Home
Zëri i liderëve shpirtërorë për dialog, sa po dëgjohet nga politika

Zëri i liderëve shpirtërorë për dialog, sa po dëgjohet nga politika

Prej disa kohësh, sa herë Shqipëria është në ditë të vështira, opinioni publik ushqehet me një deklaratë dhe qëndrim të ndryshëm nga aktorët e tjerë. Është një kumt i veçantë, që kërkon vetëpërmbajtje, dialog, urtësi, maturi. Ky mesazh paqeje, është nga ana tjetër i fortë dhe i njëmendët. Thirrjet vijnë kur ka ngjarje të rënda kriminale, kur ka krizë të fortë politike, apo së fundmi, kur nga Holanda erdhi lajmi se Parlamenti atje ka kërkuar rivendosjen e vizave me Shqipërinë. Janë 5 komunitetet fetare në vend, që janë mbledhur në një Këshill. Gjuha e tyre kontraston shumë me arsenalin luftarak të politikës dhe medias. Po ndoshta, pikërisht për këtë, ia vlen të dëgjohet. Po si lindi ky Këshill ku janë mbledhur myslimanët, katolikët, ortodoksët, bektashinjtë dhe së fundmi edhe protestantët? Si funksionon, dhe misioni që liderët shpirtërorë i kanë vënë vetes. Kërkesa e tyre e vazhdueshme ndaj politikës për dialog dhe ulje në tryezë. A dëgjohet zëri i tyre nga partitë? Në një intervistë për gazetën MAPO (dt. 20 prill 2019), Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar, Dr. Genti Kruja, shpjegon gjithçka.

Si lindi ideja e krijimit të Këshillit Ndërfetar?

Bashkëpunimi ndërfetar te shqiptarët është një traditë disa shekullore. Për këtë kemi dëshmi dhe dokumente të shumta, madje në arkivat tona kemi dhe foto, që nga koha e pavarësisë dhe deri në ditët tona, ku prijësit fetarë gjenden bashkë jo vetëm në festa e urime, por edhe në momente historike të kombit shqiptar. Kështu që, kjo traditë bashkëpunimi kishte ardhur koha që të zyrtarizohej nëpërmjet një këshilli ndërfetar, i cili u bë realitet në 2007, por ceremonia e themelimit u zhvillua më 22 tetor 2009 në prani të Presidentit të Republikës dhe të ftuarve të shumtë nga bota.

Këshilli Ndërfetar u themelua nga katër krerët e komuniteteve tradicionale fetare në Shqipëri, Haxhi Selim Muça, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, Mons. Rrok Mirdita dhe H. Dede Reshat Bardhi, si dhe është regjistruar në Gjykatën e rrethit Tiranë. Në mbledhjen e Këshillit të Presidencës me dt. 22.10.2018 është miratuar dhe anëtarësia me të drejta të plota edhe e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, duke u bërë komuniteti i pestë fetar në KNFSH.

 

-A doni te jepni një mesazh për shoqërinë dhe politikën, qoftë dhe vetëm me këtë lloj bashkëpunimi, me këtë organizëm?

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shpesh herë në deklaratat e tij të përbashkëta ka dhënë mesazhe të qarta në dobi të shoqërisë, si dhe mesazhe drejtuar politikës shqiptare, apo faktorit ndërkombëtar, duke u bërë një shembull i bashkëpunimit për të mirën e përbashkët edhe pse ne përbëhemi nga pesë komunitete të ndryshme fetare.

 

-Ju keni mbajtur qëndrime të forta publike, lidhur me klimën e ashpër politike, apo dhe me ngjarje te tjera, si ato që lidhen me krimin, apo me integrimin dhe hapjen e negociatave me BE-në. Sa mendoni se dëgjohet zëri juaj, a merrni reagime për shqetësimet që ngrini?

Duke qenë se Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë përfaqëson zërin e pesë komuniteteve fetare në vendin tonë, deklaratat e publikuara dhe firmosur nga pesë liderët fetarë janë deklarata të përbashkëta, të mirëmenduara dhe të konsultuara bashkërisht në çdo mesazh që jipet, prandaj dhe pesha e atyre fjalëve është e madhe dhe zë vend kur thuhet, duke pasur një jehonë të madhe jo vetëm në media, por edhe në instancat zyrtare shtetërore dhe sidomos në trupin diplomatik, të akredituar në vendin tonë.

