vitin e ardhshëm 2019-2020 u caktua kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastas Janullatos, ndërsa sekretar i përgjithshëm u zgjodh Dr. Genti Kruja me një mandat tre vjeçar.
Në këtë mbledhje u vendos gjithashtu botimi i literaturave të ndryshme, ku do të pasqyrohet veprimtaria ndërfetare në Shqipëri, si dhe takimet periodike sipas statutit të KNFSH-së.
Këshillit Ndërfetar i Shqipërisë ka si mision të vetin promovimin e dialogut dhe harmonisë ndërfetare, nëpërmjet projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip