Më 19 maj 2025, Papa Leoni XIV priti në Sallën Klementine të Vatikanit një delegacion ndërfetar ndërkombëtar, si përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare nga vende të ndryshme të botës, të cilët morën pjesë në ceremoninë e fronëzimit të tij si Papë. Në këtë takim, Papa Leoni XIV, shprehu mirënjohjen e tij për praninë dhe lutjet e tyre, duke theksuar rëndësinë e dialogut ndërfetar.
Ai vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Papa Françeskut për promovimin e vëllazërisë universale dhe dialogut ndërfetar dhe shtoi:
“Në një botë të plagosur nga dhuna dhe konfliktet, secili prej komuniteteve të përfaqësuara këtu sjell me vete një thesar të mençurisë, dhembshurisë dhe angazhimit për të mirën e njerëzimit dhe për ruajtjen e shtëpisë sonë të përbashkët. Jam i bindur se, nëse veprojmë të lirë nga çdo kushtëzim ideologjik apo politik, mund të jemi të suksesshëm në thënien “jo” luftës dhe “po” paqes, “jo” garës së armatimeve dhe “po” çarmatimit, “jo” një ekonomie që varfëron popujt dhe Tokën, dhe “po” zhvillimit integral.
Në mënyrë të veçantë, përshëndes vëllezërit dhe motrat tona hebrenj dhe myslimanë. Marrëdhëniet ndërmjet Kishës Katolike dhe myslimanëve janë karakterizuar nga një angazhim në rritje për dialog dhe vëllazëri, të nxitura nga respekti ndaj këtyre vëllezërve dhe motrave tona që “adhurojnë Zotin, i cili është një, i gjallë dhe ekzistues, i Mëshirshëm dhe i Plotfuqishëm, Krijuesi i qiellit dhe i tokës, i cili i ka folur edhe njerëzimit” (Nostra Aetate, nr. 3). Kjo qasje, e bazuar në respektin e ndërsjellë dhe lirinë e ndërgjegjes, përbën një themel të qëndrueshëm për ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve tona.
Pas fjalës së tij përfaqësues të lartë të KNFSH-së dhe liderë të komuniteteve fetare nga Shqipëria u përshëndetën me Papa Leonin XIV, të cilit i uruan suksese në detyrën e tij.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Papës për të forcuar marrëdhëniet ndërfetare dhe për të promovuar një kulturë dialogu dhe mirëkuptimi mes besimeve të ndryshme.