Home
Mblidhet Këshilli i Presidencës i Këshillit Ndërfetar

Mblidhet Këshilli i Presidencës i Këshillit Ndërfetar

Këshilli i Presidencës të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë ka mbajtur ditën e sotme me dt. 16.04.2019, mbledhjen e radhës dhe të parën për vitin 2019.

Kështu në mbledhjen e zhvilluar, merrnin pjesë krerët e pesë komuniteteve fetare në vend, bashkëdrejtues dhe të KNFSH-së, Kryetari i Këshillit Ndërfetar, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, njëkohësisht dhe kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, kryetar i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, Mons. George Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, si dhe Pastor Ylli Doçi, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.

Takimi ndërfetar i mbajtur në Qendrën Sinodike të Kishës Ortodokse është hapur nga Fortlumturia e tij Anastas Janullatos, i cili këtë vit ka dhe presidencën e radhës të KNFSH-së, i cili ka falenderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë mbledhje. Ai i ka uruar mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve dhe në veçanti kreut të ri të KMSH-së H. Bujar Spahiu, për detyrën e tij pas zgjedhjeve në KMSH, si kryetari i ri i këtij institucioni, si dhe për praninë e tij në këtë takim në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Presidencës.

Gjithashtu kreu i KNFSH-së, si dhe të gjithë krerët e komuniteteve fetare kanë vlerësuar edhe kontributin e ish-kryetarit të KMSH-së H. Skender Bruçaj në Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë dhe në dialogun ndërfetar gjatë drejtimit të tij të KMSH-së.

Më pas mbledhja ka vijuar sipas rendit të ditës, agjendë e cila është bërë e ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar Dr. Genti Kruja, ku është bërë një pasqyrë e punës së KNFSH-së në 6-mujorin e fundit (tetor 2018-prill 2019), siç ishte përfundimi i procedurave zyrtare për regjistrimin e ndryshimeve statuore të KNFSH-së, regjistrimi në organet tatimore, pajisja me NIPT, hapja e llogarisë bankare në emër të Këshillit Ndërfetar, hapja e faqes web (knfsh.al) dhe në rrjetet sociale, etj..

Në vijim financierja e KNFSH-së, znj. Shelda Agaraj ka pasqyruar raportin e plotë financiar të detajuar të Këshillit Ndërfetar gjatë 6-mujorit të fundit.

Anëtarët e Këshillit të Presidencës gjatë kësaj mbledhjeje kanë diskutuar për disa problematika shqetësuese për të gjithë komunitetet fetare, siç janë çështja e pronave dhe moskthimi i tyre nga shteti shqiptar, problemi i objekteve të kultit dhe materialeve arkivore të sekuestruara nga regjimi komunist dhe moskalimi i tyre te pronarët e vërtetë, komunitet fetare në Shqipëri, etj.

Në këtë takim është diskutuar edhe rreth konsultimeve, që do të zhvillohen në muajt e ardhshëm për sugjerimet dhe propozimet, që do të dërgojë KNFSH në Asamblenë e X-të Botërore të organizatës ndërkombëtare ?Religions for Peace?, e cila do të mbahet në gusht 2019 në Gjermani.

Këshilli i Presidencës ka miratuar gjithashtu dhe themelimin e sektorit të Gruas dhe Rinisë në KNFSH, propozuar në mbledhjen e fundit nga Këshilli Ekzekutiv i KNFSH-së.

Në këtë takim merrnin pjesë gjithashtu dhe Hirësi Asti dhe z. Agron Hoxha, anëtarë të Këshillit Ekzekutiv të KNFSH-së.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
English