Home
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë partner në Konferencën Ndërkombëtare “Nostra Aetate” në Frankfurt

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë partner në Konferencën Ndërkombëtare “Nostra Aetate” në Frankfurt

Frankfurt am Main, 5–6 nëntor 2025 – Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë mori pjesë si partner bashkëpunues në Konferencën Ndërkombëtare dhe Ndërfetare “Nostra Aetate – 60 Vjet Pas”, e zhvilluar në Frankfurt, Gjermani, më 5 dhe 6 nëntor 2025.

Konferenca u organizua nga Fakulteti Filozofiko-Teologjik “Sankt Georgen” në Frankfurt, në bashkëpunim me Akademinë Katolike të Dioqezës së Limburgut (Haus am Dom) dhe Forum for Intercultural Dialogue e.V. (FIDeV).

Në këtë kuadër, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë u përfshi si partner ndërkombëtar në mbështetje të nismës, duke kontribuar në promovimin e dialogut ndërfetar dhe të mirëkuptimit mes komuniteteve fetare.

Konferenca, që shënoi 60-vjetorin e deklaratës së Koncilit të Dytë të Vatikanit “Nostra Aetate”, mblodhi përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare, akademikë dhe personalitete nga mbarë bota, për të reflektuar mbi trashëgiminë e këtij dokumenti dhe për të ndarë përvoja konkrete të bashkëjetesës dhe respektit ndërfetar.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë:

  • Gjergj Meta, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, i cili mbajti një kumtesë dhe ndërhyrje në panelin ndërfetar “Dialogue in Troubled Waters – Jewish, Islamic and Christian Approaches”.
  • Asoc. Dr. Genti Kruja, President i Religions for Peace Europe dhe Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së, mbajti kumtesën me temë “Rishikimi i Nostra Aetate – Një Perspektivë Shqiptare”, ku theksoi kontributin dhe modelin e Shqipërisë në ndërtimin e dialogut dhe mirëkuptimit ndërfetar.

Programi i konferencës përfshiu sesione plenare, diskutime tematike dhe reflektime mbi sfidat e sotme të dialogut ndërfetar.

Pjesëmarrja e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë si partner bashkëpunues në këtë konferencë ndërkombëtare dëshmon vlerësimin që gëzon modeli shqiptar i harmonisë fetare dhe angazhimin e pandërprerë të KNFSH-së për të forcuar urat e dialogut ndërmjet komuniteteve në Evropë dhe më gjerë.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip