Krahas krerëve të komuniteteve fetare në vendin tonë, një delegacion i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me datë 24 prill 2025 zhvilloi një vizitë zyrtare në Nunciaturën Apostolike në Tiranë për të shprehur ngushëllimet e thella për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Delegacioni i përbërë nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së dhe anëtarë të Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë në KNFSH, u prit nga i ngarkuari me punë i Vatikanit në Shqipëri Mons. Ionut Paul Strejac, i cili falënderoi përfaqësuesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për solidaritetin dhe vizitën e zhvilluar.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Këshillit Ndërfetar vlerësuan figurën e Papa Françeskut si një simbol i përulësisë, paqes dhe dialogut ndërfetar. Ata shprehën mirënjohjen për përkushtimin e tij ndaj të varfërve, drejtësisë sociale dhe afrimit të komuniteteve fetare në frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
“Papa Françesku ishte një zë i fuqishëm për dialogun, pajtimin dhe paqen mes njerëzve të besimeve të ndryshme, i cili ngriti zërin ndaj mizorive dhe padrejtësive në botë”, – u shpreh z. Kruja gjatë takimit.
Kjo vizitë është një dëshmi e angazhimit të pandërprerë të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në mbështetje të harmonisë fetare dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në vend dhe më gjerë./24.04.2025