Do të ndalem vetëm në dy rastet e deklaratave gjatë vitit 2018, ?Deklarata e besimeve fetare në Shqipëri me rastin e rekomandimit për hapjen e negociatave me BE-në?, drejtuar

 Presidentit Makron dhe Kancelares Merkel, si dhe ?Deklarata e komuniteteve fetare në Shqipëri?, lidhur me angazhimin e përbashkët për dialogun ndërfetar, zhvilluar në konferencën ndërkombëtare me 3 maj 2018 në Tiranë ?Shqipëria, Model i Bashkëjetesës Ndërfetare për Evropën??, me mbështetjen e Ambasadës së Austrisë në vendin tonë, organizuar nga 3 universitete themeluar nga 3 komunitete të ndryshme fetare, Universiteti Bedër, Universiteti Katolik ?Zoja e Këshillit të Mirë? dhe Universiteti ?Logos?.

Lidhur me pjesëmarrjen tonë aktive në shumë dimensione, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë me dt. 25 tetor 2018 është vlerësuar me çmimin De Mello for Human Rights në Poloni, ku në ceremoninë e zhvilluar ky çmim iu dha krerëve më të lartë të komuniteteve fetare të vendit tonë, me motivacionin ?Për Vëllazëri Ndërfetare në Shqipëri?.

Ndërkohë Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë po përgatitet të marrë pjesë në Asamblenë e Dhjetë Botërore të Organizatës Ndërkombëtare ?Religions for Peace? (Fetë për Paqen), që do të mbahet në gusht të këtij viti në Lindau të Gjermanisë, ku do të marrin pjesë personalitete të larta fetare nga 100 shtete të ndryshme të botës, si dhe përfaqësues të organizmave të gruas dhe rinisë, në të cilën do të zhvillohen disa seanca dhe panele shkencore rreth temës kryesore të kësaj asambleje ?Kujdesi për të ardhmen tonë të përbashkët?, si dhe nëntemave të tjera të përcaktuara për t?u trajtuar në këtë tubim të madh botëror. Gjatë zhvillimit të kësaj asambleje, delegatë nga e gjithë bota do të votojnë gjithashtu dhe për organet drejtuese të ?Religions for Peace?, të nominuar nga këshillat ndërfetarë kombëtarë, të cilët zgjidhen një herë në pesë vite. KNFSH është anëtare me të drejtë vote në ?Religions for Peace?, e cila është themeluar në 1970 në New York dhe është organizata më e madhe botërore, që operon në fushën e paqes dhe dialogut në të gjithë botën, akredituar dhe njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Lidhur me pjesëmarrjen dhe angazhimin tonë në këtë asamble, në emër të KNFSH-së kam qenë prezent në takimin e Berlinit dhe pas disa ditësh do të jemi në Bruksel. Ne do kemi gjithashtu dhe konsultimet tona kombëtare lidhur me rekomandimet dhe propozimet tona që do të dërgojmë në Asamblenë Botërore në emër të Shqipërisë.

Këto janë disa nga vlerësimet ndërkombëtare, që i bëhen Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

 

-Keni kërkuar që partitë të merren vesh për hir të interesave të vendit. Si janë pritur deklaratat tuaja nga partitë?

Ka pasur reagime pozitive nga politikanë të të gjitha kaheve politike. Vlerësimi i fundit ishte edhe ai i Presidentit të Republikës ndaj Këshillit Ndërfetar, ku gjatë një takimi me kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, kreu i shtetit ka theksuar rëndësinë e funksionimit të Këshillit Ndërfetar në Shqipëri, si një instrument që forcon bashkëjetesën, harmoninë dhe solidaritetin në vendin tonë.

 

-A do ishit ju si organizëm të gatshëm të ndërmjetësonit për t?i ulur palët ne bisedime?

Komunitetet fetare besoj se e kanë treguar veten se janë të gatshëm të japin kontributin e tyre në çdo moment të vështirë dhe delikat, që ka kaluar vendi ynë, ku një nga shembujt e veçantë ka qenë edhe gjatë trazirave të 1997. Në ditët e sotme, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka bërë dhe një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën politike në vendin tonë, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në aspektin social, ekonomik dhe në të ardhmen e rinisë sonë, duke krijuar një gjendje të pasigurtë dhe duke cenuar shpresën e një populli të vuajtur, por vital e të fortë përballë sprovave me të cilat është përballur historikisht.

Në këtë deklaratë, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bëri thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe për zgjidhje të konfliktualitetit të tejzgjatur, i cili po thellon dhe më shume varfërinë e shqiptareve, ikjen e tyre, dobësimin e institucioneve demokratike në vendin tonë, si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë përpara botës.

