Home
Zhvillohen Konsultimet Kombëtare të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në Berat

Zhvillohen Konsultimet Kombëtare të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në Berat

Më 30-31 tetor 2026, u zhvilluan në Berat Konsultimet Kombëtare të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me pjesëmarrjen e anëtarëve të Bordit Ekzekutiv, Departamentit të Gruas dhe Departamentit të Rinisë, si dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare vendore. Veprimtaria u organizua me mbështetjen e Religions for Peace në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë.

Konsultimet u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit ndërfetar përballë sfidave shoqërore dhe në qasjen e “Lulëzimit të Përbashkët të Shenjtë”. Përmes reflektimeve nga traditat fetare, diskutimeve dhe punës në grupe të përziera, pjesëmarrësit trajtuan vlerat e dinjitetit njerëzor, dhembshurisë, përgjegjësisë dhe kujdesit për jetën, duke shqyrtuar mundësitë për t’i shndërruar këto vlera në angazhim të përbashkët.

Dita e parë iu kushtua njohjes së trashëgimisë fetare e kulturore të Beratit, përmes vizitave në objektet e kultit dhe komunitete fetare, si dhe seancës së parë të trajnimit dhe njohjes së njëri-tjetrit. Tradita e bashkëjetesës së qytetit shërbeu si pikënisje për reflektimin mbi marrëdhëniet ndërfetare dhe përgjegjësinë për t’ua përcjellë këtë trashëgimi brezave të rinj.

Dita e dytë u hap me Forumin Ndërfetar të Beratit, i cili bashkoi drejtues dhe përfaqësues fetarë me përfaqësues të institucioneve publike dhe të jetës shoqërore vendore. Programi vijoi me sesionet e konsultimeve kombëtare, të zhvilluara përgjatë gjithë ditës.

Në sesionet tematike u trajtuan botëkuptimet e shenjta të traditave fetare dhe koncepti i “Botëkuptimit të Përbashkët të Shenjtë”, duke respektuar identitetin dhe veçantinë e secilit besim. Një vëmendje e posaçme iu kushtua marrëdhënieve me të Shenjtën, me njerëzit, me shoqërinë dhe me Tokën, si dhe lidhjes së tyre me misionin dhe përgjegjësitë e KNFSH-së.

Moderimin dhe lehtësimin e sesioneve e mbështetën Sonila Rembeci, Mehmet Disha, Ana Bërbati, Ada Lushi dhe Sheldiana Jano Agaraj. Sesioni mbi veprimin e përbashkët në kontekstin shqiptar u drejtua nga Prof. Genti Kruja, President i Religions for Peace Europe dhe Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së. Diskutimet u përqendruan në identifikimin e sfidave, analizimin e shkaqeve të tyre dhe mundësitë për mobilizimin e burimeve të komuniteteve fetare në shërbim të së mirës së përbashkët.

Nga puna në grupe dolën në pah çështje që lidhen me pronat dhe objektet e kultit, informimin juridik të komuniteteve fetare, si dhe edukimin mbi fenë në shkolla dhe kuptimin e laicitetit në raport me lirinë e besimit. Pjesëmarrësit propozuan trajnime të përbashkëta me institucionet vendore për trajtimin e çështjeve të pronave dhe objekteve të kultit, zgjerimin e bashkëpunimit të KNFSH-së me komunitetet lokale dhe nisma të përbashkëta për të drejtat e njeriut. Gjithashtu, u theksuan respekti për traditat dhe praktikat e secilit besim, kujdesi për familjen dhe të moshuarit, solidariteti me njerëzit në nevojë, etika e komunikimit dhe mbrojtja e mjedisit.

Konsultimet vijuan punën e nisur me Trajnimin e Trajnerëve për “Lulëzimin e Përbashkët të Shenjtë”, të zhvilluar në Tiranë në korrik 2026. Ato krijuan hapësirë për përfshirjen e grave dhe të rinjve në reflektimin ndërfetar dhe në përgatitjen e propozimeve për bashkëpunim të mëtejshëm.

Veprimtaria u përmbyll me reflektimet e pjesëmarrësve dhe mbledhjen e rekomandimeve, me synim që dialogu ndërfetar të përkthehet në nisma konkrete për paqen, edukimin, kohezionin shoqëror dhe kujdesin për mjedisin. Në përfundim, të gjithë pjesëmarrësve iu shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje.

Shpërndarja tregon përkujdesje
     
  
Shqip