Në kuadër të programit “Shared Sacred Flourishing”, delegacioni i Religions for Peace Europe, i përbërë nga përfaqësues të Këshillave Ndërfetarë të Europës (ENIB), Këshillit të Liderëve Fetarë Europianë (ECRL) dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, zhvilloi një sërë vizitash në komunitetet fetare të Shqipërisë, me qëllim njohjen nga afër të modelit shqiptar të harmonisë dhe bashkëpunimit ndërfetar.
Delegacioni u prit nga drejtuesit e komuniteteve fetare të vendit, të cilët prezantuan historinë, veprimtarinë dhe kontributin e institucioneve të tyre në forcimin e dialogut, mirëkuptimit dhe paqes sociale.
Gjatë vizitave, delegacioni u prit nga H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Joan, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; Dom Zef Bisha, përfaqësues i Kishës Katolike në Shqipëri; H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror Bektashi dhe Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, si dhe nga Pastor Erion Sylari, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.




Delegacioni europian kryhesohej nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, President i Religions for Peace Europe dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Gjatë takimeve u vlerësua modeli unik shqiptar i bashkëjetesës ndërfetare, i cili përbën një shembull frymëzues jo vetëm për rajonin, por edhe për Europën dhe më gjerë. U diskutua mbi sfidat bashkëkohore që lidhen me ndërtimin e paqes, edukimin e brezave të rinj dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare në promovimin e dinjitetit njerëzor, solidaritetit dhe së mirës së përbashkët.
Vizitat shërbyen gjithashtu si një mundësi për shkëmbimin e përvojave ndërmjet përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse dhe institucioneve fetare shqiptare, duke forcuar lidhjet e bashkëpunimit dhe angazhimin e përbashkët për avancimin e dialogut ndërfetar në nivel europian.
Këto takime u zhvilluan në kuadër të Trajnimit të Trajnerëve (Training of Trainers) të programit Shared Sacred Flourishing, organizuar nga Religions for Peace Europe në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga shtatë vende europiane. Programi synon të fuqizojë liderët dhe trajnerët ndërfetarë me njohuri, metoda dhe mjete praktike për promovimin e bashkëpunimit ndërfetar, ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e komuniteteve gjithëpërfshirëse.