KNFSH deklaroi se, ne të gjithë së bashku, duhet të këmbëngulim fort te virtyti i shpresës, që po plagoset dita ditës, duke i bërë thirrje të gjithë faktorit politik të lërë mënjanë dhunën verbale apo fizike, përçmimin e kundërshtarit politik, e të gjejnë medoemos zgjidhje në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare, të atyre nënave dhe baballarëve fisnikë, që ushqyen brezat me dashurinë e shenjtë për këtë tokë, e sidomos të rinisë sonë, e cila meriton një vend me një të ardhme shpresëplotë.

 

-Si koordinohen qëndrimet e komuniteteve fetare? Si organizohet puna që të merret konsensusi i të gjithëve për deklaratat dhe qëndrimet që mbani?

Organi më i lartë vendimmarrës i KNFSH-së është Këshilli i Presidencës, i cili përbëhet nga Kryetarët e pesë komuniteteve fetare, ndërsa Këshilli Ekzekutiv përbëhet nga dy anëtarë për çdo komunitet.

Kryetari i Këshillit të Presidencës, ka një mandat një vjeçar dhe krerët e komuniteteve fetare e kanë këtë detyrë me rotacion. Për vitin 2019 është kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopi Anastas, ndërsa në detyrën e sekretarit të përgjithshëm me një mandat tre vjeçar para 6 muajsh jam zgjedhur unë, ku në këtë pozicion koordinoj dhe punët e bashkëpunimin e Këshillit, duke përgatitur dhe draftet, si dhe agjendën e mbledhjeve, takimeve dhe deklaratave të përbashkëta, ku i dërgohet Këshillit të Presidencës, d.m.th. krerëve të pesë komuniteteve dhe pasi bëhen sugjerimet përfundimtare, ajo publikohet në faqen tonë zyrtare www.knfsh.al dhe i dërgohet dhe mediave.

 

-A ka ndonjëherë qëndrime të ndryshme, për tema të ndryshme, në mbledhjet qe ju bëni?

Normalisht që ka tema, ku përfaqësuesit e komuniteteve fetare mund të kenë dhe mendime të ndryshme, lidhur me tema të caktuara. Edhe pse sipas statutit vendimet merren me shumicë votash, të gjitha vendimet e deritanishme janë marrë në unanimitet të plotë.

Në mbledhjen e fundit, zhvilluar më 16 prill 2019, ku u mblodh Këshilli i Presidencës, janë diskutuar p.sh. disa problematika shqetësuese për të gjithë komunitetet fetare, siç janë çështja e pronave dhe moskthimi i tyre nga shteti shqiptar, problemi i objekteve të kultit dhe materialeve arkivore të sekuestruara nga regjimi komunist dhe moskalimi i tyre te pronarët e vërtetë, komunitet fetare në Shqipëri, si dhe është miratuar gjithashtu themelimi i sektorit të Gruas dhe Rinisë në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë, propozuar në mbledhjen e fundit nga Këshilli Ekzekutiv i KNFSH-së.

 

-Krahas konferencave ndërkombëtare dhe aktiviteteve të ndryshme ndërfetare, a ka ndonjë zhvillim praktik, përsa i përket përçimit të kësaj fryme te brezat e rinj?

Krahas konferencave dhe aktiviteteve ndër vite, mund të përmendet bashkëpunimi akademik dhe pedagogjik midis tre teologjive, Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin ?Bedër?, Institutit Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër dhe Akademisë Teologjike Ortodokse, Shën Vlash, Durrës, të cilët kanë hedhur hapa konkrete prej disa vitesh në fushën e dialogut, për t?ia përcjellë këtë frymë edhe brezave të rinj, sidomos teologëve të ardhshëm, një investim me mjaft vlera.

Kështu tashmë pas zhvillimit të seminareve dhe leksioneve të hapura të dialogut ndërfetar dhe shpjegimit teologjik të besimit të secilit me studentët e tri teologjive nga pedagogët e teologjive të ndërsjella, deri tani janë zhvilluar shtatë simpoziume ndërfetare, të organizuara me radhë në tre institucionet arsimore, duke e kthyer këtë organizim në një traditë, që vazhdon me një periodik të caktuar, prej dy herësh në vit, çdo 6 muaj, duke zgjedhur tema të përbashkëta trajtimi.

Simpoziumi i tetë do të zhvillohet me 2 maj, ku ndryshe nga herët tjera këtë radhë nuk do të jenë pedagogët, por vetë studentët ata që do të mbajnë kumtesat në simpoziumin me temë ?Sfidat e religjionit në globalizëm?.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar Dr. Genti Kruja pranë çmimit De Mello for Human Rights dhënë KNFSH-së në Poloni

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English