nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja
Kryepiskopi Anastas, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ka luajtur një rol kyç në forcimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërfetar në Shqipëri dhe jashtë saj. Ai ishte i njohur për angazhimin e tij të palodhur në promovimin e bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme fetare, një mision që e ka mbajtur në qendër të veprimtarisë së tij për shumë vite.
Bashkëthemelues dhe Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë
Një nga arritjet më të rëndësishme të Kryepiskopit Anastas ka qenë bashkëthemelimi i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) në vitin 2007, së bashku me tre kryetarët e ndjerë, kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Selim Muca, Kreu i Kishës Katolike në Shqipëri Mons. Rrok Mirdita dhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve H. Dede Reshat Bardhi. Ky këshill, i cili mbledh përfaqësues të grupeve të ndryshme fetare në Shqipëri, ka qenë një platformë kyçe për promovimin e dialogut ndërfetar dhe koordinimin e iniciativave që mbështesin bashkëjetesën paqësore dhe respektin reciprok. Në vitin 2018 Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar pranon me anëtarësi të plotë Vëllazërinë Ungjillore të Shqipërisë dhe sot ky këshill bashkërendohet nga pesë komunitete të ndryshme fetare.
Në vitet 2018-2019 dhe 2024, Kryepiskopi Anastas shërbeu si Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, një pozicion në të cilin ai ka udhëhequr përpjekjet për forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri dhe për të mbajtur një qëndrim të paanshëm dhe të balancuar.
Roli ndërkombëtar si President Nderi i Religions for Peace
Përtej veprimtarive të tij brenda Shqipërisë, Kryepiskopi Anastas ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Ai ka qenë dy herë i zgjedhur si President Nderi i Religions for Peace, një organizatë ndërkombëtare, që mbledh liderë fetarë dhe këshilla ndërfetarë nga e gjithë bota për të promovuar paqen dhe bashkëjetesën ndërmjet besimeve të ndryshme fetare. Herën e fundit, ai u rizgjodh në Asamblenë e X-të Botërore të Religions for Peace, mbajtur në Lindau, Gjermani, në vitin 2019 me pjesëmarrjen e Presidentit të Gjermanisë, vit kur ai kryesonte Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë. Ky angazhim ndërkombëtar pasqyron besimin dhe respektin e madh, që ka fituar Kryepiskopi për kontributet e tij në promovimin e dialogut ndërfetar dhe paqes globale.
Po ashtu, ai ka shërbyer si Kryetar i parë i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në vitin 2019, një vit kur Këshilli mori një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëjetesës ndërfetar në Shqipëri. Pozita e Kryetarit, e cila do t’i kalonte për një mandat njëvjeçar çdo lideri të secilit komunitet fetar, krijoi një sistem rotacioni, që pasqyronte shpërndarjen e pushtetit dhe përfshirjen e të gjitha grupeve fetare, bazuar dhe përfshirë kjo dhe në statut.
Puna intelektuale dhe kontributi në dialogun ndërfetar
Përveç angazhimit të tij si udhëheqës shpirtëror dhe organizativ, Kryepiskopi Anastas është gjithashtu autor i shumë librave dhe botimeve, ku një rëndësi të veçantë i jep dialogut ndërfetar dhe marrëdhënieve me jo të krishterët. Ai ka shkruar dhe ka kontribuar në studime, që theksojnë rëndësinë e bashkëjetesës paqësore dhe të respektit mes besimeve të ndryshme, veçanërisht mes të krishterëve dhe myslimanëve. Puna e tij intelektuale ka pasur ndikim të madh në promovimin e një shoqërie të hapur, tolerantë dhe të orientuar drejt mirëkuptimit.
Nxitja e bashkëpunimit akademik ndërfetar mes tri teologjive në Shqipëri
Një tjetër dimension i rëndësishëm i kontributit të Kryepiskopit Anastas është nxitja e bashkëpunimit akademik ndërfetar mes tre teologjive të Shqipërisë – asaj islame, ortodokse dhe katolike, respektivisht Departamentit të Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër, Akademisë Teologjike Ortodokse “Shën Vlash”, sot Departamenti i Teologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar “Logos” dhe Institutit Teologjik dhe Filozofik Katolik “Nëna e Këshillit të Mirë” në Seminarin Ndërdioqezan, Shkodër. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e mundësive për studentët dhe akademikët nga këto institucione që të bashkëpunojnë, shkëmbejnë ide dhe zhvillojnë projekte të përbashkëta.
Kryepiskopi Anastas ka mbështetur krijimin e mundësive për konferenca dhe seminare ndërfetarë, ku studentët e teologjive mund të diskutojnë tema të përbashkëta, që prekin bashkëjetesën dhe zhvillimin e paqes ndërmjet besimeve të ndryshme fetare. Ky bashkëpunim ka sjellë një kuptim më të thellë të traditave dhe vlerave të përbashkëta ndërmjet komuniteteve fetare, duke kontribuar në forcimin e dialogut dhe respektit ndërfetar, që është thelbësor për zhvillimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe paqësore, sidomos në një vend multifetare si Shqipëria.
Një model për udhëheqjen shpirtërore dhe intelektuale
Kryepiskopi Anastas ishte një nga figurat më të shquara të udhëheqjes fetare dhe intelektuale, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel global. Angazhimi i tij i vazhdueshëm për dialogun ndërfetar, përforcimin e paqes dhe bashkëjetesës midis besimeve dhe nxitjen e bashkëpunimit akademik ndërfetar është një mësim i vyer për të gjithë ata që e ndjekin dhe një model për udhëheqjen e përgjegjshme në një botë gjithnjë e më të përçarë.